Masa; Sot, Rezart Taçi përballet me gjykatën
Mesditën e sotme pritet të shoqërohet në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me akuzën dhe masën e caktuar ndaj tij biznesmeni Rezart Taçi, i akuzuar për ushtrim dhune ndaj gazetarit Mero Baze. Gjykata i ka dërguar kërkesën policisë së kryeqytetit dje për ta shoqëruar biznesmenin e vetëdorëzuar në polici, me qëllim për t’u saktësuar gjeneralitetet, njohja me masën dhe kushtet e zbatimit të saj. Sot, gjyqtarja Farije Budo do të shohë nëse kanë ndryshuar kushtet për ndryshimin ose jo të masës për Taçin, dhe do të vendosë nëse do lërë në fuqi të njëjtën masë arresti “burg pa afat” apo do ta ndryshojë dhe do hetohet në gjendje të lirë. Biznesmeni Taçi mbrohet nga avokatët Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, ndërkohë që vetë biznesmeni ka bërë të ditur para vetëdorëzimit se nuk ka qëlluar ndaj Bazes dhe se akuzat ndaj tij janë një kurth i ngritur nga segmente të caktuara për të goditur biznesin e tij. Masa për Taçin u mor dy ditë më parë në mungesë të tij dhe vetëm disa orë më pas, biznesmeni u vetëdorëzua në prani edhe të avokatëve të tij.