Godo ende në reanimacion, i hiqet një pjesë tumori
Nuk ndryshon gjendja shëndetësore, priten përgjigjet e analizave për të përcaktuar shkallën e gravitetit të sëmundjes. Mjekët: Duam të mbajmë nën kontroll parametrat jetikë
Gjendja shëndetësore e Sabri Godos paraqitet e stabilizuar, ndërkohë që ai vazhdon të qëndrojë i shtruar në reanimacionin e Sanatoriumit. Një ekip i specializuar mjekësh, nga më të njohurit e mjekësisë shqiptare, po ndjekin hap pas hapi trajtimin e tij, për t’i mbajtur nën kontroll parametrat jetikë. Nëndrejtori i Spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, Arjan Mezini, i kontaktuar dje në mbrëmje nga gazeta, është shprehur se gjendja shëndetësore e Godos paraqitet e stabilizuar dhe ai është ende në reanimacion. Megjithëse askush nuk jep informacion në mënyrë zyrtare, pasi një gjë e tillë mjekëve u është kërkuar nga vetë vajza e Godos, nuk përjashtohet mundësia që ai t’i jetë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, për të hequr një pjesë të masës tumorale në mushkëri. Pas heqjes së ujit nga mushkëritë ditën e martë, burime brenda spitalit bëjnë të ditur se ditën e djeshme Sabri Godo ka kryer një ndërhyrje, pasi likidi (uji) është një bashkëshoqërues i masës tumorale. Por nëndrejtori i Spitalit të Mushkërive e ka mohuar një fakt të tillë, ndoshta edhe për shkak të konfidencialitetit që familja e Godos kërkon. Në fakt, tashmë dihet jo vetëm nga familja, por edhe nga mjekët, se cila është sëmundja nga e cila po vuan 82-vjeçari, por të gjithë shpresojnë për një përmirësim të gjendjes së tij, duke pritur edhe përgjigjet e analizave, për të parë sesi është realisht situata. Mjekët që po ndjekin nga afër kurimin e Godos thonë se ende nuk ka dalë diagnoza e saktë. “Analizat po ia bëjmë për të parë sesi është situata, se goditja që i dha ishte shumë e fortë dhe duam të mbajmë nën kontroll parametrat jetikë”, - ka pohuar një prej mjekëve. Vetë vajza e politikanit dhe shkrimtarit të njohur, Anila Godo, ka bërë të ditur në media se i ati i saj vuan prej kohësh nga një tumor në mushkëri, që tani i ka shfaqur probleme dhe në rrugët e frymëmarrjes. Mësohet se para tri ditësh sëmundja i ka dhënë 82-vjeçarit një goditje të rëndë, çka i ka detyruar familjarët që ta shtrojnë me urgjencë në spital. Ndërkohë që, pasi i është nënshtruar terapisë mjekësore, duke iu hequr edhe likidi në mushkëri, mjekët dhe vajza e Godos bëjnë të ditur se gjendja e tij shëndetësore nuk ka pësuar asnjë ndryshim. “S’kam asgjë për të fshehur. Ka 5 muaj që ne e dimë që ka tumor, e kemi diagnostikuar dhe po kurohet. Por i dha para tri ditësh një goditje të rëndë. Gjendja është e njëjtë, s’ka as përmirësim e as përkeqësim”, - ka pohuar ish-ministrja e Shëndetësisë, që tashmë punon si mjeke pediatre në QSUT. Lidhur me mundësinë e dërgimit të të atit për mjekim jashtë Shqipërisë, Anila Godo shprehet se “po i vazhdojmë kurën këtu dhe nuk do ta lëvizim jashtë”. Mjekët pohojnë që Godo të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion, pasi nuk po shfaq shenja përmirësimi të shëndetit. Në spital ai është vizituar nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe drejtori i Politikave, Pëllumb Pipero.
Likidi pleural
Likidi pleural (ujë në mushkëri) bën që uji në mushkëri tubohet (mblidhet ose derdhet) në alveola (brenda në mushkëri dhe kjo ndodh në 90% të rasteve, si pasojë e ngarkesës së zemrës që ndërlidhet, pikësëpari, me përdorim të tepruar të kripës së kuzhinës), dhe pëlhurë (pleurë), si pasojë prapë, e ngarkesës së zemrës, pezmatimeve (tuberkulozi, bakteret tjera), tumoreve (primare në pleurë apo sekondare-metastaza nga organet tjera) apo sëmundjeve të veshkave, mëlçisë etj.