E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj presidentit të Skënderbeut, Disiplina i heq 3 pikë Flamurtarit

TIRANE - Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së i ka dhënë një “grusht” të fortë problematikës shqetësuese në stadiumet e Superiores, në kuadrin e javës së dytë të kampionatit.

Lidhur me incidentet e ndodhura fundjavën e shkuar, ku në Vlorë u godit presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj, në Kukës nuk mbaroi deri në fund ndeshja për shkak se tifozët hodhën sende të forta në fushë, veprim i cili u konsumua deri në njëfarë mase edhe në Kavajë, ky organ disiplinor pranë FSHF-së është treguar i pamëshirshëm. Një masë në kohën dhe vendin e duhur për t’i dalë para së keqes më të madhe në futbollin tonë, sikurse është dhuna, e cila tashmë ka infektuar edhe tribunat VIP. Kësisoji,

Flamurtari nuk do ta shijojë dot fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, jo se rezultati nuk njihet 2-1, por sepse skuadrës vlonjate i janë hequr 3 pikë nga Disiplina. Thënë ndryshe, kuqezinjtë mbeten në kuotën e tri pikëve, duke “iu zhumëzuar me zero” indirekt ato që mori ndaj kampionëve të vendit në fuqi. Vec kësaj mase ndëshkuese, Flamurtari duhet të luajë edhe katër ndeshje të planifikuara si pritës në kalendar në stadiume asnjanëse.
Ndëshkim shembullor është dhënë edhe për Kukësin, referuar ndeshjes ndaj Vllaznisë, ku gjyqtari kryesor u detyrua ta mbyllë lojën pa u konsumuar 90 minuta të plota, sepse tifozët verilindorë shpërthyen në hedhje sendesh të forta në fushë si inat i humbjes. Pavarësisht se u mund me rezultatin 3-1 nga Vllaznia në fushën e lojës, skuadra e drejtuar nga Armando Cungu e humbet në tavoilinë këtë sfidë, me rezultatin 3-0. Po ashtu, kuksianët nuk do të kenë mundësi të luajnë në stadiumin e tyre për katër ndeshje, të planifikuara si pritëse. Pezullim fushe ka paralajmëruar Disiplina edhe për Kavajën. Nëse Besa nuk korrigjon sjelljen e tifozëve, atëherë nuk do të luajë para tifoizëve të vet për dy ndeshje.
Ja edhe vendimet e plota të marra nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së në mbledhjen e datës 17 shtator:
1. KF “Flamurtari“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, diskriminim të ekipit kundërshtar dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve dënohet me zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës.
2. “Kuksi ”për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërpreje përfundimtare të ndeshjes dënohet me humbje në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve jashtë stadiumit përkatës.
3. “KF Besa” për sjellje të gabuar të spektatorëve paralajmërohet se në rast përsëritjeje do të dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
4. “KF Laci“ për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e një ndeshje dënohet me gjobë në vlerën e 50.000 lekëve.
5. Lojtari i Albpetrolit, Hekuran Korreshi, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
6. Lojtari i Shkumbinit, Aldo Branica, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
7. Pogradeci, Albpetroli dhe Elbasani paralajmërohen se në rast të përsëritjes së problemeve të ndodhura për vonesë në fillimin e ndeshjeve do të penalizohen sipas dispozitave të KDS, bazuar në nenin 13 .

(panoramasport/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Dhuna ndaj presidentit të Skënderbeut, Disiplina i heq 3 pikë Flamurtarit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›