Shigjetat mesjetare që godasin shpejtësinë e makinës
Klodian Qafoku i përgjigjet artikullit të Nestor Krajës pas kritikës për Festivalin e Fëmijëve. Qafoku është fitues i çmimit të parë
Dje, në një artikull të titulluar “I quajnë punë kalamajsh”, kompozitori i njohur, zoti apo shoku Nestor Kraja, gatoi një kritikë mbi Festivalin e 46-të Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, i cili u zhvillua në qytetin e Shkodrës. Shumë bukur, por mendoj se fjalia që do të fillonte këtë kryeartikull, meqënëse do t’i referohemi kalamajve, do të ishte: “Na ishte se ç’na ishte, na ishte apo s’na ishte një kompozitor.”
Dihet që Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për fëmijë në qytetin e Shkodrës, tashmë është bërë një ikonë e muzikës për fëmijë, pasi vite me radhë, kompozitorë, poetë, këngëtarë e shumë artistë të tjerë kanë kontribuar për ta mbajtur gjallë dhe në formën më të përkryer atmosferën muzikore fëminore. Pa e zgjatur, do të ndalesha në disa pika themelore të kritikës së zotit Kraja. Ai gjykon si të padrejtë votimin i cili u bë nga vetë fëmijët. A mendon z. Kraja që do të gjykonte këngët më mirë se fëmijët vetë? Ai mund të gjykojë për ndonjë “yll akademie” por jo për këngën “Super Star” e cila këtë vit u vlerësua me çmimin e parë në Festival. Dhe ishin këta fëmijë të cilët duartrokitën, kënduan dhe vlerësuan këngët e tyre më të pëlqyera.
Z. Kraja, i ke dëgjuar mirë nga kanali “rozë”, këngët e festivalit dhe atmosferën e tij, apo t’i kanë fishkëllyer në vesh në lokal dhe padashur të kanë bërë ndonjë stonim “oriental” apo “rap”? Zoti kompozitor, a mund të thuash se kush janë këta pseudokompozitorë të cilët kërkojnë të ndjekin shijen bastarde të turmës, ku sipas llogjikës, “turma” na qenkan fëmijët? Në këtë festival dëgjova emra të njohur dhe të nderuar kompozitorësh, të cilët sollën larmi këngësh shumë të bukura, si A. Kaçinari, Sh. Saraçi. E. Zhulali, N. Krasniqi, Sh. Kushta e të tjerë. Por me sa di unë, pseudokompozitorët apo brezat e djegur siç ju e quani veten, s’kishin vend në festival dhe s’merren tjetër veç të kritikojnë e të bëjnë artikuj për të plotësuar dosjen e titujve të munguar. Të quash dikë pseudokompozitor, duhet të jesh patjetër në “Ballkonin e Mençurisë” pra ndonjë gjeni që s’e kemi njohur. Po të shikosh fjalët e shumta që harxhon në artikullin tënd, bie ne sy vullneti yt i madh për t’u marrë me të tjerët, por jo cilësia e mendimit.
Do ta vlerësoja shumë nëse do të kishe harxhuar kohë profesionale, që të analizoje notë për notë këngën time, se sa të tregosh barcaleta me fizarmonikë, e cila po ta masësh zë vend gati 1/3 e artikullit tënd. Kjo më bën të mendoj që je matanë gardhit të kësaj gare, bile dukesh si ata tifozat që shajnë këdo, dhe për më tepër ndeshjen e shohin pa biletë.
Po të takohemi, të garantoj se do të dëgjoj me shumë kujdes, do kem vullnet njësoj si ty, por për të përfituar sugjerim apo kritikë.
Me lejo me çiltërsinë time dhe përgjegjësinë profesionale, të të them që sapo përfundova një projekt muzikal, i cili brenda ka përmasat e një festivali me 60 minuta muzikë (baladë, folk, rock, dance, simfoni, etj) dhe urimet për të më vlejnë aq shumë sa nuk mund t’i mbulojnë dhe 50 artikujt e tu. Rrugë të mbarë në kritikat e ardhshme! Por të ftoj, kalo njëherë dhe shiko muzikalin që kompozova. Aty do të zbulosh sakrificën time, dedikimin tim ndaj fëmijëve, aty do të kuptosh që terreni shqiptar na ka bërë edhe neve kompozitorëve aktivë, sponsorë shpirtërorë të fëmijëve.
Eja! Dhe pas atij koncerti, më quaj gënjeshtar! Por guxoj të them, qëkritikat e tua, i ngjajnë shigjetave mesjetare, që godasin shpejtësinë e makinës. Uroj që mos jesh ti shigjetari që gjuan shenjat e rrotave që janë të vjetra në asfaltin që sheh syri yt.
Miku yt
Klodian Qafoku