E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna e fjalës

Nëse është e vërtetë që dhuna është proza e re e këtij shekulli, unë njoh vetëm një antikorp kundër  dredhive dhe  mallkimeve të saj: armët e lashta që Mjeshtrit fisnikë qëndisën në libra prej guri e që e quajtën Ligj, Fjalë. Dhuna si epi-fenomenet qe ka arterie e saj kudo në shoqëri. Këto fjalë që fluturojnë në horizontin publik përbëjnë atë që quajmë  diskurs publik. Diskursi publik siç çdo gjë tjetër është një vend apo send që përdoret për betejë politike. Nuk është vetëm refleksi kaleidoskopik i betejave politike, është shumë më i madh sesa teatri i investimeve që shtyn etjen për pak pushtet. Dhe ja ku vijmë në thelbin e këtij shkrimi që do të flasim për partizanshmërinë e vështrimeve (kuptohet, 55-sa është brenda: nomen omen) që intelektualët apo profesionistët e kalemit bëjnë mbi politikën, shoqërinë apo thjesht realitetin e shumë problemeve që karakterizon ditën e përditshme. Sot do të flasim për politikën dhe shërbyesit e saj.
Si fillim pra e nisim duke thëne se nuk është e vërtetë që të gjithë hyjnë në një lloj specie, ka shumë poligrafi, të cilët klithin disa me zë të trashë, disa të hollë, disa akute e mpikse në xhunglën e medieve shqiptare. E siç dihet defekti jonë është se jemi njerëz të jashtëzakonshëm, ka pak rëndësi se në të mirë apo në të keq, rendësi ka që jemi  specialë. Madje në disa punë jemi tejetej. Jemi më anti-konformistë se konformisti që thotë se jam anti-konformist.
Mirëpo. Të kuptohemi, nuk është një meritë, përkundrazi. Populli thotë se fjala është më e rëndë se plumbi. Në njëfarë mënyrë ka të drejtë. Sepse plumbat mbarojnë me kohën dhe ajo që mbetet është fjala e shkruar. E shkreta jetime. E kur e shkruan për shembull një M. Nano e company, mbi mundësinë e fitimit të zgjedhjeve nga PD-ja - siç tha, tregoi sondazhi i blerë i Zogbyt - gati se pusia nuk u zbulua nga delli që ka për fjalë plumb ndaj kryeministri Berisha, del në kolonën e tij kariatide e vjell çdo qumësht edukate që ka në palcë. Gati sa s’i bëjnë një mallkim Vudu kryeministrit Berisha me shkrimet e tyre, duke i qepur çdo lloj tragjikomedie, e duke harruar atë që i telefonon Delijorgjit duke i arnuar impulsivitetin e duke i thënë mos u mërzit. Qartësoj. Biseda e interceptuar nga Prokuroria e krimeve të rënda: Rama-Deliorgji. Ja, shkurt “Rama: Hajt, se do ja fusim qeverisë... Se unë jam me ty deri në fund. Mos u mërzit. Do e shpërndajmë lojën. Do bëjmë ca shpikje”.
Kryetari i opozitës do të bëjë ca shpikje, por ai nuk është shkencëtar që të bëjë shpikje: është vetëm një piktor bohem i dështuar në atelietë e Parisit; por mos dëshpëroni shkencëtarin e fjalës, ai e ka gjetur. Ai është M. Baze, ose in-koherenti, dora vetë. Duke u nisur që nga Gërdeci e kaluar andej nga Armo, e përfunduar në Polin e Lirisë, ai po na tregon sesa pushteti rrënon atë që s’e ka, e të bën të shkojë goja lëng dhe dora bang-bang në redaksi. Si fillestar i një rebelim të brendshëm ndaj PD-së, me taktikat e tij separatiste ai sondoi sesa ishte e mundur të shtinte në dorë mekanizmat e shantazhit mediatik. I doli huq. Jo se disa administratorë të pushtetit të PD-së ishin prej diamanti fin, përkundrazi, por se është një njeri që nuk ka takt largpamës. Dhe kjo e bën të rrezikshëm sepse mund të kanalizohen në një hakmarrës të papërmbajtshëm. Prova e asaj që po them është ana-tema e tij e përditshme. Është ndoshta nga të  vetmit njerëz që nuk i vjen turp të thotë atë që e turpëron duke e menduar. Madje, të luan terezia e kokës nga ky flijim i arsyes.

Pra shkurt simbas kësaj logjike që na serviret përditë në shtyp, një njeri duhet të jetë pak i çmendur në qoftë se nuk do të jetë injorant. Një qasje e tillë nuk është një kërkim i të së vërtetës. Kjo që po ndodh në diskursin publik është një kërkim sistematik të një teorie që të konfirmojë atë që hamendëson mendja. Edhe pse ai e di mirë se njerëzit janë të shtyrë të besojmë më shumë atë që më pak kuptojnë.
E vërteta e një fraze të shkruar nuk qëndron në heshtjen e kuptimit të saj, as në fjalën memece që komenti artikulon, por qëndron në pozicionin dhe strategjinë që ka lokutori i saj. Dhe e vetmja pyetje që mund t’i behet nuk është çfarë thotë, por kush e thotë dhe përse e shkruan. Orgjia e opozitës terike që gjuan me Top balte qeverisë për të treguar sesi i vihet kazma të një demokracie të qerpiçët si kjo e jona na bën të mendojmë se kemi marrë ashensorin drejt e teposhtë për në video-kraci. Tani po ndaloj, sesi i thonë kësaj punë: pak e terjak dhe jo shumë e për lumë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›