E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në Kuvend, Kapri: Sjellja e kolegëve të opozitës legjitme, mazhoranca ka kapur gjithçka

Salla e Parlamentit u kthye këtë të enjte në një përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe Gardës, duke e bërë të pamundur zhvillimin e seancës normale.

Ndryshe nga përplasjet e tjera, këtë herë deputetët e opozitës nuk morën foltoren, por karriget ku ulen ministrat.

I ftuar në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, tha se ajo që ndodhi në Kuvend nga ana e deputetëve të PD-së është legjitime, pasi mazhoranca ka kapur gjithçka me forcën e kartonit.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Si ishte për një deputet që është në anën e opozitës skena e ditës së sotme?

Kapri: Paksa shokuese. Unë kam hyrë në orën 10:04 në seancë, kishte filluar dhe nuk e prisja. Unë mendoj se opozita është luftuar shumë nga mazhoranca. Unë i legjitimoj veprimet e kolegëve të opozitës. Ne kemi një mazhorancë me shumicë të cilësuar, që drejton Kuvendin me forcën e kartonit; janë rrëzuar të gjitha mocionet. Pra, opozitës nuk i është lënë asgjë. Ajo që nuk bie dakord është që fillimisht seanca të niste dhe të bëheshin diskutimet përkatëse. Unë do të kërkoja të bëhej transparencë për mbledhjen e nesërme.

Borakaj: Nga se u nxit sjellja e opozitës?

Kapri: Mesa kuptova, u kërkua të diskutohej çështja Balluku dhe kjo nisi para se të fillonte seanca. Në kushtet kur mazhoranca drejton me grusht të hekurt, ka shumicë të cilësuar dhe ka kufizuar zërin e opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›