E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dhuna nuk duhet të jetë kurrë rruga”. Liderët botërorë reagojnë ndaj të shtënave në Washington në eventin e Trump

Udhëheqësit nga e gjithë bota kanë dënuar incidentin e së shtunës në Washington Hilton, ku gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u dëgjuan të shtëna me armë. Presidenti amerikan Donald Trump, Zonja e Parë Melania dhe zyrtarë të lartë u evakuuan menjëherë, ndërsa një oficer i Shërbimit Sekret u plagos lehtë falë jelekut antiplumb.

Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti incidentin “të papranueshëm”, duke theksuar se “dhuna nuk ka vend në demokraci” dhe duke ofruar “mbështetje të plotë për Donald Trump”.

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, e cilësoi ngjarjen “thellësisht shqetësuese”, ndërsa shtoi se “dhuna politike nuk ka vend në jetën publike dhe duhet të refuzohet me vendosmëri”.

Edhe kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh se ishte “i tronditur” nga ngjarja, duke shtuar se “çdo sulm ndaj institucioneve demokratike apo lirisë së shtypit duhet të dënohet me termat më të fortë të mundshëm”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se “dhuna nuk ka vend në politikë, kurrë”, duke falënderuar autoritetet për reagimin e shpejtë që siguroi sigurinë e të pranishmëve.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, theksoi se “një aktivitet i menduar për të nderuar shtypin e lirë nuk duhet të kthehet kurrë në një skenë frike”, duke uruar “shërim të shpejtë” për oficerin e plagosur të Shërbimit Sekret.

Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi në platformën X duke thënë se ishte i lehtësuar që Presidenti dhe të ftuarit janë të sigurt, duke shtuar se “dhuna politike nuk ka vend në asnjë demokraci”.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, u shpreh se ishte mirë që Trump dhe bashkëshortja e tij janë të padëmtuar, duke theksuar: “Dhuna nuk duhet të jetë kurrë rruga”.

Nga Australia, kryeministri Anthony Albanese përgëzoi Shërbimin Sekret për reagimin e shpejtë.

“Ne duartrokasim punën e Shërbimit Sekret dhe agjencive të zbatimit të ligjit për veprimin e tyre të shpejtë,” tha ai

Ndërsa ambasadori britanik në SHBA, Christian Turner, i pranishëm në sallë, falënderoi agjentët për profesionalizmin dhe uroi shërim të shpejtë për oficerin e plagosur.

I dyshuari, Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, ndodhet në paraburgim dhe po vlerësohet në një spital lokal. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar motivet e sulmit, ndërsa liderët botërorë kanë dërguar mesazhe solidariteti dhe kanë theksuar se demokracia nuk mund të cenohet nga aktet e dhunës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›