E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramazan Ndreu jep dorëheqjen nga Kastrioti

Pas humbjes së turpshme 4-0 me Tiranën në “Selman Stërmasi” (java 15), Ramazan Ndreu dha dorëheqjen si trajner i Kastriotit, duke mbetur vetëm në detyrën e sekretarit të klubit krutan.

“Do të largohem. Nuk mund të vazhdoj më kështu”, - ishte fraza e thatë e ish-trajnerit që e drejtoi për 15 javë Kastriotin.

Ndreu - i cili edhe sezonin e kaluar e dha disa herë dorëheqjen, e më pas e ktheu po aq herë -  grumbulloi në 15 javët e tij 17 pikë, duke koleksionuar 4 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje.

Kastrioti bëhet kështu ekipi i gjashtë i Superligës që hyn në valsin e shkarkimit apo vetëlargimit të trajnerëve, pas atyre të Shkumbinit (ku deri tani kanë drejtuar 3 trajnerë: Mirel Josa, Agim Canaj dhe aktualisht Përparim Daiu); Besës (3; Shpëtim Duro, Përparim Daiu dhe Gerti Haxhiu); Bylisit (2: Ilir Spahiu dhe Nikola Ilievski); Tiranës (2, Sulejman Starova dhe Nevil Dede); Vllaznisë (Mojash Radonjiçit dhe Mirel Josës).

Në largim e sipër – pritet vetëm zyrtarizimi – është dhe trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, i cili do të drejtojë blutë në dy ndeshjet e fundit, ato kundër Shkumbinit dhe Vllaznisë, për të mos u kthyer më në Shqipëri.

VALSI I BANKINAVE

Në sezonin aktual, valsi i famshëm i lëvizjes së bankinave nisi me shkarkimin e Mirel Josës nga Shkumbini në javën e 2-të (u zëvendësua nga Agim Canajt), për t’u pasuar me Ilir Spahiun e Bylisit (u zëvendësua nga Nikola Ilievski).

Shpëtim Duro u largua nga Besa në javën e 4-t (i pasuar nga Përparim Daiu), ndërsa Sulejman Starova u shkarkua në javën e 6-të (i zëvendësuar nga Nevil Dede).

Shkarkimit nuk i shpëtoi dhe një trajneri i huaj, malaziasi Mojash Radonjiç i Vllaznisë u zëvendësua nga Mirel Josa, ky i fundit e nisi sezonin te Shkumbini.

Seriali i shkarkimit të trajnerëve vazhdoi me Përparim Daiun, i cili la vendin Gerti Haxhiut, njeriut që drejton Besën nga java e 11-të.

Përparim Daiu zëvendësoi në javën e 14-të te Shkumbini ish-trajnerin Agim Canaj, që dha dorëheqjen pas 11 javëve në drejtimin e skuadrës peqinase, vetëlargim i motivuar nga ikja e ish-presidentit Ylli Ndroqi.

Gjithsesi, dorëheqje publike ka dhënë dhe Stavri Nica i Laçit, por që nuk u pranua nga presidenti Pashk Laskaj.

Në fakt, për të drejtuar një ndeshje futbolli në bankinë janë ulur dhe Agim Meto i Bylisit (java e 4-t), kur zyrtarisht trajner i emëruar ishte maqedonasi Nikola Ilievski, por dhe Artan Mërgjyshi i Dinamos, i cili ka zëvendësuar për dy javë (9 dhe 10) në stolin blu argjentinasin e pezulluar, Luis Manuel Blanko.

Në bankinë së fundi u ul dhe ndihmëstrajneri i Tiranës, Alpin Gallo (java 15), ky u fundit zëvendësoi trajnerin Nevil Dede (të pezulluar për dy javë).

SUPERLIGA 2010-2011
LËVIZJET E TRAJNERËVE

Shkumbini: Mirel Josa (nga java 1-2), Agim Canaj (nga java 3-14). Përparim Daiu (nga java 15)

Bylisi: Ilir Spahiu (nga java 1-3), Agim Meto (java e 4-t), Nikola Ilievski (nga java 5-të).

Besa: Shpëtim Duro (nga java 1-4), Përparim Daiu (nga java 5-10), Gert Haxhiu (nga java e 11-të)

Tirana: Sulejman Starova (nga java 1-6), Nevil Dede (nga java e 7-të).

Vllaznia: Mojash Radonjiç (nga java 1-8), Mirel Josa (nga java e 9-të).

Kastrioti: Ramazan Ndreu (nga java 1-15)

BANKINAT AKTUALE

Dinamo      Luis Manuel Blanko (argjentinas)
Flamurtari  Gugash Magani
Skënderbeu  Shkëlqim Muça
Tirana      Nevil Dede
Shkumbini   Përparim Daiu
Vllaznia    Mirel Josa
Teuta       Edi Martini 
Laçi        Stavri Nica
Besa        Gert Haxhiu
Kastrioti   ..........
Bylis       Nikola Ilievski (maqedonas)
Elbasani    Krenar Alimehmeti

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Premte, 17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›