E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë gra, të lira për dy orë

 

Dhjetë gra që vuajnë dënimin në burgun 325, për pak orë lanë qelitë për të vizituar ekspozitën “Për ata që nuk mund të hyjnë” në Galerinë “Zeta”. Ato panë veten të fotografuar nga Annaleen Louëes

Për dy orë, gjysmë të lira. Kanë zgjedhur veshjet më të mira të mundshme, kanë bërë pak tualet, kanë rregulluar flokët… Pak ajër njerëzish të lirë. Kur zbritën një nga një nga furgoni ngjyrë blu i policisë, të shoqëruara për krahu, kureshtarët nuk vonuan të mblidhen. Donin të dinin çfarë po ndodhte. “Po pse i kanë arrestuar? Çfarë kanë bërë…”. Nuk ishte një aksion policie, por një ngjarje kulturore.

Dhjetë gra, që vuajnë dënimin në burgun 325 në rrugën “Ali Demi”, për pak orë lanë qelitë e tyre për të vizituar ekspozitën “Për ata që nuk mund të hyjnë”, të hapur në Galerinë “Zeta” nga Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë (TICA). Ekspozita u hap më 27 maj, si një projekt i përbashkët i artistëve rezidentë të TICA-s dhe dje kishte ditën e fundit. Ndër punët që godisnin më tepër ishin padyshim ato të Annaleen Louwes, artistes hollandeze që solli një projekt krejt të veçantë, një seri portretesh të grave që vuajnë dënimin në burg. Qysh në hapjen e ekspozitës, Annaleen mendoi që të njëjtat fotografi t’i ekspozonte edhe në burg, për “mikeshat” e reja, por më tej tha përse jo? Përse ato të mos vijnë t’i shohin vetë? Drejtoria e burgut e dha lejen dhe dje, paradite Galeria “Zeta” pati disa vizitore të veçanta.

Kur hynë në galeri nuk dinin si të reagonin. Ecnin rrotull sallës së shtruar me parket. Asnjë nuk e dinte se sa kohë “liri” kishte në dispozicion dhe duhet të thithte sa më shumë nga ai ambient i ri, jashtë hekurave të qelive. Policet që i vështronin nga hyrja e galerisë u kujtonin në çdo moment statusin e tyre. Nga dhjetë gratë vizitore, vetëm 5 i kishin portretet në mure. Të tjerat pyesin se ku ishin fotot e tyre. Sytë u drejtuan kah Annaleen, së cilës i binte dhe pesha e rëndë e shpjegimit. I duhej t’iu shpjegonte një për një, se zgjedhja e fotografive nuk ishte diçka personale, por nuk kishte shumë hapësira... “Të gjitha fotografitë janë të bukura dhe do të prezantohen ndoshta në një ekspozitë tjetër, madje edhe në Hollandë”. Epo ja që ato ca hapësira të lira i gjenin ku mund të ishin fotografitë e tyre. “Ja ka vend këtu… Edhe këtu është bosh…”. Ndërsa ato që shihnin veten nëpër mure ndiheshin vërtet krenare. Dhe fotografja vazhdonte punën. Ky ishte një rast që nuk duhej humbur. Me aparatin e saj, si të dalë nga muzetë e fotografisë, Annaleen Louwes fiksonte sa të mundte. Nuk duhet t’i shpëtonte ajo dritë që shquhej në sytë e grave. Ecnin nëpër sallë. Pozonin pranë fotografive. Vetëshërbenin tek një tavolinë ku kishte pije freskuese dhe ëmbëlsira. Madje ndonjë guxonte të ulej edhe tek kompjuteri në kënd të galerisë. Tek e shihje aty me flokët kaçurrelë të rënë mbi sy, të dukej si një grua në karrierë. Dhe çdo gjë tjetër mbetej pas. Por fatkeqësisht liria nuk mund të zgjasë pafundësisht për to. Koha iku aq shpejt. Dalin sërish një nga një me kokën ulur. Marrin ashensorin dhe të shoqëruara ngjiten në furgonin ngjyrë blu. Edhe rruga e kthimit është shumë e shkurtër…

Pasi ato janë larguar dhe në galeri ra sërish heshtja, Annaleen ulet në një nga stolat e vendosur në qendër të sallës dhe fshin djersët. “Isha shumë e tensionuar. Nuk e dija se si mund të reagonin gratë që nuk do të shihnin veten. Kisha frikë se mos nxeheshin”, - thotë ajo, edhe pse përgjatë dy muajve arriti të miqësohej me to. Tani që ky projekt ka mbaruar mund të marrë frymë thellë. Nuk ishte fare e thjeshtë të punoje me to. “Kur i sheh në mur këto foto, duken kaq të heshtura, por ka kaq shumë jetë përreth. Nuk kisha të bëja me një grup të vogël njerëzish, të cilin mund ta studioja lehtësisht. Por 60 njerëz që donin të ishin atje dhe të fotografoheshin. Për të bërë një fotografi të mirë kërkohet përqëndrim, qetësi, gjë që nuk mund ta kishe atje”, - thotë hollandezja, teksa tregon situata sesi gratë ziheshin për të mbajtur radhën, për të dalë në fotografi, bukur madje.

Kur erdhi në Tiranë, Annaleene Loëes shprehu dëshirën për të zhvilluar projektin e saj në një burg, apo një spital psikiatrik. Dhe të punonte mbi portretin, gjë që sipas saj nuk është fort e pëlqyer në Shqipëri. “Mendoj se subjekti ka shumë rëndësi. Ndoshta ju shqiptarët keni një lloj turpi. Nuk i tregoni ato çka nuk janë të “këndshme”. Ky është një mendim imi, por ndoshta mendoni që është një art jo shumë i komplikuar. Madje disa studentë, të cilëve u kam dhënë leksione në Akademi më kanë pyetur, përse këto gra dhe jo malet, lulet, apo gjërat e bukura… Shumë nuk e kuptojnë përse. Nuk dua t’i tregoj ato si të burgosura, por si njerëz”, - tregon artistja, ndërsa shton se pavarësisht se njerëzit në situata jo të zakonta janë “temat” e saj të preferuara, në javën e parë të punës nuk ishte e sigurtë që ajo që po bënte ishte zgjedhja më e mirë. “Por dalëngadalë fillova t’i njoh ato, t’u bëj fotografi çdo ditë, të bëja ndonjë shërbim për to, duke ribërë fotografi familjare, duke krijuar kështu një lidhje disi më të ngushtë”. Annaleen Louëes ikën në Hollandë, në shtëpinë e saj, me idenë e kthimit sërish në atë vend ku jo të gjithë mund të hyjnë. Me të tjera foto. Mbase dhe me një film. Kur ajo të kthehet, të rejat do të jenë bërë gra dhe gratë do të jenë plakur.

Ndonjë guxonte të ulej edhe tek kompjuteri në kënd të galerisë. Tek e shihje aty me flokët kaçurrelë të rënë mbi sy, të dukej si një grua në karrierë. Dhe çdo gjë tjetër mbetej pas

“Mendoj se subjekti ka shumë rëndësi. Ndoshta ju shqiptarët keni një lloj turpi. Nuk i tregoni ato çka nuk janë të “këndshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›