Dhuna ndaj të rinjve në protestë, ish-kreu i Dhomës Amerikane, Enio Jaço: Po humbasim besimin te institucionet! Mijëra njerëz në rrugë, zemërimi dhe përplasja duhet të na shqetësojë
Ish kreu i Dhomës Amerikane, Enio Jaço ka pas protestës së sotme në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës dhe pasojat që situata mund të ketë në shoqëri.

Në reagimin e tij, Jaço thekson se përtej asaj që ndodh në rrugë, shqetësuese është edhe humbja e besimit te institucionet, respektit mes qytetarëve dhe aftësisë për të pranuar mendimet e ndryshme pa u kthyer në kundërshtarë.
Ai ngre shqetësimin se zemërimi, dhuna dhe përçarja po rrezikojnë të kthehen në fenomene të normalizuara, ndërsa dialogu po zëvendësohet nga përplasja.
“Sot Tirana pa një pjesëmarrje masive por edhe dhunë masive. Mijëra njerëz në rrugë, zemërim, përplasje dhe pamje që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, pavarësisht se në cilën anë qëndrojmë. Pas gjithë kësaj, pyetja nuk është vetëm kush ka faj. Është çfarë mbetet nga një shoqëri kur dialogu zëvendësohet nga përplasja, kur frika bëhet pjesë e përditshmërisë dhe kur askush nuk duket më i gatshëm të dëgjojë tjetrin”, shkruan ndër të tjera Jaço.
Reagimi i plotë
Çfarë po humbasim si shoqëri?
Nuk është vetëm ajo që po ndodh në rrugë. Është ajo që po ndodh me ne.
Po humbasim besimin te institucionet, respektin për njëri-tjetrin dhe aftësinë për të menduar ndryshe pa u kthyer në armiq.
Po humbasim idealizmin e të rinjve, qetësinë e prindërve dhe bindjen se e nesërmja mund të jetë më e mirë.
Por mbi të gjitha, po humbasim ndjeshmërinë.
Po mësohemi me zemërimin, me dhunën, me përçarjen. Me gjithçka që dikur do të na kishte tronditur.
Sot Tirana pa një pjesëmarrje masive por edhe dhunë masive. Mijëra njerëz në rrugë, zemërim, përplasje dhe pamje që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, pavarësisht se në cilën anë qëndrojmë.
Pas gjithë kësaj, pyetja nuk është vetëm kush ka faj.
Është çfarë mbetet nga një shoqëri kur dialogu zëvendësohet nga përplasja, kur frika bëhet pjesë e përditshmërisë dhe kur askush nuk duket më i gatshëm të dëgjojë tjetrin.
Dhe kjo është ndoshta më e trishta.
Një shoqëri nuk rrënohet vetëm kur njerëzit përplasen. Rrënohet edhe kur fillojnë ta konsiderojnë normale atë që duhet t’i tronditë.
Sepse tragjedia nuk është vetëm dhuna që pamë sot në Tiranë. Është rreziku që nesër të mos na tronditë më.