E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania në gjysmëfinale, thyhet Portugalia e Skolarit

  Skuadra e parë gjysmëfinaliste është Gjermania, që edhe pse nuk kishte bindur në ndeshjet në grup, ka eleminuar Portugalinë, një nga favoritet kryesore për të qenë në finale. Gjermanët, të cilët nuk kishin në stol trajnerin e pezulluar, Hoakim Lëv, kanë fituar 3-2. Ata kanë zhvilluar një pjesë të parë të mirë dhe, duke përfituar edhe nga gabimet e portugezëve në mbrojtje, kanë shënuar 2 gola. Podolski, në minutën e 22-të, depërtoi bukur nga e majta dhe pasoi saktë në zonë për Zhvajnstajgerin, që nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Pas 4 minutash, Gjermania ka dyfishuar rezultatin, duke shfrytëzuar në mënyrën më të mirë një goditje dënimi. Klose ka shënuar golin e dytë për gjermanët dhe të parin personal në këtë kampionat. Reagimi i Portugalisë ka qenë i mirë dhe kapiteni Nuno Gomesh e ka shkurtuar diferencën e golave 5 minuta para se të mbyllej pjesa e parë.

Pjesa e dytë ka nisur me portugezët në sulm, por goli i shënuar nga kapitenit Balak, sërish nga një goditje standarde, ka rikthyer qetësinë te gjermanët. Duhet thënë se Balak, i cili i ka shpëtuar mbulimit të Paulo Ferreirës, ka përfituar edhe nga një dalje e gabuar e portierit Rikardo. Trajneri Skolari, i cili e kishte thënë edhe para ndeshjes e u druhej goditjeve standarde, ka bërë 3 zëvendësimet, të parin të detyruar në pjesën e parë, pas dëmtimit të Moutinjos. Ai hodhi në fushë Meirelesin, Nanin dhe Postigën, duke fuqizuar sulmin. I fundit ka rindezur shpresat e portugezëve, kur shënoi golin e dytë në minutën e 87-të, por minutat e mbetura nuk sollën ndonjë rast të favorshëm për barazimin. Gjermania ka luajtur shumë më mirë se në ndeshjet në grup dhe, në një farë mënyre, u ka dhënë një paralajmërim rivalëve se mbetet një pretendente serioze. Kundërshtari i Gjermanisë në gjysmëfinale do të mësohet pas ndeshjes së sotme mes Koracisë dhe Turqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›