Ish-bosja e Gjallicës para drejtësisë, mashtroi dy persona
Shemsie Kadria i rikthehet zakonit, gjykata nis procesin
Rikthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik ish presidentja e firmës piramidale, Shemsi Kadria, e cila në fillim vitet e demokracisë ju ka zhvatur qindra personave miliona lekë nga kursimet e tyre. Por edhe pse kjo grua është njohur si mashtruese, sërish edhe në vitin 2013 shqiptarët duket se i zënë akoma besë, duke i besuar paratë e tyre. Atëherë kur ndoshta edhe vetë kreditorët e Gjallicës e kishin harruar, Shemsie Kadria është shfaqur papritur në gjykatë sërish si e pandehur. Dhe akuza është e ngjashme me atë të kohës së piramidave. Për ish-bosen e kompanisë së njohur piramidale në Gjykatën e Tiranës ka nisur një proces gjyqësor për mashtrimin e dy personave ku në total i ka marrë shumën e 43 mln lekëve të vjetër dhe 2700 dollarëve amerikan. Kadria i kishte premtuar këtyre dy personave apartamente që për çudinë e të gjithëve, firma e ndërtimit ishte inekzistente në regjistrimin elektronik të QKR-së. Edhe njëherë, presidentja e Gjallicës ka treguar aftësitë e saj si mjeshtre e mashtrimit, duke abuzuar me kursimet e këtyre dy personave që mendohet se kanë qenë për një kohë të gjatë në disa shtete evropiane duke punuar për të ardhmen e tyre.
Mashtrimi
Sipas të dhënave nga policia hetimet lidhur me këtë ngjarje kanë filluar disa vite më parë, kur dy personat kanë bërë një denoncim në polici për faktin se Kadria nuk po ju mundësonte apartamentet e premtuara në këmbim të mbi 50 milion lekëve(të vjetër). Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2008 thuajse një vit nga lirimi i saj nga burgu ku ajo vuajti 10 vjet heqje lirie për mashtrim në firmat piramidale. Ndërkohë për Shemsie Kadrien është marrë edhe masë arresti në Gjykatën e Tiranës, por ajo nuk është gjetur në adresën e saj dhe për këtë fakt ajo është shpallur person në kërkim nga autoritet shqiptare. Mendohet se ashtu sikur bëri në kohën e piramidave Shemsi Kadria të jetë larguar pa asnjë adresë jashtë Shqipërisë, ndërsa Gjykata do të vazhdojë të marrë në pyetje personat që e kanë akuzuar dhe do ta kryejë procesin gjyqësor në mungesë për ish bosen e firmës piramidale që abuzoi me kursimet e mijëra qytetarëve shqiptarë.
Akuzat
Gjatë seancës së parë gjyqësore ditën e djeshme avokati mbrojtës i ish-boses së Gjallicës, ka pranuar faktin se klientja e tij i ka marrë paratë, por e justifikoi atë se do ti përdorte për përfundimin e pallatit dhe më pas do ti siguronte apartamentin. Ai pretendoi se Kadria i ka dhënë para borxh pronarëve të pallatit dhe kjo është mënyra për të marrë përsëri paratë e dy paditësve. Por ende mbetet në pikëpyetje siguria që mund të japë një person si Shemsie Kadria e cila është cilësuar nga gjyqësori shqiptar si një ndër femrat më të rrezikshme përsa i përket precedentit të mashtrimit për të përfituar para.