Dhuna në Kuvend, PS depoziton kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Partia Socialiste depozitoi në Kuvend kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të Partisë Demokratike.
Burime në medie bëjnë të ditur se “brenda 48 orëve do të mblidhet Sekretariati i Etikës për masat për 24 deputetët e PD-së”.
Sipas shkresës së firmosur nga deputetët e mazhorancës thuhet se sjellja veçanërisht e deputetëve Flamur Noka, Bledion Nallbati dhe Gazment Bardhi ka vënë në rrezik edhe jetën e atyre që ishin në sallë në 30 shtator, duke bllokuar foltoren dhe duke goditur me sende të forta.
Gjithashtu shkak për përjashtimin e tyre është edhe djegia e karrigeve jashtë sallës, si dhe konflikti i Nokës, Bardhit dhe Nallbatit me deputetët Petro Koçi dhe Erion Braçe nga mazhoranca.
“Deputetët e opozitës vijuan me kaosin në sallë duke nxjerrë jashtë nga salla e parlamentit karriget të cilave më pas u vendosën flakën, duke rrezikuar kështu përhapjen e flakëve në godinë. Tensionet e krijuara në sallë penguan deputetët e mazhorancës që të mbanin fjalët e tyre të cilët ishin regjistruar për të diskutuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, sipas rendit të ditës. Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati nuk lejuan që deputetët Erion Braçe dhe Petro Koçi të mbanin fjalët e tyre duke i marrë kartën dhe dëmtuar pajisjen elektronike. Deputetët gjithashtu kanë tentuar të mos lejojnë të mbante fjalën dhe kryetari i grupit Niko Peleshi dhe nënkryetari i Grupit Toni Gogu duke krijuar tensione”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë.
“Këto sjelle dhe veprime të rënda kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare. Këto situata të rënda kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, por edhe pengojnë përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme. Veprimet e deputetëve të opozitës janë një shkelje e hapur dhe flagrante e detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare”, vijon më tej kërkesa e PS-së.
Deputetët e PS-së kërkuan marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Po ashtu ata kërkuan mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.
Kuvendi njoftoi gjatë pasdites se mbledhja e këtij komisioni do të mbahet të mërkurën e 2 tetorit.
/m.m/a.f/r.e/