E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta: Gjykata bën biznes me gjakun e dy djemve tanë!

BURREL/ Lirimi nga gjykata i të akuzuarit për vrasjen e dy kushërinjve ka ngritur në protestë familjarët e viktimave

BURREL - Pas seancash të tëra gjyqësore dhe vendimit të Gjykatës së Matit për të liruar një person të akuzuar nga prokuroria për vrasjen e Vladimir e Nikolin Haxhiajt nga fshati Baz, familjarët e viktimave kanë protestuar duke ngritur akuza ndaj togave të zeza. E gjithë familja Haxhiaj ka protestuar dje para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat për të kërkuar drejtësi për ngjarjen e ndodhur 8 vite më parë ku mbetën të vrarë Vladimir e Nikolin Haxhia nga fshati Baz.


Dy baballarët e të rinjve të vrarë, vëllezër, dhe kunata e tyre kanë tentuar të hyjnë forcërisht në mjediset e gjykatës dhe të takohen me drejtuesit e institucionit, si dhe gjyqtarët që i dhanë pafajësi Vladimir Daçit, të akuzuarit të vetëm për vrasjen e dyfishtë. Dy javë më pare, prokurori i kësaj çështjeje, Sabri Kastrati, i kërkoi trupit gjykues 25 vjet heqje lirie për Vladimir Daçin, ndërsa të gjitha seancat janë asistuar edhe nga kryeprokurori i Matit, Lazër Çardaku.


Familjarët janë shprehur publikisht në këtë protestë se për këtë lirim janë paguar shuma të mëdha duke akuzuar drejtpërdrejt një pjesë të trupit gjykues. Kunata e Nikolin Haxhiajt, Angjelina, tha se lirimi i autorit të ngjarjes i ka indinjuar të gjithë dhe se ky vendim absurd i ka vrarë për së dyti djemtë. Pos protestës para gjykatës, familjarët e familjes Haxhiaj i janë drejtuar prokurorisë së Matit.


"Ne jemi në dijeni se kush i ka korruptuar gjyqtarët e Matit", u shprehën Haxhiajt, "dhe se kush ka ndikuar për lirimin e autorit të vrasjes së dyfishtë. Deri tani kemi kërkuar vetëm drejtësi, por me sa duket kjo gjykatë po na imponon vullnet tjetër, atë sipas kanunit".


Duke iu përgjigjur shqetësimit të familjarëve Prokurori i Rrethit Gjyqësor Mat, Lazër Çardaku u shpreh: "Sipas nesh vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin. Ne, - vijoi prokurori, - do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore për dhënien e drejtësisë për rastin në fjalë. Kemi vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme dhe do ta relatojmë çështjen edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë".


Nga ana tjetër, i kontaktuar në telefon, kryetari i gjykatës së Burrelit, Artan Çupi, njëkohësisht kryesues i trupit gjykues për këtë çështje, tha për "Shekulli"-n se "ne jemi mbështetur vetëm mbi gjykimin e provave të sjella dhe ato janë të pamjaftueshme për të deklaruar personin si autor të vrasjes. Çështja është dërguar në Apel, - tha kryegjykatësi Çupi, - dhe nuk ka përse paragjykohet vendimi i gjykatës nga askush".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›