Dhuna ndaj Bazes, instutucionet duhet të alarmohen
Topi: Politika po ushtron presion mbi mediat
"Grupe politikanësh, parti politike, institucione të caktuara tentojnë të shtrijnë një influencë jo normale mbi mediat"
TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi, reagoi dje mbi dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze, mbi gjendjen aktuale të mediave dhe marrëdhënieve, që ato kanë me pushtetin politik.
Sipas kreut të shtetit, ngjarja e pak ditëve më parë, kur u dhunua gazetari Baze, është e papranueshme dhe se ky episod duhet të shqetësojë institucionet e shtetit për të reaguar mbi ngjarje të tilla.
"Ngjarja, do të thoja e papranueshme, e dhunimit të gazetarit, duhet patjetër të ngrejë në alarm institucionet e shtetit dhe kjo nuk mund të vijë në formën e orientimit nga Presidenti, por në një shtet demokratik të gjitha institucionet kanë përgjegjësi dhe detyrime specifike, për të vendosur jo vetëm standardet e shtetit ligjor, por për të garantuar klimën," - tha dje Topi.
Gjatë forumit të tretë për median në Evropën Juglindore, kreu i shtetit, duke iu referuar situatës së mediave në Shqipëri deklaroi, se grupe politikanësh dhe institucione të ndryshme po influencojnë mbi mediat, duke i detyruar ato nga misioni i tyre i vërtetë. Për këtë sipas Topit, nevojitet një reflektim i thellë.
"Grupe politikanësh, parti politike, institucione të caktuara tentojnë të shtrijnë një influencë jo normale mbi mediat. Janë një pjesë e politikës, pjesë e një eksperience me të mirat dhe me aspektet negative, por ky është momenti për një reflektim të thellë,"- tha ai.
Bamir Topi shtoi gjithashtu, se në mediat shqiptare po ndodh gjithnjë e më shumë një fenomen, ku mediat në mënyrën e transmetimit ngjajnë me partitë politike duke krijuar konfuzion tek opinioni publik.
"Ju e dini që edhe në tregun mediatik ka media që në mënyrë të qartë janë të profilizuara në një drejtim, janë kompakte, saqë është e vështirë ndonjëherë të gjesh nëse janë gazetarë, apo janë parti politike, pra një lloj "joint-venture", duke i shërbyer një linje dhe nuk i shërben publikut", - u shpreh kreu i shtetit.
Ai vijoi më tej, duke thënë, se media shkon përtej një biznesi të thjeshtë pasi ajo bart informimin dhe është pjesë e rëndësishme e demokracisë dhe se pa media të lira nuk mund të ketë demokraci.
"Pa një media të lirë nuk mund të ketë demokraci. Besoj se më mirë nga të gjithë e dimë këtë ne, që po përpiqemi të forcojmë prej vitesh demokracinë në vendet tona. Të kemi një media të pavarur, pluraliste, që njeh dhe shpreh shqetësimet tona është një nga rrugët më të sigurta për ta arritur idealin tonë për një shoqëri demokratike", - u shpreh presidenti i Republikës.
Përveç detyrës për bartjen e informacionit, sipas Topit media ka nevojë edhe për një legjislacion të konsoliduar. Ai sugjeroi se legjislacioni ynë i mediave ka nevojë për t'u reformuar me qëllim përafrimin e tij me legjislacionin e mediave të vendeve të Bashkimit Evropian.