E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në shkolla, të dhëna tronditëse

Fëmijët pranojnë se dhunohen brenda godinave shkollore. Shkuljet e veshit dhe të flokëve, po dhe goditja me grusht janë ndër veprimet më të përdorura ndaj nxënësve në disa prej shkollave të Durrësit, ndërsa vetë nxënësit janë ndërgjegjësuar më shumë për të drejtat që kanë. Dhuna fizike dhe verbale në këndvështrimin fëmijëror vjen si pasojë e shtresës sociale, nivelit ekonomik të familjes nga vijnë fëmijët, të racës së cilës i përkasin, ecurisë në mësime, por edhe gjinisë. Dhunuesit janë bashkëmoshatarët, nxënësit më të rritur edhe stafi pedagogjik. Ky është rezultati i një prej anketimeve të zhvilluara në 5 shkolla 9-vjeçare të Durrësit nga grupi "Zëri i fëmijëve 16+". Rezultatet e këtij anketimi do t‘i paraqiten edhe Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, ndërsa janë një zë që ngrihet ndaj mësuesve dhe sistemit arsimor mbi marrëdhënien mësues-nxënës. Fëmijët e anketuar raportojnë për dhunë fizike dhe emocionale. Anketimi është zhvilluar në katër shkollat publike "Nënë Tereza", "Eftali Koçi" "Vasil Ziu" dhe "Met Hasa", si dhe në një shkollë jopublike, me nxënës të moshave nga 10 deri në 14 vjeç. 57 për qind e 250 nxënësve të anketuar kanë pranuar se në shkollë shkelen të drejtat e fëmijëve, ndër të cilat e drejta për barazi dhe mosdiskriminim, e drejta e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe e drejta për argëtim. Shumica e fëmijëve kanë thënë se dhuna fizike ndaj nxënësve ushtrohet nëpërmjet shkuljes së veshëve, të flokëve, goditjeve me grusht në kohë dhe më pak në trup a me objekte të tjera. Pesë për qind kanë pranuar edhe shtrëngimin në fyt. Janë mësuesit ata që më së shumti ushtrojnë dhunë mbi ta. Mësuesit konsiderohen si të parët në shkeljen e të drejtave të fëmijëve me afro 66%, ose 1.5 herë më shumë se vetë nxënësit me 43.8%. Nga organizatorët, ky rezultat është tregues i nevojës për një punë të mëtejshme me mësuesit për njohjen e të drejtave të fëmijëve dhe forcimit të kontrollit shtetëror të zbatimit të tyre në shkollë. Ndërkaq, ndër armët që përdorin mësuesit teksa ushtrojnë dhunë psikologjike mbi nxënësit e tyre janë epitetet fyese, të bërtiturit, nxjerrje jashtë orës së mësimit, kërcënim me thirrjen e prindit apo me uljen e notës. Përbuzjen më të madhe nxënësit e ndiejnë në bazë të ecurisë që kanë në mësime. Të pyetur nga gazeta për këtë, disa nxënës thonë se nxënësit e dobët apo ata me një ecuri jo të mirë në mësime përbuzen dhe fyhen nga mësuesit në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ata më të mirët përbuzen nga bashkëmoshatarët, nxënësit e tjerë duke u quajtur çuna apo goca mami, urithë librash etj. Por për grupin organizator të anketimit, përgjigjet e nxënësve janë parë nga një tjetër këndvështrim. Sipas "Zëri i fëmijëve 16+", arritjet mësimore konsiderohen një element i rëndësishëm i krijimit të personalitetit të nxënësve dhe në këtë këndvështrim, ato mund të shqyrtohen si një motivim i mundshëm për të rritur rezultatet në mësime. Ndoshta në këtë drejtim mund të shtohen vëmendja për të shtuar në sasi dhe cilësi stimujt vlerësues për nxënësit me arritje më të mira mësimore. Ndërkaq, nuk mungojnë rastet kur nxënësit detyrohen që të qëndrojnë para klasës në pozicione të parehatshme poshtëruese. Më të ashpra në shkeljen e të drejtave të fëmijëve, sipas të anketuarve janë mësueset, sesa mësuesit. Drejtori thirret në konflikte të pamenaxhueshme nga mësuesit dhe në këto raste mënyra e ndërhyrjes së tij është konceptuar si shkelje e të drejtave nga 9,2 për qind e nxënësve. Më pak dhunues shfaqet pozicioni i nëndrejtorit në shkollë. Figura e rojës në shkollat 9-vjeçare shfaqet gjithashtu si agresive. Nxënësit e pyetur në mjaft raste e kanë ngritur si shqetësim sjelljen brutale të rojës së shkollës. Ndërkohë që vendin e parë vetë fëmijët për sa i përket dhunës dhe mosrespektimit të të drejtave ia lenë njëri-tjetrit. Grindjet, sherret dhe sharjet mes tyre gjithsesi ndodhin në ambientet shkollore, atje ku shkojnë për të mësuar dhe për t‘u edukuar, ndërsa gjejnë terrenin e përshtatshëm për të treguar "fuqinë" personale dhe të grupit. Por ndërsa raportohet për dhunë psikologjike dhe fizike mbi nxënësit në godinat e arsimit, fëmijët janë të vetëdijshëm edhe se pozicioni i tyre ka ndryshuar. Nxënësit pranojnë se ata janë pjesë e vendimmarrjes nëpërmjet qeverive të nxënësve, përfaqësuesve të tyre. Ndërkaq, nxënësit ngrenë në formë kërkese shqetësimet për pasurimin e bibliotekave të shkollave, zgjerimin e rregullimin e shkollave, ndërtimin e palestrave dhe terreneve sportive në shkollë dhe lagjet e banimit, kërkojnë më shumë pastërti dhe siguri në shkolla. Nxënësit kërkojnë që të ketë roje shkolle 24 orë, por të mos jenë të paguar nga ata.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›