Dhuna policore në protestën e 12-të studentore, Berisha thirrje Prokurorisë: Të nxjerrë para ligjit efektivët e dhunshëm, të sekuestrojë planin e përhapjes së tyre në Tiranë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë veprimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të policisë, të cilët i akuzon për dhunë ndaj studentëve dhe qytetarëve gjatë protestës së 12-të studentore të zhvilluar në Tiranë.

Në deklaratën e tij pas protestës, Berisha kërkoi sekuestrimin e planit të dislokimit të forcave të rendit dhe identifikimin e efektivëve që, kanë qëlluar ndaj protestuesve paqësorë me pumba gome e jo vetëm, në sy, ballë dhe gjoks.
Në përfundim, Berisha shprehu mirënjohjen e tij ndaj mbështetësve ndërkombëtarë, duke përmendur Kongresin e SHBA-së, Parlamentin Europian, Këshillin e Europës dhe Bundestagun, për mbështetjen e protestës studentore dhe qëndrimin kundër dhunës ndaj studentëve.
“Ata (efektivët e policisë) sillen si të droguar dhe janë të droguar një pjesë e tyre. I bëj thirrje prokurorisë të vërë para ligjit këta punonjës që sillen kështu ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojnë menjëherë planin e përhapjes së forcave të rendit, të identifikojnë vrasësit me pagë 20.500 euro që marrin shënim në syrin, ballin apo gjoksin e protestuesve paqësorë, ndërkohë që ato armë lejohen të përdoren vetëm në raste ekstreme, në gjymtyrët e poshtme. Jam këtu gjithashtu për të shprehur mirënjohjen e pakufishme ndaj miqve tanë në Kongresin e SHBA-së, Parlamentin e Ri, Këshillin e Europës, Bundestag, për mbështetjen e revoltës studentore dhe qëndrimin e tyre kundër dhunës ndaj studentëve”,- tha Berisha,