E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa kthehet në bankat e shkollës

Nën sloganin "Politikanë kthehuni në shkollë, është koha të kontribuoni" deputeti i Durrësit dhe njëkohësisht ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka shkuar mes nxënësve të ish-shkollës së tij. I shoqëruar nga kreu i Arsimit në Durrës, Vaso Papaj, jo pa emocion për këtë rikthim në bankat e shkollës së tij, Oketa u njoh me problemet e fëmijëve dhe premtoi angazhimin personal për të ndryshuar situatën. Aktiviteti u organizua nga qendra "Fëmijët Sot", "Save the Children" dhe organizata fëminore "Zëri 16+" në kuadër të fushatës globale "Arsim për të Gjithë". Në shkollën "14 Nëntori" në periferi të Durrësit u organizua takimi: "Zbatimi i të drejtave të fëmijëve në shkolla". Gjatë tij u fol edhe mbi rezultatet e anketimit të kryer në 5 shkollat 9-vjeçare të Durrësit ku pranohet ekzistenca e dhunës fizike dhe psikologjike në shkolla, kryesisht nga mësuesit. Qëllimi i fushatës globale në Shqipëri është ndërgjegjësimi i qeverisë shqiptare, politikanëve, pushtetit vendor dhe publikut të gjerë për problemet e arsimimit të fëmijëve në Shqipëri, veçanërisht arsimimit të vajzave dhe fëmijëve të grupeve vulnerabël, fenomenit të braktisjes së shkollës dhe të fëmijëve të përjashtuar nga arsimi, si dhe krijimit të kushteve për shkolla sa më miqësore. Në kuadër të këtij qëllimi, aktiviteti në Durrës synoi ndërgjegjësimin publik për çështjet e shkollimit të fëmijëve, duke i afruar më pranë fëmijët dhe politikanët, përfaqësuesit e pushtetit lokal për të kontribuar së bashku në godinat shkollore dhe situatat e krijuara brenda tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›