E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhori Kule: Të hiqet Matura Shtetërore

Share

Matura Shtetërore ka dështuar plotësisht ndaj nevojiten modele si ato të universiteteve evropiane. Ky është qëndrimi i shkollave të larta publike, veçanërisht pas skandalit të daljes së tezes së provimeve me zgjedhje. Kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke përjashtuar rikthimin e konkurseve, i kërkon Ministrit të Arsimit aplikimin e modeleve të reja për pranimet në universitete. Sipas Kules provimet e Maturës duhet të jenë si vite më parë, kusht për të marrë shkollën e mesme, raporton Vizion Plus.

Ndërsa për pranimet në universitet kriteret duhet ti vendosin shkollat e larta. Ministria e Arsimit pranon se pika e dobët e Maturës është administrimi i provimit. Duke e cilësuar skandalin një rast të veçuar, drejtues të ministrisë, shprehen se nuk do të ketë përsëritje të provimit, ndërsa administratoret do të mbajnë përgjegjësi për abuzimet. Pas dy provimeve të maturës ku rezultatet e tyre u deklaruan si me të lartat e viteve të fundit, i treti ai i lëndëve me zgjedhje u përfshi nga skandali.

Nxënës të shkollave të ndryshme të vendit përveçse kanë hyrë në provim me telefon, patën gjithë mundësinë për nxjerrë tezën në rrjetet sociale duke kërkuar ndihmë për zgjidhje. Përveç 4 mësuesve të arrestuar për abuzim gjatë provimit, ministria nuk ka asnjë maturant të identifikuar për shkelje. Çka do të thotë që edhe skandali i kësaj mature do të mbyllet pas korrigjimit të provimeve me zgjedhje me disa nota negative me tepër ose teste të dyshuara për kopjim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›