I shkarkuar nga KPK, KPA konfirmon në detyrë prokurorin Genci Qana

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit përmbysi sot vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke konfirmuar në detyrë prokurorin Genci Qana. Ky i fundit e kishte ankimuar vendimin e shkarkimit nga procesi i vetingut, vendim i dhënë për të në mars të vitit 2021.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtare, shpalli sot vendimin për ankimimin e subjektit të rivlerësimit Genci Qana kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPA vendosi ndryshimin e e vendimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Genci Qana.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Vendimi i shkarkimit të prokurorit Qana ishte kundërshtuar më herët edhe nga një vëzhgues i ONM-së me argumentin se ishte marrë mbi gjetje “jashtëzakonisht të parëndësishme” dhe se ishte jopropocional.
Prokurori i Tiranës, Genci Qana u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 31 mars 2021.