E Diel, 1 Nëntor 2026

Telemjekësia ; Mjekësia e së ardhmes, tashmë edhe në Tiranë



Është mjaft e mundimshme për një pacient të marrë të gjitha dokumentet e veta mjekësore e të niset nga Tirana për jashtë shtetit, vështirësitë e komunikimit, kostot dhe çdo gjë tjetër i duhet të përballohen nga ai. Për një mendim ndryshe, për një konstatim apo edhe për një diagnostikim mjekësor nga mjekët italianë janë me qindra e qindra shqiptarë që “kapërcejnë” detin drejt spitaleve të shtetit italian. Por, nga dje, nënat shtatzëna dhe anomalitë e lindura tek fëmijët neonatalë, veçanërisht sëmundjet e zemrës, do të mund të diagnostikohen nga mjekësia e së ardhmes, nga telemjekësia. Për herë te parë, dje në Spitalin Universitar Obstetrik - Gjinekologjik "Koço Gliozheni" është instaluar Telemjekësia. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në kuadër të bashkëpunimit me rajonin e Toskanës për zbatimin e projektit “Cuore Balcani/ Albania” ka bërë demonstrimin e parë të aplikimit të telemjekësisë. Me anë të këtij instalimi për herë të parë në vendin tonë mundësohet konsultimi i drejtpërdrejtë me mjekët italianë për diagnostikimin e nënave shtatzëna dhe të anomalive të lindura tek fëmijët neonatalë të lidhura veçanërisht me sëmundjet e zemrës. Demonstrimi i kryer në dhomën e ekografisë në maternitetin "Koço Gliozheni" është pikënisja e një procesi të ri që po aplikohet i cili do t’u vijë në ndihmë mjekëve shqiptarë në të gjitha ato raste specifike kur konsulta do të jetë e nevojshme. Në një intervistë për “standard” kardiokirurgu italian, dr. Bruno Mursi, shef i pavijonit të Kardiokirurgjisë në spitalin e zemrës “MASSA-MS”, në rajonin e Toskanës në Itali, shpjegon projektin për instalimin e telemjekësisë në vendin tonë dhe avantazhet që ofron përdorimi i teknologjisë më të fundit në fushën e mjekësisë.

Çfarë është telemjekësia dhe për se shërben?

Shumë vite më parë telemjekësia shërbente për qëllime ushtarake. Gjatë luftës në Gjirin Persik kishte nevojë për mjekë, por vendet nuk mund të dërgonin mjekë specialistë në luftë. Në këtë kohë lindi një sistem që u lejonte mjekëve specialistë të diagnostikonin ushtarët edhe pse mund të ishin me mijëra kilometra larg. Fillimisht telemjekësia u përdor për këtë qëllim, më pas ajo u përdor edhe në anije udhëtimi. Në këtë mënyrë lindi domosdoshmëria për diagnostikimin dhe kurimin në distancë të disa sëmundjeve. Në Itali kjo teknologji po përdoret prej 6-7 vjetësh. Ne po zhvillojmë një sërë sistemesh për të shkrirë një sërë imazhesh për t’i dërguar më pas në kohë rekord. Ne po përpiqemi që mjeku që bën ekon, dhe mjeku tjetër që e shikon në mënyrë direkte mund të udhëzojë mjekun që bënë ekon ta fokusojë atë në detaje që kërkon të dijë akoma më shumë. Ne besojmë që telemjekësia është mjekësia e së ardhmes.

Si lindi ideja që projekti i telemjekësisë të instalohet edhe në Shqipëri?

Ne kemi marrëdhënie bashkëpunimi me mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë që prej vitit 1992. Ne zhvillojmë gjithashtu edhe master të Kirurgjisë dhe Anestezisë që ndiqet nga shumë mjekë shqiptarë. Tashmë është krijuar një marrëdhënie miqësie dhe bashkëpunimi mes të dyja palëve. Arsyeja kryesore përse vendosëm që të shtrijmë projektin e telemjekësisë edhe në Shqipëri ishin njohjet dhe marrëdhëniet e mira të krijuara tashmë me kolegët shqiptarë, tanimë ne mundemi që të punojmë në të njëjtën mënyrë.

Cilat janë synimet kryesore të projektit? Çfarë problematikash arrihen të evidentohen dhe sa i ndihmon kjo teknologji nënat dhe fëmijët?

Me anë të stacioneve të telemjekësisë ne mund të shikojmë çdo gjë, si ortopedi, neurokirurgji, rezonancat magnetike etj. Pra, është e mundur të komunikojmë me mjekët sikur të ishim në të njëjtën dhomë. Në këtë rast specifik, ne kemi vendosur stacionin e telemjekësinë në një maternitet, me arsyen që të diagnostikojmë fëmijët para se ata të lindin, në mënyrë që të evidentojmë jo vetëm problemet kardiake të të porsalindurve, por edhe keqformime të trakesë, ezofagut dhe diafragmës. Përmes një sistemi të tillë ne kemi mundësinë që të asistojmë direkt në ekzaminimin e rastit. Është e rëndësishme që të përdorim telemjekësinë për të përmirësuar ndihmën gjatë lindjes dhe për ta çuar këtë shërbim drejt standardeve evropiane. Në Itali, një grua shtatzënë që duhet të lindë, bën një sërë ekzaminimesh që janë të detyrueshme. Ne do të donim që përmes këtij sistemi të kontribuojmë në sallë gjatë lindjes së fëmijës. Në brendësi të këtij projekti mund të ketë raste që kanë nevojë për një ndërhyrje kardiokirurgjie, p.sh. kur një fëmijë është diagnostikuar me kardiopati kongjenitale. Kështu, ne favorizojmë një sërë grupesh që kanë probleme të tilla si keqformime që mund të korrigjohen me ndërhyrje kirurgjikale menjëherë pas lindjes apo kardiopati kongjenitale, duke bashkëpunuar të dyja palët, si mjekët shqiptarë që asistojnë direkt në sallë, ashtu edhe ne me anë të teknologjisë.

Kur mund të identifikohet se fëmija ka këto probleme që ju sapo i përshkuat?

Në Itali që në muajin e tretë të shtatzënisë mund të evidentohen këto probleme përmes një ekografie morfologjike, e cila të tregon se çfarë zhvillimi ka bebja në barkun e nënës. Por, kjo eko nuk tregon patologji të tjera, si të zemrës, ezofagut. Ndërkohë, përmes telemjekësisë këto probleme mund të evidentohen, pasi mjekët e këtushëm duhet të bëhen të zotë që të bëjnë ekon e zemrës sa më mirë dhe ne më pas, përmes telemjekësisë, mund të ekzaminojmë rastin. Në rastet kur mjekët shqiptarë kanë një lindje dhe janë në dyshim për diagnozën e fëmijës, atëherë ata mund të konsultohen me ne përmes telemjekësisë për të përcaktuar diagnozën.

Deri kur do të vazhdojë bashkëpunimi në këtë fushë i mjekëve italianë me ata shqiptarë?

Bashkëpunimi ka një objektiv dhe qëllimi kryesor është që vendi në të cilin instalohet ky sistem, të rritet dhe të bëhet autonom. Ne nuk mendojmë që edhe pas 20 vitesh do të ketë sërish mjekë italianë që vijnë të bëjnë mjekësi në Shqipëri. Ideja është se ne dimë të zhvillojmë disa gjëra, ndërsa edhe ju keni mjekë të zotë, por problemi është se ne kemi teknologjinë, ndërsa ju jo. Atëherë, le të përdorim teknologjinë tonë dhe dijet e përbashkëta që të ndihmojmë qytetarët shqiptarë.

Ministri Vasili

Tani pacientët shqiptarë kanë mundësi të diagnostikohen më mirë

“Zemra e mjekësisë botërore sot është bashkëpunimi edhe shkëmbimi i eksperiencave që, falë teknologjisë, po instalohet edhe në Shqipëri”. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje gjatë instalimit të telemjekësisë në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Ai tha: “Ne kemi mundësi të komunikojmë me kolegët edhe me eksperiencë më të madhe sesa kaq për të diagnostikuar sa më mirë qytetarët shqiptarë. Ne përpara pak çastesh patëm mundësi që të ndjekim në mënyrë të drejtpërdrejtë një paciente shqiptare, që, falë teknologjisë, po shqyrtohet nga ana mjekësore nga ekipi i përbashkët i kirurgëve shqiptarë dhe italianë. Të njëjtin ekzaminim ata shqyrtonin në kohë reale në Shqipëri dhe në Itali. Qytetarët shqiptarë, gratë që vijnë këtu në këtë moment për probleme që janë specifike, konsultohen tanimë në kohë reale”. Ministri i Shëndetësisë e ka cilësuar një ngjarje shumë të rëndësishme hapin e hedhur dje, duke theksuar se çdo element i ri që futet në teknologjinë mjekësore, por edhe në komunikimin shkencor, është me të vërtetë pozitiv dhe ndikon në një diagnostikim sa më të mirë të pacientëve. Kreu i shëndetësisë theksoi se kjo konsultë virtuale gjithsesi është mjaft e prekshme, duke qenë se pacienti e merr përgjigjen për diagnozën e tij në kohë reale, ndaj dhe kjo praktikë do të shtrihet edhe në shërbime të tjera të mëdha kombëtare. Gjithashtu, ministri falënderoi partnerët e këtij projekti, rajonin e Toskanës, shoqatën “Un cuore Un Mondo” dhe fondacionin “G.Monasterio” për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për ndihmën e madhe në shkëmbimin e eksperiencave mes mjekëve të dy vendeve tona edhe përmes trajnimeve të ndryshme.

Telemjekësia

Telemjekësia do të shërbejë për diagnostikimin online me këto vende për nënat shtatzëna, gjithashtu edhe për diagnostikimin e fëmijëve me probleme kardiake. Me anë të këtij instalimi, për herë të parë në Tiranë do të bëhet i mundur transmetimi online i konferencave, si me Italinë, ashtu edhe me Serbinë dhe Kroacinë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të bëhen edhe shkëmbime informacioni online me të gjitha këto shtete. Bashkëpunimi mes rajonit të Toskanës dhe vendit tonë vijon prej vitesh dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi shumë fëmijë shqiptarë janë shëruar në spitalet e Toskanës, veçanërisht në Spitalin Pediatrik “A. Meyer” të Firences. Në kuadër të këtij projekti do të krijohen kushtet për shkëmbimin e eksperiencave midis mjekëve të dy vendeve, ndërsa do të zhvillohen edhe kurse trajnimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›