Ka dorë Amerika

Uashingtoni e prodhoi vetë luftën gjeorgjiane, në përpjekje për t’i dhënë njërit prej kandidatëve presidencialë përparësinë në zgjedhjet e nëntorit. Ishte kjo akuza që lëshoi dje kryeministri rus Vladimir Putin kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, dikush në SHBA krijoi posaçërisht këtë konflikt në Kaukaz. Akuzat e tij vijnë një kohë kur tensioni mbetet i lartë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë një interviste për CNN, Putin i mëshoi faktit se shtetasit amerikanë ndodheshin në zonën e konfliktit kur shpërthyen luftimet në Gjeorgji. “Ata duhet ta pranojnë se vepruan kështu, duke ndjekur urdhra direkt nga liderët e tyre. Pala amerikane ka armatosur dhe trajnuar ushtrinë gjeorgjiane”, - pohoi ai. Putin vazhdoi duke spekuluar për arsyet prapa asaj që ai e quajti roli amerikan në nxitjen e konfliktit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Sipas tij, kjo gjë u bë për t’i dhënë përparësi njërit prej kandidatëve në zgjedhjet presidenciale të 4 nëntorit, ku do të përballen demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon MekKein. “Nëse unë kam të drejtë, atëherë ngrihet dyshimi se dikush në SHBA e krijoi posaçërisht këtë konflikt për të përkeqësuar situatën dhe për të krijuar një avantazh në garën për president të SHBA-ve”, - tha kryeministri rus. Por menjëherë erdhi reagimi i Uashingtonit, i cili denoncoi deklaratën e Putin, duke e quajtur false dhe patetike. “Rusia duhet të ndalojë së akuzuari të tjerët për agresionin që kreu kundër fqinjit të vet”, - tha Robert Wood, zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit. Akuzat e kreut të qeverisë ruse erdhën në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së bashkëpunimit bërthamor me Rusinë, në shenjë proteste ndaj veprimeve të saj në Gjeorgji. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, tha se administrata e presidentit Bush po diskuton ndërprerjen e punës dhe bashkëpunimit bërthamor civil me Rusinë, pas rolit të Moskës në konfliktin gjakderdhës dhe njohjes së dy rajoneve separatiste. Situata e krijuar ka bërë që zëvendëspresidenti amerikan, Dik Çeni, të planifikojë një vizitë për javën e ardhshme në Gjeorgji, si dhe disa vende të tjera të rajonit. Por ndryshe nga Uashingtoni, Bashkimi Evropian duket se ka vendosur të zbusë qëndrimin ndaj Rusisë. BE nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por do të mbikëqyrë me kujdes marrëdhëniet bilaterale. Kështu deklaroi një burim brenda presidencës franceze për BBC-në, në lidhje me takimin e së hënës në Bruksel, ku krerët e shteteve anëtare të bllokut do të diskutojnë për krizën në Gjeorgji. E ndërkohë, Tbilisi zyrtar ka kërkuar një hetim ndërkombëtar mbi luftën. Autoritetet gjeorgjiane kërkojnë të hetohen ngjarjet në origjinë të konfliktit me Rusinë dhe akuzat për dhunim të të drejtave të njeriut. “Është momenti që të përcaktojmë se cila është e vërteta mbi krimet e kryera para dhe pas pushtimit të Rusisë”, - thuhej në një deklaratë të ministrit të Jashtëm gjeorgjian, i cili kërkoi dje krijimin e një komisioni të pavarur hetimor.