E Shtunë, 31 Tetor 2026

KU NDODHET UNIVERSITETI IM?

Më 11 e 12 prill u zhvillua në Universitetin Katolik të Louvain -La-Neuve, në Belgjikë, kolokiumi ndërkombëtar "Mendimi ikonik", organizuar nga Departamenti i Komunikimit i këtij universiteti me rastin e daljes në pension të një prej specialistëve më të shquar të komunikimit, profesor Emeritatus Jean Pierre Meniuer. Në këtë veprimtari ishim të ftuar: autori i këtij reportazhi dhe zv/rektori i UE "A. Xhuvani", Luçiano Boçi. Natyrisht, ishte një rast i mirë për të parë nga afër jo vetëm përvojën e organizimit të një veprimtarie të tillë, por edhe për t‘u njohur me një nga universitetet më të vjetra në Evropë. Universiteti Katolik i Louvain-it është krijuar më 1425 dhe, për nga vjetërsia, është i dyti në Evropë pas atij të Bolonjës. Lidhja me këtë universitet dhe me profesorin e shquar J. P. Meunier nisi katër vjet më parë, atëherë kur, për nevojat e lëndës së re të Teorisë së Komunikimit që do ta mbaja në degën e sapohapur të gazetarisë së Universitetit të Elbasanit, endesha nëpër sitet e ndryshme të universiteteve të Evropës dhe kërkoja një tekst të plotë universitar.

Dhe në çdo rast më bënte ballë e më shfaqej një: "Introduction aux théories de la comunication" me autorë Jean Pierre Meunier dhe Daniel Peraya. I them tim biri, i cili studion në Universitetin e Gjenevës të ma blejë e të ma sjellë. Ashtu u bë. Është vërtet një nga tekstet themelore të teorive të komunikimit. Gjithë ata kolegë të mi në Elbasan e në Tiranë që e kanë parë këtë tekst kanë qenë në një mendje me mua. Këtë unë pata rast ta verifikoja edhe tani që isha në Belgjikë, kur, profesorë nga të katër anët e botës, shpreheshin se J. P.Meunier është një nga teoricienët më të mëdhenj të komunikimit të paktën në arealin frankofon. Kështu, hap pas hapi, nisa ta lexoj e ndërkaq edhe ta përkthej këtë vepër dhe kanë kaluar pothuaj tre vjet që ky tekst i rëndësishëm është bërë jo vetëm për studentët e mi, por edhe për mua një libër tavoline. Në fakt, teksti ka dy autorë; veç J.P. Meunier është edhe Daniel Peraya, i cili ka hartuar një kapitull. Dhe me këtë të fundit nisi bashkëpunimi ynë që u kurorëzua në Louvain-La-Neuve dhe u finalizua në Gjenevë. Ndërkaq, nuk e kisha menduar se një ditë unë do të isha i pranishëm në një veprimtari kushtuar profesorit të shquar dhe se këtej e tutje, J.P.Meunier dhe D. Peraya do të bëheshin jo vetëm miqtë e mi, por edhe kolegë, sepse me ta, tashmë, bashkëpunimi është në nivel kolegësh.

***
E kështu, më 10 prill, nisemi për në Belgjikë. Udhëtojmë me linjën Tiranë-Vjenë-Bruksel. Natyrisht, sot, shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit nuk befasohen më nga shkëlqimi i Perëndimit. Ndoshta ka mbetur larg koha kur, sapo uleshe në një aeroport të huaj, mbeteshe si i mpirë nga një realitet që nuk ngjante aspak me atë të vendit tënd. Moria e shenjave, orientimi në një aeroport gjigand apo në një stacion treni, gjithashtu gjigand, janë bërë të natyrshme për shqiptarët, ashtu siç janë të natyrshme edhe ambientimi i menjëhershëm me komoditetin në Perëndim. Këto reflekse shqiptarët i kanë fituar falë edhe zhvillimit që ka sjellë demokracia në vendin tonë dhe veçanërisht hapja dhe kontaktet e vazhdueshme. Mirëpo, vetëm kaq se, sapo vëren që ti nuk çuditesh me hotelin ku je vendosur, me autoveturat që shikon, apo me ushqimin që ha, ti ndjehesh i trishtuar kur sheh dhe prek vetë traditën e Perëndimit dhe kahjen nga ecën zhvillimi i tyre. Mjaft të përmendim dy fakte. Cilido që udhëton në Evropë ka vënë re se transporti hekurudhor është mënyra thuajse e vetme për të arritur atje ku ti dëshiron. Është më i shpejtë, më i sigurtë, më ekologjik, është si të thuash shenja që dallon Perëndimin.

Ndërsa askush nuk mendon se ka ardhur koha që ky shërbim të nisë e të zhvillohet edhe te ne, si shenjë që një ditë mund të na bëjë të ngjashëm me Perëndimin. E dyta, në asnjë vend tjetër të botës nuk sheh lumë makinash që mësyjnë qendrën e kryeqytetit si te ne, sepse askush në Perëndim nuk i përdor autoveturat si te ne dhe pastaj mungesa e tramvajeve apo linjat qytetëse të lodhura, i japin vendit tonë pamjen e një qytetërimi që po shkon më shumë nga Lindja sesa nga Perëndimi, që ngjan më shumë me kryeqytetet aziatike sesa ato perëndimore. Në asnjë vend tjetër nuk ndodh që brenda një hapësire aq të ngushtë sa ç‘është Tirana jonë, bie fjala, të vërtiten në boshllëk mijëra njerëz, duke të dhënë më shumë imazhin e periferisë së Stambollit, por kurrsesi atë të një qyteti evropian. Kjo përshtypje është e para dhe më pas, ti vëren me trishtim se edhe ne po zhvillohemi, por kahja jonë, për fat të keq, shkon në të kundërt të kahjes se zhvillimit të vendeve të Evropës. A thua mund të takohen një ditë? Ndoshta, por do të duhen shumë e shumë kohë. Le të kthehemi tek udhëtimi ynë. Marrim trenin në Bruksel dhe nisemi për në Louvain-La-Neuve, Cité Universitaire, që ndodhet rreth 40 kilometra larg Brukselit. Qyteti universitar i themeluar gjashtë shekuj më parë është i vendosur mbi një pllajë dhe në fund, pak poshtë, ishte mbërritja. Ngjitemi lart, futemi në ambientet e stacionit të trenit dhe sapo dalim jashtë na shfaqet një qytet që ka shenjat e një mjedisi antik me rrugët e shtruara me gurë dhe me atë ngjyrën gri e kafe që alternohen vazhdimisht.

Godina të vjetra, hijerënda, me çati të pjerrëta, një kampus i vërtetë universitar që të mbush me një paqe të thellë. Askund, asnjë makinë, as njerëz, vetëm studentë dhe kalimtarë që ecin shpejt me kokën ulur. Pyesim se ku mund të marrim një taksi për të shkuar në hotelin që na ishte rezervuar, por të gjithë na thonë se këtu nuk ka taksi, nuk ka asnjë shërbim automobilistik. Brenda qytetthit lëvizet në këmbë ose me biçikletë. Po si mund të shkojmë në hotel pyesim ne. E kini shumë afër, vetëm dhjetë minuta. Mirëpo ne, nuk mund të orientohemi dot dhe këmbëngulim për taksi aq sa fillojmë të tregojmë në ndonjë rast edhe nervozizmin ballkanik për mungesën e një shërbimi të tillë. Në fakt, hoteli ynë ndodhej jashtë qytetit në një park që ngjiste shumë me Parkun e madh të Tiranës. Dikur një punonjëse e stacionit, pasi e pa këmbënguljen tonë, lajmëron me telefon një taksi, thërret një punonjës të stacionit dhe i thotë që të na shoqërojë deri te vendi ku duhet të marrim taksinë. Marrim bagazhet dhe nisim të lëvizim. Në dalje të stacionit përballemi me shoferin e taksisë. Po pse me taksi, thotë edhe shoferi. E kini shumë afër. Ne tani na duhet të bëjmë rrethin e madh e pastaj të vemi në hotel. Unë mendova se do të na duhet ndoshta një orë për të arritur në hotel. Në fakt, pas 15 minutash ishim në hyrje të Hotel Mercur-it, i cili ishte vendosur në një park që ngjante shumë me Parkun tonë të Liqenit të Tiranës. Sapo hymë më tërhoqën vëmendjen njoftimet që ishin vënë në xhamat e derës kryesore të hotelit, të cilat lajmëronin orarin e seminareve dhe grupeve apo të degëve të ndryshme të studentëve që zhvilloheshin në ambientet e brendshme të hotelit.

Pasi u sistemuam dhe kur po vërtiteshim në hollet e brendshme të tij, në një çast, afrohem te sporteli dhe e pyes punonjësin e hotelit që ishte edhe pronari i tij në lidhje me këto njoftime dhe ai më tha se hoteli i tij kishte një kontratë njëvjeçare me universitetin, sipas së cilës disa nga seminaret e rëndësishme në degët e drejtësisë apo të ekonomisë zhvilloheshin aty. E, në fakt, ne vazhdimisht shihnim grupe studentësh e pedagogësh që në seanca pushimi, dilnin jashtë, qoftë për të tymosur, qoftë edhe për t‘u çlodhur dhe në këtë rast diskutonin me njëri-tjetrin, herë duke debatuar e herë duke treguar ndonjë anekdotë, sepse, kjo binte në sy, të paktën nga jashtë. Studentë të veshur thjeshtë, që, mbledhur grupe-grupe, qeshnin, bënin shaka, diskutonin po kurrë me zë të lartë. Ti që ishe larg tyre një ose dy tavolina nuk ndjeheshe kurrë i bezdisur as nga zëri i tyre, as nga sjellja. Vajza të nacionaliteteve të ndryshme, por pa tualet, të veshura përgjithësisht me xhinse, por të mbuluara në të gjitha anët dhe pa as më të voglin teprim qoftë në fundin e shpinës, qoftë në gjoks. Vajza dhe djem normalë, studentë...dhe ti sillje në mend studentët e tu dhe ambientet ku jetonin ata. Natyrisht jo të gjithë studentët e Louvain-La-Neuv-it i zhvillonin seminaret në hotel "Mercur", por edhe ata, ose ato që ne pamë në ambientet e kampusit universitar ishin njëlloj.

Pra, ... menjëherë ti duhet të sillje në vështrim ambientet dhe studentët e studentet shqiptare që, jo vetëm nuk kishin gjë të përbashkët me këto që po shihnim ne, por nuk kishin edhe asnjë lidhje. Pse? Kush ka pasur rastin të hyjë në Qytetin Studenti në Tiranë apo në ambientet e fjetoreve të studenteve të universiteteve si Elbasani, fjala vjen, vëren grumbuj njerëzish e makina, sidomos makina me targa e pa targa, me muzikë deri në kupë të qiellit e djem të qendrës apo sidomos të periferive që "gjuajnë" vajza, djem ose meshkuj që nuk kanë asnjë lidhje me studentët, por që e çojnë një pjesë të madhe të jetës në këto ambiente. Kush ka parë në Tiranë ambientet afër godinave të fakulteteve ka vënë re se baret, kafenetë, uiski e konjaku, tavolinat plot, muzika, vajza të lyera dhe thuajse të zhveshura krejtësisht çojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre këtu. Pra, universiteti te ne, kampusi universitar, në imazhin kolektiv të të rinjve shqiptarë, në pjesën më të madhe, projektohet si një vend ku realizohen kënaqësitë ekstreme; seksi dhe alkooli, duhani dhe bisedat me zë të lartë, ku tregohen gjithfarë banalitetesh. Ata që bëjnë përjashtim nga ky rregull vështrohen me përçmim nga turma e madhe që e mban veten për "garip" ose "garipe", që vjen në shkollë jo për të mësuar, por për një dorë qejf, ose një dorë muhabet. Kjo tipologji sa vjen e bëhet zotëruese në ambientet tona universitare dhe sot e gjithë ditën, që të ndjehesh student në Shqipëri duhet që të mos kesh asnjë lidhje me atë që bëhet në shkollë, por të jesh në vendin e caktuar dhe në kohën e caktuar atje ku zhvillohet parada e modës provinciale shqiptare, në bar ose në disko.

Miti i barit dhe i diskos, rrethimi i ambienteve universitare vetëm me bare dhe lokale pa fund duket se motivon monotoninë apo limontinë provinciale të jetës në Shqipëri. Ka shumë arsye, por mungesa e motivimit, bindja se universiteti të duhet për një diplomë që ta çosh në zyrën e kuadrit të partisë së radhës që vjen në pushtet ose t‘ia rrasësh në xhep deputetit më të parë që të ofron "lehtësi" punësimi, është shtysa themelore e motivimit dhe, për fat të keq, tempulli i dijes, vendi që të ndryshon jetën dhe të jep një shans më shumë, ende nuk ofrohet si mundësi nga universiteti shqiptar. Ky imazh ka mbetur larg i tretur në mjegullën e trashë të zhgënjimit tonë demokratik dhe është në themelet e këtij shfytyrimi që po përjeton shkolla shqiptare dhe universiteti te ne. Pasi e përzë nga imagjinata këtë pështjellim, ti ndien se një gjë e rëndë të është këputur në bark dhe duke parë këta studentë dhe këtë jetë që çojnë ata, nis e pezmatohesh, sepse pyetjes se kur do të vijë dita që edhe ambientet e universiteteve shqiptare të bëhen si këto që po viziton, ti nuk i jep dot të një përgjigje. E kështu, në Louvain -La-Neuve ka nisur të bjerë mbrëmja dhe ne tani e kemi mësuar se rruga nga hoteli deri në kampus është shumë e shkurtër dhe kalon përmes pyllit, pastaj kalon rrugën e futesh si me thënë në qytetin "Studenti" dhe ashtu bëmë edhe ne. Nesër do të fillonte kolokiumi, veprimtaria për të cilën kishim ardhur.

***

Kolokiumi fillonte në orën nëntë në auditorin ‘Agor‘ 14 dhe ne kishim kohë që po prisnim të vinte të na merrte profesori i Universitetit të Gjenevës, Daniel Peraya. Në 9 pa një çerek para hotelit ndalon një "Citroen" bezhë dhe sapo zbriti, ne e njohëm menjëherë Perayan. Bashkë me të ishte edhe profesori i Universitetit të Sorbonës, Bernard Darras. Përshëndetemi dhe nisemi. Peraya është shumë energjik dhe me humor. I them se këtej e tutje jo do të jini ura që do të na lidhë jo vetëm me Louvain-La-Neuve, por edhe me Universitetin e Gjenevës. A, qesh ai, po e di ti që ura si shenjë shpesh projektohet si objekti i parë që duhet hedhur në erë. Po i them në kohë lufte. Jo, më thotë edhe në kohë paqeje kur lidhjet i krijon me mentalitetin e luftës e të betejës. Qeshim dhe në fakt arritëm në parkingun poshtë qytetit. Futemi në ambientet e departamentit të komunikimit dhe që andej në sallën ku do të mbahej kolokiumi. Është një sallë amfiteatër e thjeshtë jo shumë e madhe, por shumë funksionale me prozhektorë anash dhe me qendër zëri e mikrofona mizë siç quhen. Gjithë këtë e menaxhon një prej pedagogëve.

Ai drejton mikserin e zërit dhe rregullon edhe ndriçimin. E gjitha kjo ndodh sepse kolokiumi, pas disa ditësh, në audio, mund të ndiqej edhe "on line". Ndërkaq ne jemi takuar me presidentin e departamentit të komunikimit Gérard Derèze, dhe ai na njeh edhe me pjesëmarrësit e tjerë e natyrisht edhe me Jean Pierre Meunier. Më vjen mirë thotë ai që qenkam i njohur edhe në Shqipëri. Ndërkaq fillon kolokiumi. Është rasti të verifikojmë veten, të shohim se sa afër e larg jemi me atë botë ku synojmë të shkojmë dhe për të cilën flitet e flitet në tavolinat folklorike shqiptare. E hap kolokiumin Derèze. Në fakt e kam të lehtë të orientohem, sepse gjithë ajo që do të diskutohej më pas vërtitej rreth kontributit të Meunier në fushë të teorive të komunikimit, teori që ai me mjeshtëri i ka mbledhur, i ka shtjelluar dhe i ka çuar më tej në librin që unë kam tre vjet që e njoh. Kolokiumi titullohej "Mendimi ikonik: për një afrim njohës të leximit të imazheve" dhe siç thuhej në fletëpalosjen që shoqëronte veprimtarinë, ai, kolokiumi, synonte të paraqiste gjendjen e punimeve dhe të kërkimeve të reja që kanë të bëjnë me thelbin njohës të komunikimit dhe vendin e imazheve (materiale dhe mendore) në komunikim. Ai do të merrej gjithashtu me paradigmat e ndryshme të kërkimit që e kanë përqendruar vëmendjen në studimin e shenjave ikonike në dhjetëvjeçarët e fundit dhe për të cilat J. P. Meunier, në planin shkencor, ka kontribuar fuqimisht. Kështu, ndihmesa e tij, sidomos në fusha të tilla si psikologjia e kinemasë, semiologjia dhe semio-pragmatika e imazhit e, më në fund, semiotika njohëse, janë unike dhe shënojnë pikën më të lartë të këtyre studimeve në kohën tonë.

Rreth këtyre argumenteve nisin diskutimet. Dhe nga një referat në tjetrin ne fillojmë dhe futemi në një botë tjetër. Flitet për imazhin e bashkëbisedimit, për imazhin dhe narrativitetin, funksionimi i harresës, kuptimi imazhit, pragmatika agonistike, inferenca ikonike, raporti i imazhit dhe rrëfimit, studimi i shenjueshmërisë së objekteve ose imazhet në veprim, ekologjia e perceptimit, kontrata e leximit, etj. Por na tërhoqi, veç të tjerash, edhe ishte ligjërata e Therry De Smedt me titull: Muzeu, mes magjepsjes dhe diferencimit refleksiv. Me një gjuhë të thjeshtë ai nis të argumentojë se në muze një vizitor mund të ndjehet ose si një shëtitës, ose si një eksplorator, ose si një soditës ose si i nënshtruar nga trysnia e imazheve muzeale. Për këtë ai ndërton dy boshte dhe zgjedh katër mjete: boshti i parë fluks deri stok dhe boshti i dytë nënshtrim autonomi. Në boshtin e parë ai rendit nga e majta në të djathtë atë që ndien një vizitor kur gjendet nën fluksin e imazheve muzeale, sipas gjendjeve që provon: në fillim provon një ndjenjë të veçantë, pra ndiesore, është para një spektakli, pra spektakolare, dëgjon rrëfimin, pastaj dialogun, pastaj bashkëbisedimin, pastaj ka ndjesinë enciklopedike se ato që dëgjon e sheh i shfaqen në gjithë paradigmën, fluksi është i bazuar në të dhëna etj. Pra ky është boshti nga fluksi te stoku.

Boshti tjetër nga nënshtrimi që provon prej peshës së imazheve deri tek autonomia, përbëhet nga magjepsja, pastaj gjendja e spektatorit, zbulimi, interpretimi, kërkimi, dokumentacioni, kontekstualizimi dhe nga vetëdija kritike në fund. Nëse këto dy boshte do t‘i vendosnim perpendikular me njëri-tjetrin, pra boshtin fluks-stok horizontal dhe nënshtrim-pavarësi vertikalisht do të zbulonim katër tipet e vizitorit që vihen re në muze e që janë: shëtitës, eksplorator, soditës dhe i nënshtruar. Por jo vetëm ky referat, por gjithë ligjëratat kishin aromën e shkencës që shpjegon dhe argumenton duke u mbështetur në nivelet e fundit dhe më të arrirat të dijes sot. Në fund J. P. Meunier bëri konkluzionet dhe paraqiti disa nga kërkimet më të fundit të tij. Ndërkaq ajo që më bëri përshtypje ishte ngrohtësia me të cilën e rrethonin gjithë kolegët profesorin e tyre që po dilte në pension. Jo vetëm vlerësim, por shumë emocion, fjalë të thëna me gjithë shpirt dhe shumë respekt. Një nga kolegët e tij që kishte qenë për shumë kohë edhe asistenti i prof. Mëunier, Fhilippe Verhaegen me një humor fin e përshkoi gjithë veprimtarinë e profesorit të tij, duke luajtur me. P.sh., në hyrje të librit të prof. Mëunier është një portret i Miterranit gjatë fushatës elektorale të viti 1974, së cilës autori i bën një analizë fenomenologjike. Kolegu i tij, në video-projektor, në vend të kësaj fotoje, kishte vënë portretin e Meunier dhe i bënte atij një analizë fenomenologjike, natyrisht me humor.

E kështu deri në fund. Ndërkaq, mua më vinte në mend atmosfera agresive, mëritë, dallkaukllëku dhe smira provinciale, shuarja e jetës akademike në departamente dhe vërshimi i llumit intelektual që ka kapluar jetën tonë universitare dhe që reflektohet veç të tjerash edhe te studentët. Ditën tjetër nisin bisedimet zyrtare për të ndërtuar marrëdhëniet mes këtij universiteti dhe universitetit tonë. Biem në një mendje që të hartojmë projektin dhe të punojmë që ta finalizojmë në një kohë sa më të shpejtë. Me rastin e botimit të tekstit të profesor Meunier që unë po e përfundoj së përkthyeri, vetë ai dhe Peraya më premtojnë se do të vijnë në Shqipëri. Me kaq kolokiumi mbyllet dhe ne ditën tjetër vizitojmë Brukselin. Pas kësaj do të na duhet të udhëtojmë në Gjenevë.

***

Marrim trenin për në Bruksel-Paris-Gjenevë. Zakonisht bashkudhëtarët nuk i zgjedh, por kur ata qëllojnë të këndshëm udhëtimi shkon mirë. Mua më vjen në mend një këngë e Charle Aznavoure për trenat dhe dëgjoj se bashkudhëtaret e mia flasin rusisht. Janë dy gra dhe një fëmijë. Edhe unë po lexoja, më saktë kisha marrë librin e bukur të Ben Blushit "Të jetosh në ishull". Gjermanisht, më pyet një nga gratë. Jo i them, shqip. A! Albania!. Kaq u desh dhe biseda nisi. Ajo që më bëri përshtypje jo vetëm në këtë rast, por edhe në Belgjikë, ishte se sapo u thoshe jam nga Shqipëria askush nuk çuditej, ndryshe nga vite më parë që vendin tënd e kishin të vështirë ta dallonin. Biseda natyrisht do të shkonte te Kosova dhe Amerika. Duke u përpjekur t‘u argumentoja dy ruseve se përse pavarësia e Kosovës ishte një zgjidhje e drejtë, vija re se kisha përballë dy bashkëbiseduese të mpira. Argumentet e tyre ishin zyrtare, më dukej se po flisja me Putinin. E të mendosh se ato të dyja kishin njëmbëdhjetë vjet që ishin larguar nga Rusia.

Hija e diktaturës së ndritur të Putinit ishte e pranishme. Kur i pyeta për Kasparovin ato si me habi më thanë ç‘është ky Kasparov? Ishte e kotë dhe dikur vura re se edhe ato nuk thoshin atë që ndienin, por recitonin atë që kishin në bark, domethënë frikën. Në Paris ndërrojmë trenin dhe nisemi për Gjenevë. Atje do të takoj djalin që ka katër vjet që studion dhe Daniel Perayan që është bashkëpunëtor i jashtëm i Departamentit të Komunikimit në Louvain-La-Neuve dhe pedagog në Universitetin e Gjenevës. Me gjithë aventurën e pakëndshme në stacionin e trenit në Gjenevë, mbërritjen në këtë qytet mezi e kisha pritur. Bashkë me djalin tim Bledin, që është në vitin IV në degën e ekonomisë në Universitetin e Gjenevës, përgatitemi të shkojmë në darkën që kanë shtruar për ne familja e Benedicte dhe Corinë De Tcharner. Është një nga familjet e vjetra të Gjenevës dhe Zvicrës. Gjithçka në shtëpinë e tyre është stil dhe histori. Orendi e piktura të shek. XVI. Jo luks i shfrenuar, përkundrazi shumë elegancë dhe shumë qytetërim. Biseda nis me zhvillimet në Shqipëri e mbaron tek efektet e krizës globale. Miqtë e mi De Tcharner më premtojnë se do të vijnë shumë shpejt në Shqipëri. Ditën tjetër do të vizitojmë Universitetin e Gjenevës ku studion im bir dhe shumë shqiptarë të tjerë. Ata punojnë dhe studiojnë. Zvicra është shteti më social në Evropë dhe sidomos Gjeneva është një nga qytetet më të mira në botë për kushtet e jetesës. Shkojmë në universitet dhe na shfaqet para një godinë hijerëndë që mua, si nëpër tym më kujton... Po, më thotë im bir, arkitekti ka stilizuar burgun amerikan me dy blloqe anash që lidhen me shkallë dhe në mes hapësira me dritë e mbuluar me xham që të shpërndajë ndriçimin në mënyrë uniforme.

Jo vetëm shumë funksionale, por edhe me një lloj ironie që të shërbejë si argument shakaje në seancat e çlodhjes së studentëve. Brenda janë të gjitha sallat e leksioneve, biblioteka, mensa aq sa edhe në çdo hapësirë bosh ka një tavolinë ku ti si student mund të ulesh të nxjerrësh labtopin e të punosh. Takoj Endrin e Arbrin nga Tirana, por edhe shumë e shumë të tjerë që më pyesin se çfarë bëhet në Shqipëri. Nis t‘u them gjërat e mira, por nuk mund të rri pa u thënë se vendi i tyre ende nuk është gati që të përthithë këtë brez të diturish që po shkollohet jashtë. Pasdite do të takohem edhe me profesor Perayan për të finalizuar projektin e bashkëpunimit. E kemi lënë të takohemi në orën 20 e 15 tek Universiteti. Takohemi dhe nis biseda. Marrim me radhë të gjitha projektet ku mund të përfshihemi edhe ne dhe shohim se hapësirat janë të mëdha. Kemi skicuar tri të tilla dhe çohemi të darkojmë në një lokal që e kishim rezervuar që më parë. Të nesërmen do të nisemi për në Shqipëri. Në aeroportin e Gjenevës mbërrijmë në 6 e gjysmë të mëngjesit dhe ka ardhur koha të ndahemi. Mezi arrij të mbaj lotët kur shkëputem nga krahët e djalit tim, Bledit. Po tashmë jemi futur në avion dhe unë ashtu si shumë shqiptarë të tjerë jam mësuar me përmasën e re të jetës në demokraci. Djali do të rrijë në Gjenevë që të studiojë dhe ne familja e tij do të rrimë në Shqipëri. Evropa kështu të duket se mund dhe duhet të bëhet atdheu ynë i madh, vendi që mund të na përfshijë edhe ne dhe të na bëjë që ta ndiejmë si të natyrshme që sot ti mund të gjendesh në Tiranë dhe pas një jave në Universitetin Katolik të Louvain-La-Nueve, pastaj në Gjenevë e përsëri në Tiranë. Është e vërtetë që distancat janë zvogëluar, por mentaliteti ynë, mediokriteti dhe kahu i gabuar që kemi zgjedhur, për fat të keq, të bën që të ndjehesh se mund të jesh vërtet në Belgjikë e në Zvicër me trup, por nga mendja je diku në rrethinat e Stambollit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›