E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra ka zbatuar 51% të rekomandimeve të KLSH-së, 14 masa disiplinore në Tirana Rurale 1 dhe Durrës

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ 51% e rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) janë zbatuar plotësisht nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) në pesë drejtoritë vendore të përfshira në auditimet e përputhshmërisë, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në proces ose është zbatuar pjesërisht.

Të dhënat u paraqitën sot në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik, gjatë vijimit të seancës dëgjimore me ASHK-në për plotësimin e informacionit mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga KLSH-ja në drejtoritë Tirana Rurale 1, Tirana Rurale 2, Durrës, Fier dhe Pogradec.

Drejtoresha e Auditit të Brendshëm në ASHK, Erisela Çikopana tha se në total janë lënë 57 rekomandime, nga të cilat 29 janë zbatuar plotësisht.

“Nga 57 rekomandime të kërkuara, 29 rekomandime, ose 51%, janë zbatuar plotësisht. 1% është në proces zbatimi, ndërsa 37% janë zbatuar pjesërisht”, deklaroi Çikopana.

Sipas saj, për 11 rekomandime nuk ka qenë e mundur zbatimi, për shkak të pamundësisë së ekzekutimit, ndërsa për këto raste, sipas ASHK-së, janë argumentuar arsyet objektive.

Duke iu referuar secilës drejtori, Çikopana bëri të ditur se në Durrës janë kërkuar 5 rekomandime, nga të cilat 4, ose 80%, janë zbatuar plotësisht, ndërsa një është plotësuar pjesërisht.

“Në Fier janë kërkuar 11 rekomandime, nga të cilat 6 rekomandime janë plotësuar, ose 54%, ndërsa një rekomandim është në proces zbatimi”, tha ajo.

Për Pogradecin, sipas Çikopanës, janë kërkuar 7 rekomandime dhe ato janë plotësuar në masën 100%.

Ndërsa në Tirana Rurale 1 janë kërkuar 7 rekomandime dhe të gjitha janë plotësuar, në Tirana Rurale 2 janë kërkuar 27 rekomandime, nga të cilat 14 janë plotësuar plotësisht.

“Niveli i zbatimit të rekomandimeve është i ndryshëm, në varësi të problematikave që paraqesin”, theksoi Çikopana.

Në seancën dëgjimore u raportua edhe për masat e marra në rastet kur janë konstatuar shkelje lidhur me moszbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.

“Në rastet e shkeljeve të konstatuara për moszbatimin e rekomandimeve kemi 14 masa disiplinore për specialistët në Tirana Rurale 1 dhe Durrës”, deklaroi Çikopana.

Ajo u ndal edhe te rekomandimet që lidhen me rishikimin e akteve administrative dhe vendimeve të mëparshme të kadastrës.

“Për porositë e lëna nga KLSH-ja ka filluar puna për zbatimin e tyre, por ka raste ku është parë e arsyeshme rishikimi administrativ i tyre dhe shfuqizimi i vendimeve të viteve 2019, 2020, madje edhe të vendimeve të vitit 2016”, tha Çikopana.

Sipas saj, një prej problematikave lidhet me kalimin e afateve ligjore, çka ndikon në mundësinë e ndërhyrjes mbi vendimet administrative.

“Në pjesën më të madhe kërkohet rishqyrtim i akteve administrative kur janë të pranishme kushtet ligjore. Në rastet kur afatet ligjore e kanë lejuar ndërhyrjen, kadastra ka vijuar me shqyrtimin e akteve për shfuqizimin e tyre dhe është në dijeni edhe KLSH-ja”, deklaroi drejtoresha e Auditit të Brendshëm në ASHK.

Ajo bëri të ditur se, sa i takon digjitalizimit të 600 referencave që kërkohet tek Tirana Rurale 2 dhe ngarkimi i tyre në sistemin elektronik rezulton i realizuar tashmë, por që nuk është realizuar nga drejtoria vendore por nga qendra e digjitalizimit të Kadastrës në vijim të procesit të digjitalizimit te të dhënave kadastrale të kartelave dhe harta.

Çikopana shpjegoi se kadastra prej kohësh ka një administrimi elektronik të të dhënave dhe nuk bëhen korigjime manuale të kartelave ër pasuritë e paluajshme.

Pesë drejtoritë vendore – Tirana Rurale 1, Tirana Rurale 2, Durrës, Fier dhe Pogradec – kanë qenë objekt i shqyrtimit nga Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik, mbi bazën e raporteve dhe rekomandimeve të KLSH-së.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›