Dhoma Ekonomike Amerikane diskuton me ministrin Maqedonci zhvillimin e industrisë së mbrojtjes

PRISHTINË, 7 tetor /ATSH/ Kosova po bën hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, ndërsa bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet sektorit publik dhe privat, me përkrahjen e partnerëve strategjikë, i bën këta hapa më të qëndrueshëm. Kjo u tha gjatë një takimi ndërmjet anëtarëve të Dhomës Ekonomike Amerikane me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Duke ndarë vizionin e tij për zhvillimin e aftësive industriale në fushën e mbrojtjes, ministri Maqedonci foli për aktivitetet e ndërmarra për hartimin e legjislacionit për industrinë e mbrojtjes. Ai falënderoi Dhomën Ekonomike Amerikane për partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes përgjatë dy viteve të fundit, përfshirë edhe organizimin e garës së parë për drona “Sharkathon”, të mbajtur vitin e kaluar. Ai foli edhe për disa ndërmarrje të reja të krijuara, të cilat po sjellin produktet e para të prodhuara në Kosovë, si dëshmi e përpjekjeve të viteve të fundit, por edhe potencialit për inovacion teknologjik në këtë fushë, thuhet në komunikatë.
Ministri Maqedonci foli edhe për rëndësinë e përpjekjeve të strukturuara me institucione të tjera, si Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore, për zhvillimin e personelit të kualifikuar, të punës, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.
/KosovaPress/