Dhuna ndaj fjalës dhe dhuna e fjalës
1. "E rrahën Meron". Këto ishin fjalët e thata të një sms-je që më dërguan në mesnatën kur ndodhi ngjarja e shëmtuar në një nga lokalet e Bllokut. Me siguri, miku im, i cili ashtu si edhe unë është ndier i sulmuar padrejtësisht nga gazetari Mero Baze, ka menduar se po më jepte një lajm që do të më gëzonte. Përkundër zhgënjimit të mikut tim të sinqertë, dua të shprehem qartë se ndjeva vërtet nervozizëm pse ai mendoi kështu. Jo se unë në respekt të vlerave të moralit tim jam krejtësisht kundër çdo dhune. Jo se për të qenë politikisht korrekt duhet të bashkohem me ata që deklarojnë se e dënojnë dhunën ndaj gazetarëve. Jo, nuk ishte asnjë nga këto arsye që rëndom na shtyjnë të shprehemi dhe të transmetojmë me fjalë tek të tjerët atë që zemra s'na e thotë. Sinqerisht, edhe kur ka rastisur të flitet për Meron, me të cilin prej vitesh nuk kam asnjë marrëdhënie apo kur është folur për llojin e gazetarisë që ai bën, gjithnjë mllefit që ky gazetar e ka provokuar me lehtësi, ndonjëherë me kënaqësi tek të tjerët, i jam përgjigjur se nuk mbështes asnjë shprehje apo frazë agresiviteti. Ai është gazetar dhe në këtë sistem përjashtohet dhuna. Në këtë sistem ka mjete të tjera, të cilat duhet t'i përdorësh në rast se ke ndërmend të ndeshesh. Nuk ka asnjë të drejtë askush kur mendon se këtij Meros i duhet treguar vendi, se duhet t'i dalë ndonjë hundëlesh. Për njerëzit që zgjedhin të jenë pjesë e jetës publike, mjetet janë të tjera, dhuna përjashtohet.
Kam ndjekur edhe dilemat që kanë shprehur të tjerë njerëz të medias. Ka nga ata që i bëjnë një gjyq të shpejtë, ka nga ata që thonë se Meros i duhet bërë gjyqi, por në një kohë të dytë, sot duhet të dënojmë dhunën, ka nga ata që e shohin Meron si viktimë të së keqes që ai paska kontribuar të krijohet, ashtu siç ka nga ata që nuk duan të shohin asnjë koment për Meron dhe duan të merren vetëm me dënimin e dhunës. Nuk dua të gjykoj mendimet e të tjerëve që kanë dilema në lidhje me dhunën dhe Meron, ashtu siç nuk dua t'u kundërvë këtyre ata që thjesht dënojnë dhunën pa asnjë hezitim dhe pa asnjë koment. Nga qëndrimet që kam gjetur në media për aktin e shëmtuar, kam mospajtim të thellë me dy kategori: me ata që u gëzuan që u rrah se e kanë inat Meron dhe tek grushtet e Taçit dhe të badigardëve do të kishin bashkuar të tyret me shume dëshirë të dobët, si dhe për ata që ky akt i shëmtuar i gëzon për një tjetër arsye, për faktin se ai mund të përdoret politikisht.
Dhuna ndaj një gazetari është shokuese, sepse dikush, kushdo qoftë ky, hyn dhunshëm në terrenin e lirisë, për të cilën unë kam mirëkuptimin më të madh. Edhe pse liria e Meros, e parregulluar siç është, shpeshherë dhunon. Unë ndiej neveri për sulmin ndaj Meros dhe keqardhjen që një njeri i biznesit, i cili është krenuar për shkathtësitë dhe talentin e vet, sot shkakton këtë akt. Ndoshta, etika e biznesit nuk është aq “e hollë” dhe Taçi ka hyrë atje ku nuk i takon. Për këdo, në momentin kur vendos të bëhet pjesë e jetës publike, me bamirësi apo reklamë, me transaksione shokuese apo me badigardë, rregullat e lojës janë të tjera dhe nuk pranojnë asnjë shfrim edhe asnjë justifikim për shfrimin e dhunshëm.
Besoj se asnjë njeri që e ka të shtrenjtë lirinë e medias dhe që sinqerisht beson tek ajo, e dënon atë që i ndodhi Meros. Unë e dënoj dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës për t’u shprehur.
2. "E pe ç'i bënë Astritit dhe Erlës", - më tha një tjetër mik imi, që për rastësi është edhe mik i Meros. Nuk e kisha parë gazetën që ishte hapur me një titull skandaloz dhe me fotot e dy personazheve të njohura të politikës. Krejt larg çdo etike, gazeta trillonte një histori rozë për kryetarin e grupit parlamentar dhe për zëdhënësen e PD-së. Duke pasur njohje personale dhe deri diku të afërt me të dy personazhet e jetës politike e për rrjedhojë duke ditur që kjo që u botua, nuk kishte asnjë të vërtetë, ndjeva neveri për shëmtinë e prodhuar dhe të shitur si lajm.
Nuk është hera e parë që shtypi dhunon njerëz të jetës publike. Nuk është rasti i parë që me papërgjegjshmërinë më të paimagjinueshme gazetarë dhe gazeta dhunojnë jetën e individëve, dhunojnë lirinë e qytetarëve. Dhunon media që nga frazat që i shkëputin dhe i vendosin dhunshëm jashtë konteksteve, dhunon me tituj që nuk shprehin brendinë e artikujve dhe as mendimet e shprehura nga të intervistuarit, dhunon kur drejtojnë opinionin në të kundër të faktit të individit apo shprehjes së tij.
Unë ndjeva keqardhje për dhunë në media. Në këtë rast drejtimi ndryshon, është media që dhunon. Ndjeva keqardhje për Astritin dhe Erlën dhe kisha mirëkuptim për reagimin e Astritit. Mendoj se edhe Meros do t'i ketë ardhur sadopak keq, të paktën për Astritin, me të cilin ka kaluar shumë vite në periudhën që drejtonin shtypin opozitar. Besoj se Astritit, edhe pse sot në pozicione të kundërta politike me Meron, i ka ardhur keq për sulmin që pësoi, besoj se i ka ardhur keq edhe për sulmin si simbolikë mbi median. Por, nuk e di nëse e ka lënë dhuna e medias ndaj tij që ta ketë ndier thellësisht atë që ka ndodhur. Gazetarët iu gjendën përkrah kolegut Mero dhe shoqatat bënë edhe deklarata, por sa di unë nuk bënë asnjë deklaratë për të mbrojtur kolegun tjetër, Astritin.
Besoj se asnjëri që e ka të shtrenjtë lirinë, besoj se kështu janë edhe gazetarët, e dënon atë që i ndodhi Astritit dhe Erlës. Unë e dënoj shpërdorimin e lirisë dhe të drejtës për t’u shprehur.
3. Për këtë pjesë të shkrimit nuk kam pasur nevojë të më flasë apo të më bëjë sms kush. Kam shkruar para disa javësh me iluzionin se një takim i lavdërueshëm i organizuar nga ministri Imami do të kishte ndikuar të sqarohej tymnaja e hedhur nga një punim amator e patetik për ndarjen e kufirit detar me Greqinë. Takimi që organizoi Imami ishte për mediat pa mediat. Ishin ftuar thuajse të gjithë krerët e gazetarisë, por jo raportuesit. Gjithçka ishte për të ndihmuar mediat të mësonin për procesin, të qartësonin informacionet, të ballafaqonin të vërtetat e pretenduara me një përshkrim të ftohtë konkret dhe metodik të personave që ishin marrë me marrëveshjen. Shpresova se takimi i Imamit do të shërbente për të sqaruar keqkuptimin; shpresova se takimi do të ulte ethet patriotike që ne na kapin edhe në gusht, por u zhgënjeva. Pas një dite disi të hutuar e të balancuar, sulmi filloi përsëri, tituj bombastikë, ja deti që ua japim grekëve, ja ku do të kalonte gazi, ja paratë që humbasim, ja tradhtarët, ja, ja ku janë, linçojini. E pabesueshme. Në takim pata pranë nga ata që e kishin për krenari të quheshin të trashë dhe të mos pranonin asnjë fakt. Por, e mendova çështje të krenarisë.
Por kur titujt dhe shkrimet vazhduan dhe kur pashë si u hepuan ata që kishin keqkuptuar debatin dhe mirëkuptuan informacionet dhe kur pashë si u shtampuan ata që nuk donin të kuptonin, atëherë m’u bë e qartë se kishim të bënim me një veprim të ndërgjegjshëm. Ishte përfitimi politik ai që i bën gazetarët të shkruajnë ende, jo për të vërtetën që iu servir nga përgjegjshmëri, por për të pavërtetën që e servirin me papërgjegjshmëri.
Miqtë e mi nga media kanë ndjeshmëri të lartë kur flitet për median dhe rolin e tyre si pushteti i katërt. Dhe është vërtet që njerëzit, qytetarët e thjeshtë e perceptojnë median si një pushtet real, krahas pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Madje, shumë e perceptojnë median si një pushtet më shumë të pranishëm se pushtetet e tjera. Edhe unë kam të njëjtën ndjeshmëri për median dhe pushtetin e saj. Në debatet me ta sinqerisht kam pranuar kufizimet e pushteteve të tjera, pushteteve reale, qeverisë, parlamentit, gjyqësorit dhe kam debatuar sinqerisht si të ndalet e keqja. Por, nuk kam dëgjuar që të pranohen nga njerëz të mediave kufizimet e këtij pushteti të katërt dhe as se si mund të largohet e keqja nga ky pushtet.
Nuk besoj se është politika dhe as pushtetet e tjera që duhet të rregullojnë këtë pushtete të katërt që fuqizohet çdo ditë. Dua të shmanget çdo keqkuptim nga këto radhë. Nuk po bëj thirrje të rregullojmë median. Unë i përkas politikës dhe më takon të bëj mirë punën time. Por, kam vetëm një propozim për miqtë e medias. Ashtu siç politika i ka rregulluar vetë pushtetet e veta dhe i rirregullon sa herë që dështojnë, ashtu edhe media duhet të rregullojë vetveten. Ka shumë për të rregulluar. Janë për t’u rregulluar raportet mes gazetarëve dhe editorëve e pronarëve të mediave. Janë për t’u rregulluar raportet mes vetë gazetarëve dhe etikës së profesionit të tyre. Janë për t’u rregulluar raportet mes gazetarëve e medias me qytetarët. Ka edhe më për të rregulluar. Miq gazetarë, bëjeni vetë rregullin tuaj e mos ia lini politikës, mos ia lini tregut. Kjo ju mbron edhe ju.
Në qoftë se dikush beson se ka radhë, mendoj se e kam respektuar.
1. Dënojmë dhunën ndaj Meros dhe po deshët edhe ndaj shtypit. 2. Dënojmë dhunën mbi Astritin dhe Erlën, si dhunë mbi qytetarët nga media. 3. Mbrojmë të vërtetën dhe etikën e medias. Unë mendoj se të tria mund t’i bëjnë vetë gazetarët dhe media.