Sarkozy: Pa Traktatin e Lisbonës, nuk ka zgjerim
Presidenti francez, Nicholas Sarkozy ka deklaruar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të pezullohet deri në zgjidhjen e çështjes së reformave institucionale të bllokut. "Pa Traktatin e Lisbonës nuk do të ketë zgjerim," tha ai, duke shtuar se “Nuk mund t'i thuhet jo reformimit dhe 'po' zgjerimit".
Në Bruksel këtë deklaratë e kanë cilësuar si kërcënim. Një diplomat, sipas BBC-së mësohet ta ketë quajtur këtë, një sinjal të gabuar që u dërgohej irlandezëve, por dhe kroatëve e turqve.
Dallime të thella
Deklarata e Sarkozy u bë në ditën e parë të punimeve të samitit të BE-së ku dolën në pah dallime të thella për mënyrën se si duhet reaguar ndaj kundërshtimit të Traktatit të Lizbonës në Irlandë.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian rifillojnë punimet e samitit në Bruksel pas pak, ende të pavendosur për këtë.
Gjatë bisedimeve të zhvilluara deri natën vonë, Republika Çeke vazhdoi t'u rezistonte thirrjeve për ratifikimin e Traktatit në të tetë vendet ku nuk është votuar ende.
Çekia është vendi i radhës ku do të votohet në parlament për ratifikimin e dokumentit.
Traktati parashikon një bllok të reformuar, me një proces me efektiv vendimmarrës dhe me një zë më të fuqishëm në politikën e jashtme. Ai duhet ratifikuar nga të 27 vendet anëtare që të hyjë në fuqi.
Britania e Madhe e ratifikoi atë në parlament para disa ditësh, por para saj, Irlanda e hodhi poshtë me referendum.
Dyshimet çeke
Udhëhqësit e BE-së duket se do të bien dakord për një deklaratë të përbashkët, në të cilën vetëm sa do të nxiten diskutimet për çfarë do të bëhet me Traktatin e Lisbonës deri në samitin e rradhës në tetor. Ndërkohë, në Republikën Çeke do të votohet shumë shpejt për Traktatin.
Në BE ka shqetësime për dhe për synimet e qeverisë çeke.
I pyetur nëse vendi i tij synonte që ta ratifonte Traktatin, kryeministri çek tha se nuk d'i vinte frenat ratifikimit, por shtoi se nuk do të vinte bast se parlamenti do të votonte pro.
Sinjale 'inkurajuese'
Udhëheqësit e BE-së megjithatë, pritet t'i japin sinjale inkurajuese vendeve aspirante të Ballkanit.
Një projekt-deklaratë e parë nga BBC-ja thotë se udhëheqësit e BE-së do t'i kërkojnë Shqipërisë të mbajë zgjedhje të lira vitin e ardhshëm dhe që "të japë prova bindëse për zbatimin e suksesshëm" të marrëveshjes së asociimit me BE-në.
BE-ja do të mirëpresë angazhimet e marra nga autoritetet e Kosovës lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, decentralizimin dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore si dhe për rolin e ardhshëm të pranisë ndërkombëtare.