Policia hyn në Lazarat dhe nuk gjen asnjë rrënjë Cannabisi
GJIROKASTËR - Policia ka hyrë në fshatin Lazarat dhe prej andej kanë dalë me “duar bosh”. Ditën e djeshme, Policia e Gjirokastrës, me rreth 25 efektiva të saj, janë angazhuar në një aksion, i cili filloi në orët e mëngjesit. Burimet zyrtare thanë se kanë bastisur arat dhe bahçet e 350 banesave të Lazaratit, pa arritur të kapin asnjë rrënjë Cannabisi. Pas më shumë se shtatë orësh aksion në fshat policia ka dalë “duarbosh” pa sekuestruar asnjë kilogram lëndë narkotike dhe pa arrestuar asnjë person. Policia tha se nga kontrollet e saj nuk është gjetur lëndë narkotike, megjithatë nesër aksioni do të vazhdojë në pjesën e “paprekur” të fshatit. Fshati që përherë është akuzuar për mbjellje të Cannabis Sativa duket se ka hequr dorë nga kjo gjë. Policia ka hyrë në Lazarat me në krye drejtorin Emri Vata, me mbështetjen e kryetarit të komunës Lazarat, Dasho Aliko dhe kryepleqve të këtyre lagjeve. Forcat e policisë kanë kontrolluar rreth 350 shtëpi në dy lagje të këtij fshati dhe konkretisht në Lagjen e Re dhe në lagjen “Gjokaj”. Gjatë kontrolleve nuk është shënuar asnjë incident midis banorëve dhe policisë. Gjatë kontrolleve forcat e policisë nuk kanë evidentuar asnjë bahçe apo parcele të kultivuar me bimë narkotike, por u konstatuan disa bahçe ku ishin hapur gropat dhe ishin bërë gati për t’u kultivuar me bimë narkotike, por si rezultat i masave të marra nga ana e policisë gjatë ditëve të kaluara, duke thirrur në ambientet e policisë të gjithë ata persona që kishin tendencë për të kultivuar bimë narkotike, ka bërë që këta banorë të heqin dorë nga kultivimi i bimëve narkotike, gjë e cila u konfirmua dhe dje gjatë krehjes së bahçeve në fshatin Lazarat. Në përfundim të kontrollit të të gjitha lagjeve do të ketë të tjera kontrolle, dy apo tri herë në muaj, krehje të territorit të komunës Lazarat deri në muajin shtator. Gjatë aksioneve veprimet janë filmuar dhe fotografuar, ku vetë banorët kanë kërkuar prezencën e medias për të pasqyruar realitetin.
10 Maj 2010