Enki Shabani me penë në dorë!

Gjithë famën e fituar e ka vënë në dispozicion të pasionit që asnjëherë nuk i ka munguar. Pas pjesëmarrjes në një “reality shoë” shqiptar, Enki Shabani “ka ndezur motorët” e suksesit. Së shpejti po përgatitet për të sjellë një videoklip të ri, ndërsa është në përfundim të një vëllimi të plotë me poezi. Pakkush e ka menduar Enkin me penë në dorë! Fletë të tëra të mbushura me copëza nga jeta reale e vajzës simpatike do të përmblidhen në një libër të plotë me poezi, që do të shohë së shpejti dritën e botimit. Kjo periudhë është një nga më dinamiket që ajo po kalon, sepse nuk është vetëm muzika angazhimi kryesor i ditëve të saj. Sfida e radhës është më e rëndësishme se kaq: një libër që ajo ende nuk e di sesi do të pritet nga lexuesi shqiptar. Me siguri të parët që do e blejnë janë fansat e shumtë që ajo ka fituar gjatë kohës që ishte pjesë e “reality shoë”-t, por edhe ata që pëlqejnë muzikën e saj. “Është e vërtetë që pakkush e di faktin që unë shkruaj, dhe e shtyrë nga frymëzimi im, kam vendosur të shkruaj një libër me poezi, të cilin e kam në përfundim. Është një sfidë aspak e lehtë për mua, por kam bindjen se do t’ia dal mbanë me sukses, sepse kam pasionin që më shtyn të bëj gjëra të bukura”, është shprehur Enki. Ajo çka e bën edhe më të veçantë këtë eksperiencë, është ideja për të sjellë në duart e lexuesve copëza nga jeta reale, ku nuk do të mungojë as ajo sentimentale. Në faqet e librit të saj nuk do të ketë asnjë grimë të trilluar, pasi Enki ka marrë përsipër që të zbulojë detaje interesante nga çdo histori e jetuar që ka lënë gjurmë në jetën e saj. “Duke lexuar këtë vëllim me poezi, shumë fansa të mi do të ndeshen me një pjesë tjetër të panjohur dhe të pazbuluar më parë nga unë. Besoj se kjo është një gjetje speciale nga ana ime, që e bën edhe më të veçantë këtë krijim. Jam shumë optimiste për ecurinë e tij në tregun shqiptar, pasi njerëzit që kanë mundur ta lexojnë vëllimin të redaktuar deri më tani, më kanë dhënë të gjithë vlerësime pozitive”, vijon ajo. Por në jetën e studentes së psikologjisë, pjesa tjetër e rëndësishme që është e ngërthyer po nga pasioni, është padyshim muzika. Pas videoklipit të saj të parë “Nuk je vetëm ti”, ofertat për të kënduar kanë qenë vërtet shumë. Ndërsa tani, Enki po përgatitet për të sjellë edhe një këngë të dytë, në një stil krejt të ri. Nuk ka ritëm, nuk ka R&B, po kjo është një tjetër dëshirë e Enkit për të prezantuar risi tek publiku dhe tek fansat e saj. Që me herën e parë duket se ajo ka goditur në shenjë, sepse vetëm hiti i parë ka bërë që shumë pronarë lokalesh e klubesh ta ftojnë atë për të kënduar. “Kënga ime e dytë tashmë ka përfunduar, por këtë herë do të punoj më gjatë për realizimin e klipit. Besoj se ai do të dalë pas pak kohësh, pasi unë dua që të investoj shumë në anën artistike. Edhe imazhi e performanca ime nuk do të jenë më ato të mëparshmet, sepse unë dua të sjell çdo herë diçka të re tek fansat e mi”, pohon Enki Shabani. Gjatë sezonit të verës, ajo ka qenë e ftuar në disa klube, ku ka dhuruar një atmosferë të jashtëzakonshme tek të pranishmit. Duke u marrë me aktivitetet artistike, ajo ka lënë pas dore pushimet. Por së bashku me shoqet e saj, Enki ka planifikuar pushime jashtë shtetit. Ndoshta do të habiteni kur të dëgjoni se një vajzë e njohur dhe simpatike si ajo, nuk ka një mashkull në jetën e saj. Me gjithë thashethemet e shumta që qarkullojnë rreth saj, Enki është e kënaqur me atë që e rrethon. Jo më pak e lumtur ndjehet kur mendon vëllimin e saj të parë me poezi, që do të jetë së shpejti në duart e lexuesve shqiptarë, e kjo për këngëtaren e re është një sfidë e fituar që në fillimet e saj.