Benedikti XVI: “Jeruzalemi të jetë qytet i paqes e jo i diskriminimit”.
Dita e djeshme e vizitës së Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte u karakterizua nga një sërë takimesh e aktivitetesh të rëndësishme për të krishterët e pranishëm në ato troje dhe për dialogun me myslimanët e hebrenjtë. Ati i Shenjtë ndodhej në Jeruzalem, nga ku nesër e pasnesër do të shkojë në Betlehem e Nazaret. Padyshim, mesha e pasdites në Luginën e Jozafatit, në praninë e mëse 6 mijë vetëve, ishte ajo, në të cilën më mirë se kudo tjetër, Benedikti XVI iu referua rolit historik e shpirtëror të Jeruzalemit, “Qytetit të paqes”, siç e quajti edhe në lutjen e vendosur në Murin e Lotëve. Papa foli me pasion për vokacionin e Jeruzalemit, në një skenar të pashembullt, në këmbët e malit të Ullinjve, ku Krishti u lut e vuajti, ku derdhi lot për këtë qytet nga dëshira që ai të njohë “rrugën e paqes”. E vërtet Lugina e Jozafatit ndodhet para Bazilikës së Gjetsemanit e Kopshtit të Ullinjve. Benedikti XVI kujtoi se profecia e lashtë kërkon që në Jeruzalemin qiellor, Zoti të fshijë lotët nga çdo sy e të përgatisë një banket shëlbimi për të gjithë popujt. Por sa larg është realiteti i sotëm nga ky premtim i Hyjit: “Në këtë Qytet të Shenjtë, ku jeta ka mundur vdekjen, ku Shpirti i Hyjit është ndikuar si fryt i parë i krijimit të ri, shpresa vazhdon të luftojë me dëshpërimin, me zhgënjimin e me cinizmin, ndërsa paqja, që është dhuratë e thirrje e Zotit, vazhdon të kërcënohet nga egoizmi, nga konflikti, nga ndarja e nga pesha e fyerjeve të kaluara”.
Jo vetëm bashkësia e krishterë, por edhe ajo myslimane dhe ajo hebre, që shohin te Jeruzalemi pikën më të rëndësishme të referimit për fenë e tyre, atdheun e tyre shpirtëror, duhet të bëjnë ç’është e mundur për ta kthyer këtë qytet, në vend paqeje për të gjithë popujt, ku të gjithë të mund të shtegtojnë për të kërkuar Zotin, për t’ia dëgjuar zërin, “një zë që flet për paqe”, tha Papa: “Ata që besojnë në Zotin e mëshirës - qofshin hebrenj, kristianë apo myslimanë - duhet të jenë të parët që e nxisin kulturën e pajtimit e të paqes, sado i ngadalshëm të jetë procesi e sado e madhe, pesha e kujtimeve të kaluara”. Nëse Jeruzalemi dëshiron ta jetojë vokacionin e vet universal, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet të bëhet një vend ku t’u mësohet njerëzve respekti për të tjerët, dialogu dhe mirëkuptimi; një vend ku paragjykimi, injoranca, frika të kapërcehen nga ndershmëria, integriteti dhe kërkimi i paqes.
Ashtu siç bëri gjatë paradites, edhe në Meshën në Luginën e Jozafatit, Papa iu kthye fatit të të krishterëve në Lindjen e Mesme, shpesh të detyruar të emigrojnë për shkak të vështirësive, vuajtjes, konflikteve. U tha atyre se prania e tij në këto troje, në këtë udhëtim apostolik, tregon se bota e Kisha nuk i kanë harruar. U vuri në dukje se dëshmia e tyre është e çmuar para syve të Zotit, e pastaj shtoi: “Dëshiroj sot të përsëris atë që kam thënë edhe në raste të tjera: në Tokën Shenjte ka vend për të gjithë! Ndërsa u bëj thirrje autoriteteve të respektojnë e ta mbështesin praninë e krishterë këtu, dëshiroj t’ju siguroj solidaritetin, dashurinë dhe mbështetjen e krejt Kishës e të Selisë së Shenjtë”. Papa Ratzinger theksoi se pikërisht në këto vende të Tokës Shenjte, ashtu si apostujt, besimtarët kanë mundësinë të shohin e të besojnë, të prekin me dorë historinë e shëlbimit, të ripohojnë fenë e tyre para atij guri të rëndë, që ditën e Pashkëve lëvizi e la të lirë hyrjen e Varrit të Krishtit, nga ku kaloi Jezusi i Ringjallur. Mundësi këto që nuk i ka gjithkush. Prandaj Papa përfundoi me fjalët: “Lutja ime për ju sot është të vazhdoni, ditë për ditë, “të shihni e të besoni” në shenjat e Provanisë Hyjnore e të mëshirës pa fund të Zotit, “të dëgjoni” me fe e shpresë të përtërirë fjalët ngushëlluese të predikimit apostolik dhe “të prekni” burimet e hirit në sakramente e të mishëroni për të tjerët detyrën për t’ia filluar nga e para, lirinë që lind nga falja, dritën e brendshme, paqen që mund të sjellë shpërblim e shpresë edhe në realitetin më të errët njerëzor”.
Papa në Çenakull: Jetike për shoqërinë prania e të krishterëve në Tokën e Shenjtë/Veprimtaria e fundme e paradites së djeshme të Papës në Jeruzalem, ishte takimi me ipeshkvijtë e Tokës Shenjte dhe vizita në Konkatedralen latine. Pak më përpara, duke vizituar Çenakullin, foli kryesisht për ekumenizmin, në një mjedis thellësisht fetar, lidhur ngushtë me ngjarjen historike të Darkës së Mbrame të Zotit tonë, me Pjetrin e Apostujt e tjerë, që e fton mbarë Kishën në lutje kundruese. Këtë kujtoi Papa këtu, ku Jezusi, duke dhuruar korpin e gjakun e Tij, zbuloi thellësi të reja të besëlidhjes së Zotit me popullin e vet: Në Çenakull, misteri i hirit e i shëlbimit tonë, mund të shprehet vetëm me fjalë dashurie. Jeta jonë e krishterë nuk është thjeshtë përpjekje njerëzore për të jetuar si kërkon Ungjilli, duke e parë këtë si detyrë. Në Eukaristi ne hyjmë në zemrën e misterit hyjnor”. Kështu u shpreh Papa e në vijim reflektoi mbi rolin e bashkësive të krishtera në Tokën Shenjte, duke i inkurajuar barinjtë e besimtarët të jetojnë të bashkuar e të bëhen dëshmitarë e ndërtues të paqes në shoqëri: Kjo dashuri që shndërron – porositi Benedikti XVI - që është hir e vërtetësi, na nxit si individë e si bashkësi, t’i mposhtim tundimet për t’u mbyllur në vetvete, në egoizëm a në plogështi, në izolim, në paragjykim a në frikë, e t’ia dhurojmë bujarisht jetën Zotit e të tjerëve. Na nxit, si bashkësi të krishtera, t’i qëndrojmë besnike misionit tonë me çiltërsi e guxim”. Benedikti XVI i nxiti bashkësitë e krishtera t’i përballojnë, të bashkuara, vështirësitë që burojnë nga një shoqëri plot larmi: “Kishat e krishtera, që ndodhen këtu, përfaqësojnë një trashëgimi shpirtërore të pasur e të larmishme e janë shenjë e formave të shumta të ndërveprimit të Ungjillit me kulturat e ndryshme. Na kujtojnë edhe se misioni i Kishës është të predikojë dashurinë universale të Hyjit e t’i bashkojë nga larg e nga afër, të gjithë ata që thirren prej Tij, në mënyrë që, me traditat e talentet e tyre, të formojnë familjen e vetme të Hyjit”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë e në vijim kujtoi ndikimin e Koncilit II të Vatikanit në thellimin e dialogut ekumenik, me bindjen se vetëm të bashkuar, nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë, të krishterët mund ta realizojnë misionin e tyre në botë.
E duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të këtyre trojeve, Papa i nxiti të mos largohen nga Toka Shenjte e të bëhen ndërtues të harmonisë e të paqes: Të krishterët e Lindjes së Mesme, si qytetarë të ndershëm e të përgjegjshëm, së bashku me njerëz të tjerë vullnetmirë, pavarësisht nga vështirësitë e kufizimet, po japin ndihmesën e tyre në promovimin e në fuqizimin e paqes, në sa jetojnë në një mjedis plot larmi – tha Papa – dhe i siguroi ipeshkvijtë se nuk do t’u mungojë kurrë mbështetja në veprimtarinë për t’i ndihmuar vëllezërit e motrat e krishtera që të mbeten në trojet e të parëve e të jenë lajmëtarë e nismëtarë të paqes. E këtu Papa theksoi rëndësinë që kanë formimi kulturor, përgatitja profesionale e nisma të tjera shoqërore dhe ekonomike për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.
E Benedikti XVI nuk harroi t’u bënte thirrje të krishterëve të mbarë botës, për t’i ndihmuar me të gjitha forcat vëllezërit e tyre, që jetojnë në Tokën e Shenjte: Përsëris thirrjen time drejtuar vëllezërve e motrave të mbarë botës t’i ndihmojnë e t’i kujtojnë në lutje bashkësitë e krishtera të Tokës Shenjte e të Lindjes së Mesme - theksoi Ati i Shenjtë – duke falënderuar, në vijim, bashkësitë e kësaj Toke për rolin e rëndësishëm që luajnë në shërbim të Kishës universale përmes mikpritjes e udhëheqjes së shtegtarëve e vizitorëve, të cilët shkelin këtu, në kërkim të frymëzimit e të përtëritjes, në gjurmët e Krishtit.
Ati i Shenjtë Kryerabinëve: hebrenjtë e të krishterët, të bashkuar në mbrojtje të jetës, të familjes e të lirisë fetare/Veprimtaria e dytë e paradites së djeshme të Papës, ishte vizita në Murin e Lotëve dhe, sipas traditës, vuri një copë letre, ku ishte shkruar kjo lutje:
“O Zot i të gjitha kohërave,
gjatë vizitës sime në Jeruzalem, në “Qytetin e Paqes”,
banesë shpirtërore e hebrenjve, kristianëve e myslimanëve,
sjell para Teje gëzimet, shpresat dhe aspiratat,
sprovat, vuajtjet dhe dhimbjet e popullit Tënd në të gjithë botën.
Hyj i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit,
dëgjoje thirrjen e fatkeqëve, të tremburve, të dëshpëruarve;
çoje paqen Tënde mbi këtë Tokë Shenjte, mbi Lindjen e Mesme,
mbi krejt familjen njerëzore;
tundi zemrat e të gjithë atyre që thërrasin emrin Tënd
që të ecin me përvujtëri në rrugën e drejtësisë e të mëshirës.
“I mirë është Zoti për ata që shpresojnë në Të,
për shpirtin që e kërkon” (Vaj 3:25”.)
Më pas u takua me kryerabinët e Izraelit, në qendrën Heshal Shlomi. Benedikti XVI nënvizoi progresin në dialogun ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kryerabinatit: Hebrenjtë e të krishterët - pohoi - interesohen njëlloj për sigurimin e shenjtërisë së jetës njerëzore, për mbrojtjen e familjes, edukimin e vlefshëm të të rinjve, lirinë e fesë e të ndërgjegjes në shërbim të ndërtmit të një shoqërie të shëndoshë”. Këto tema të dialogut përfaqësojnë vetëm fazën fillestare të progresit, që shpresojmë”. Si foli edhe për qëndrimin e përbashkët kundër relativizmit moral, Papa nënvizoi: Sot kam mundsinë të përsëris se Kisha katolike impenjohet në mënyrë të prerë në rrugën e hapur nga Koncili II i Vatikanit për pajtim të vërtetë e të qëndrueshëm të të krishterëve me hebrenjtë”.
Benedikti XVI në Sheshin e Xhamive: arsyeja, liria e dashuria e çlirojnë njeriun nga urrejtja e hakmarrja/Paraditen e djeshme Papa e nisi me vizitën në Sheshin e Xhamive. Mesazhi i Benediktit XVI në këtë vend tejet shenjt për Islamin, mund të përmblidhet me këto fjalë: “Besnikëria ndaj Zotit të vetëm, Krijues, i Tejetlartë, i nxit njerëzit të pranojnë se lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me njëri-tjetrin, sepse të gjithë ia kanë borxh jetën të vetmit burim e shkojnë drejt të njëjtit fund. Prandaj adhuruesit e një Zoti të vetëm duhet të jenë njerëz që ecin vendosmërisht drejt bashkimit të mbarë familjes njerëzore”. E Benedikti XVI e nisi takimin e parë të sotëm me përshëndetjen aq të dashur për myslimanët: “As- Salàmu ‘alaikum!”. ‘Paqja qoftë me ju!”. Në vijim, nënvizoi: Kupola e Shkëmbit’ i nxit zemrat tona e mendjet tona të reflektojnë për misterin e krijimit e fenë e Abrahamit. Këtu udhët e tri feve monoteiste takohen, duke kujtuar gjithçka kanë të përbashkët. Secila e njeh Abrahamin si atë, si njeri feje, të cilit Zoti i dha një bekim të posaçëm, secila tërheq aradhe ithtarësh në rrjedhë shekujsh e frymëzon një trashëgimi të pasur shpirtërore, intelektuale e kulturore”. Në një botë plot me përçarje të dhimbshme, ky vend i shenjtë shërben si nxitje e sfidë për të gjithë njerëzit vullnetmirë, të cilët i fton t’i kapërcejnë keqkuptimet e konfliktet e së kaluarës e të ecin në rrugën e dialogut të sinqertë, për ndërtimin e një bote më të drejtë e më paqësore, trashëgim për breznitë e ardhshme. Pas incidentit që shkaktoi dje Shehu Taisir Atamimi gjatë vizitës së Papës në qendrën ‘Notre Dame’, Benedikti XVI – saktëson zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi - nuk iu përgjigj diskutimit të Shehut, sepse nuk ishte as i parashikuar e as i dëshiruar. Krerët fetarë – vijoi Atë Lombardi - e kanë për detyrë të promovojnë sjelljet etike e vlerat, t’i hapin udhën politikanëve e të tjerëve, për të ecur drejt paqes, ashtu si Papa, që po punon pikërisht për paqen. Sot paradite, gjatë vizitës në Kupolën e Shkëmbit, edhe Kryemyftiu bëri kërkesa të ngjashme me ato të Shehut, por në një mënyrë tjetër, jo agresive.