E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, 17 gra të masakruara nga burrat

Aurela Anastasi: Të ndryshojë Kodi i Procedurës Penale, që ndjekja penale e dhunuesve brenda familjes të ndiqet nga shteti, përmes prokurorisë

Dhuna bashkëshortore nuk po njeh të ndalur. Shifrat flasin për të dhëna tronditëse. Brenda 10 muajve të këtij viti, 17 femra janë masakruar nga burrat e tyre, ndërkohë që vetëm para pak ditësh dy gra u vranë në mënyrë barbare nga bashkëshortët, për shkaqe xhelozie. 56-vjeçarja nga Berati, Resmie Myrteli, u vra me dru; ndërsa 48-vjeçarja nga Tirana, Arjana Serjani, nënë e tre fëmijëve u vra me çifte. Duke marrë shkas nga kjo situatë dramatike, rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, kanë dalë dje në një protestë paqësore para Kryeministrisë, duke kërkuar që shteti të ndalet përpara këtyre viktimave dhe të marrë masa më të ashpra ndaj autorëve të krimit. “Dy vrasjet e tmerrshme që kanë ndodhur në fundjavë, si dhe shkaku shumë i madh është numri i rritur i grave të vrara nga dhuna shtëpiake nga dhuna në familje. Ndonëse ligjet mund të jenë, zbatimi i tyre është ende shumë larg”, - pohoi përfaqësuesja e shoqatës “Në dobi të gruas” Fabiola Egro. Ndërsa, sipas konstitucionalistes Aurela Anastasi, Kodi i Procedurës Penale duhet të ndryshojë, në mënyrë që ndjekja penale e dhunuesve brenda familjes të ndiqet nga shteti, përmes prokurorisë. “Do të kërkojmë që kjo vepër penale të ndiqet kryesisht nga prokuroria dhe jo të mbështetet vetëm në kallëzimin e viktimës. Kjo do të thotë që të kemi një lloj padie publike në Kodin tonë të Procedurës Penale, ku edhe në rast se viktima tërhiqet nga denoncimi dhe kallëzimi i veprës penale të dhunës në familje, prokuroria të vazhdojë punën dhe të mos lejojë më raste ku dhuna në familje, jo vetëm që nuk konsiderohet ashtu sikurse parashikon Kodi i Procedurës Penale, si rrethanë rënduese për veprën penale të kryer, por ndonjëherë është konsideruar edhe si rrethanë lehtësuese. Kjo nuk duhet lejuar më”, - u shpreh Anastasi. Duke iu referuar ankthit në rritje të vrasjeve dhe dhunës së pashembullt ndaj gruas në familje, shoqatat i bëjnë thirrje organeve ligjvënëse të përshpejtojnë miratimin e Kodit Penal, me mendime, që duhet të dënojnë dhunën sistematike ndaj grave në familje. Por një çështje e rëndësishme mbetet edhe zbatimi i Kodit të Familjes, për pikën ku merren masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›