Dhjetëra biznesmenë në prokurori

“Në këtë botë s’ka asgjë të sigurt, përveç vdekjes dhe taksave”. Kjo shprehje e thënë rreth katër shekuj më parë nga ai që quhet themeluesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Beniamin Franklin, edhe sot vazhdon të ketë një kuptim tepër aktual jo vetëm në SHBA, por edhe në shumë vende të botës, përjashto Shqipërinë, ku një pjesë e mirë e njerëzve ende nuk janë ndërgjegjësuar se taksave nuk mund t’u shpëtosh asnjëherë. Të dhënat tregojnë se një pjesë e mirë e bizneseve, kryesisht ata me aktivitet të vogël, nuk paguajnë detyrimet e tatimore, çka ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave të ngrejë padi penale në prokurori për këto persona. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës konfirmojnë faktin se në këtë institucion përgjatë 8 muajve të parë të këtij viti kanë mbërritur me dhjetëra denoncime nga Drejtoria e Tatim-Taksave, ku personat e paditur janë kryesisht biznesmenë, të cilët nuk kanë shlyer detyrimet. Këto denoncime, sipas prokurorisë, janë marrë në konsideratë dhe premtohet se do t’i shkohet deri në fund çdo çështjeje, pasi kohët e fundit mospagimi i taksave është kthyer në një fenomen tepër shqetësues. Dhe në fakt, puna e prokurorisë në këtë drejtim pasqyrohet edhe në çështjet e çuara në Gjykatën e Tiranës, ku aktualisht janë në proces gjyqësor të paktën 10 biznesmenë, të cilët janë kallëzuar nga Drejtoria e Tatim-Takave për shmangie nga detyrimet financiare.
Proceset në gjykatë
Sipas të dhënave zyrtare nga Gjykata e Tiranës, rezulton se të paktën pesë biznesmenë janë në proces gjyqësor për akuzën e “mospagimit të taksave dhe tatimeve”. Ndërsa gjykata ka përfunduar procesin gjyqësor dhe ka shpallur fajtorë për të njëjtën akuzë të paktën katër administratorë firmash, të cilët janë dënuar me gjobë, shuma e së cilës varion nga 120 mijë lekë deri në 400 mijë lekë. Por në fakt, të katërt personat e dënuar për mospagim taksash kanë arritur të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, duke ulur një të tretën e masës së dënimit. Në shumicën e rasteve vihet re se të dënuarit nuk marrin mundimin të bëjnë ankimim në shkallët e tjera të gjyqësorit, pasi masa e tyre e dënimit është tepër e ulët, çka i bënë ata të jenë të kënaqur nga ky vendim, në një kohë që vlera reale e shumës që duhet të shlyenin e kalon disa herë masën e gjobës së dhënë nga gjykata.
Arkëtimet
Por pavarësisht faktit se në të gjithë proceset gjyqësore fitues ka dalë organi i akuzës, një fenomen shqetësues që vërehet në këtë çështje është mungesa e arkëtimeve. Nga katër proceset e përfunduara, biznesmenët e dënuar duhet të paguajnë në formën e gjobës shumën prej 800 e 40 mijë lekësh, ndërsa detyrimet e tyre në Drejtorinë e Tatim-Taksave janë qindra herë më të larta. Sipas juristëve, e vetmja mundësi që biznesmenët debitorë të shlyejnë shumën e parave që i detyrohen Drejtorisë së Tatim-Taksave, është hapja e një procesi civil, me objekt dëmshpërblimin, pasi gjatë procesit penal, të paditurit nuk mund të detyrohen nga gjykata të shlyejnë borxhet.
Prokuroria
Burime zyrtare thanë për “Korrierin”, se kryesisht muajt e fundit Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave ka depozituar me dhjetëra kallëzime penale, të cilat kanë si objekt mospagimin e taksave nga persona fizikë dhe biznese private. Mësohet se këto kallëzime janë shpërndarë në njësinë e përbashkët hetimore, “Task Forcë”, dhe në Seksionin Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, ku hetuesit dhe prokurorët po verifikojnë një për një të gjithë rastet. Burimet sqaruan se hetimi i kallëzimeve për personat që iu shmangen pagimit të taksave është një proces që kërkon kohë, pasi në këtë çështje ndërthuren një sërë institucionesh ku duhet marrë informacion, i cili i kërkuar në rrugë zyrtare, kërkon disa procedura që sjellin pengesa në hetim. I konsideruar si një fenomen tepër shqetësuese, mospagimi i taksave është një nga çështjet prioritare të hetuesve, të cilët konfirmojnë se po bëhen të gjitha përpjekjet për t’i shkuar çdo kallëzimi deri në fund.
Delijorgji nuk pagoi tatimet
Një nga biznesmenët që iu është shmangur detyrimeve tatimore është edhe Mihal Delijorgji. Administratori i kompanisë “Albademil”, e cila kryente demontimin e predhave në Gërdec, ka deklaruar në organet tatimore vetëm punonjësit kryesorë, duke mbajtur në të zezë me dhjetëra punëtorë, të cilët për një pagë minimale vunë jetën në rrezik. Zyrtarisht, Dega e Tatim-Taksave Tiranë ka deklaruar se kompania “Albademil” kishte të punësuar vetëm katër persona, ndërkohë që është vërtetuar se në ish-Repartin e Tankeve në Gërdec punonin mbi 100 persona.
Neni 181 i Kodit Penal
Mospagimi i taksave dhe i tatimeve
Mospagimi i taksave dhe i tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.