E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna, të justifikosh të keqen!

Motivi që na karakterizon si shtetas ballkanas e ka “tronditur” regjisorin e ri Jonid Jorgji, për ta theksuar edhe më shumë në një film me metrazh të shkurtër. “Të gjithë qajnë” është filmi që ai na ka prezantuar gjatë javës së “Tirana Internacional Film Festival”, si një prej konkurrentëve të këtij edicioni mes prodhimeve të tjera vendase dhe ndërkombëtare. Një dramë familjare, një histori reale shqiptare, të cilën Jorgji e ka shkëputur në një copëz gazetë gjatë viteve 2000, shfaqet në ekranin e madh të kinemasë. Si shfaqet dhuna “e përjetshme” e trajnuar në gjirin familjar që në mituri?

Dhuna, të justifikosh të keqen!

Agresioni kushtëzuar që në gen, edukimi dhe rritja e njeriut me frymën e dhunës është shkaku që të orienton natyrshëm drejt krimit, shpesh duke kaluar edhe në “overdozë”. Motivi që na karakterizon si shtetas ballkanas e ka “tronditur” regjisorin e ri Jonid Jorgji, për ta theksuar edhe më shumë në një film me metrazh të shkurtër. “Të gjithë qajnë” është filmi që ai na ka prezantuar gjatë javës së “Tirana Internacional Film Festival”, si një prej konkurrentëve të këtij edicioni mes prodhimeve të tjera vendase dhe ndërkombëtare. Ka qenë përditshmëria, tradita dhe pasoja ato që i kanë goditur spunton në realizimin e këtij filmi. Një dramë familjare, një histori reale shqiptare, të cilën Jorgji e ka shkëputur në një copëz gazetë gjatë viteve 2000 shfaqet në ekranin e madh të kinemasë. Si shfaqet dhuna “e përjetshme” e trajnuar në gjirin familjar që në mituri? Deri ku shkon pasoja e saj? Përgjigje të dhëna përmes subjektit që konkurron në TIFF. Ndjek ideologjinë ku e mira dhe e keqja bashkëjetojnë me njeriun në varësi të rrethanave, parimin të cilin e konkludon si kryefjalën e “dorës” së tij të parë kinematografike. Pavarësisht problemeve që paraqet ky film, të paktën na shfaqet një i ri shqiptar që reflekton si gjithë kienastët e vendeve të tjera, angazhimin social, problemet që ka vendi i tij në këtë aspekt, ku ndërgjegjja e shtyn të protestojë në këtë lloj gjuhe, siç është arti i shtatë.

Si po e përjetoni faktin që jeni një nga konkurrentët e “Tirana Internacional Film Festival”?

Në fakt, mirë po e përjetoj. Nuk është hera e parë për mua që marr pjesë në festivale të tilla, por edhe në të tjera edicione ndërkombëtare, jashtë apo brenda vendit. Ajo që më bën të ndihem më mirë është fakti që unë në këtë pjesëmarrje jam në vendin tim dhe kjo është e rëndësishme. Veç këtij festivali, me këtë film unë kam konkurruar edhe në Prishtinë, në festivalin “Scena up”, apo në Santiago të Spanjës në një tjetër kompeticion të njohur me emrin “Decampos Stela”. Veç këtyre, pres të konkurroj edhe në festivale të tjera në një të ardhme të shpejtë, pasi është mirë që të shikohet dhe të njihet si film.

Si erdhi ideja e filmit tuaj?

Është një histori reale që flet për një dramë familjare shqiptare. Një familje, diku në periferi të një qyteti është në pritje të djalit të tyre të madh që të kthehet nga emigracioni. Është nëna bashkë me djalin e saj, që e pret atë teksa do të kthehej, por me t’u kthyer ata sulmohen nga një bandë e maskuar hajdutësh që i rrahin dhe i plaçkitin. Por në momentet e fundit, pasi të gjithë anëtarët e plaçkitësve largohen, njëri prej tyre mbetet mbrapa, i cili qëllohet nga gruaja e grabitur. Dhe pikërisht këtu ndodh edhe tragjedia e vërtetë, pasi zbulohet se i vdekuri ishte djali i vogël i saj. Kjo është historia e filmit tim konkurrues në vija të trasha që ndjek rrjedhën e ngjarjes.

Më thatë që është një histori reale, nga e keni shkëputur këtë përvojë?

Po, filmi është mbështetur në një ngjarje të vërtetë, reale. Historia është e përjetuar nga një familje shqiptare në veri të Shqipërisë në vitin 2000, dhe e kam shkëputur nga një gazetë e përditshme, pra në faqet e kronikës së zezë. E kam shfrytëzuar një ngjarje të tillë për këtë skenar, por menjëherë pas këtij rasti, shumë pak kohë më vonë dëgjova për raste të tjera të ngjashme, duke ma përforcuar një farë mënyre idenë time për ta materializuar në një film me metrazh të shkurtër.

Drama familjare, pse pikërisht me këtë motiv?

Është një tematikë shumë aktuale, si dhe është historia e një ngjarjeje ku dhuna është mbizotëruese. Dhuna për mua është një nga temat më aktuale, pasi ajo është një nga problemet më shqetësuese në ditët e sotme. Mendoj se duhet të trajtohet tej mase kjo lloj teme, sepse është dhe vazhdon të jetë shumë problematike, jo vetëm në trajtën e një filmi, por edhe në mënyra të tjera auditive, apo mundësi të tjera.

Sa mund të arrihet ky lloj ndërgjegjësimi, sipas jush?

Mendoj se është mirë që të tentojmë fillimisht, pastaj se sa arrihet në rezultatin e dëshirueshëm është relative dhe nuk është plotësisht në dorën time apo ndonjë regjisori tjetër. E rëndësishme është se çdo ditë e më shumë duhet theksuar dhe trajtuar si problematikë.

A e keni menduar se përse vjen kjo gjendje shqetësuese?

Të them të drejtën nuk është se kam bërë ndonjëherë analiza të thella sociale lidhur me këtë problem. Por me aq sa kam parë dhe dëgjuar, gjithçka vjen si pasojë e shumë faktorëve të artikuluar ngushtë me njëri-tjetrin. Për mendimin tim janë shumë kushte të inferioritetit, vështirësitë ekonomike e tejskajshme në disa vende në periferi të Shqipërisë, apo edhe dhuna që ushqehet që në fëmijëri. Në këto kushte, njeriu edukohet vetëm me dhunën në familjen dhe vetëm dhunën do të ketë ai fëmijë parimin kryesor, që do të ndjekë gjatë gjithë jetës së tij. Kjo është arsyeja që violenca është e pranishme në çdo kohë në vendin tonë, pra edukata familjare ka një rëndësi të dorës së parë. Është stërthënë që vendet ballkanike janë popuj në përgjithësi impulsivë, janë nevrikë, apo ushtrojnë dhunë të vazhdueshme. Shkakun e theksova pak më lart, i janë nënshtruar dhunës që të vegjël dhe të tillë do të mbeten gjatë gjithë jetës së tyre, duke i dhënë edhe kombësisë së tyre një lloj natyralizimi të egër. Madje, edhe në kontaktet e përditshme ata të flasin me duar dhe jo me fjalë, ashtu siç funksionon komunikimi i civilizuar.

Ju jeni një regjisor i ri, a jeni konsultuar me kineastë profesionistë gjatë realizmit të filmit?

Po, jam konsultuar disa herë me profesionistë të kinematografisë. Mund të përmend në këtë rast pedagogët e mi siç është Gjergj Xhuvani, i cili më ka mbështetur shumë, apo edhe të tjerë. Mjafton të ndërmarrësh këtë projekt, pasi është normale që vetëm me profesionistë do të punosh.

A keni parë filma të tjerë pjesëmarrës në këtë festival dhe si u janë dukur? Cili iu ka bërë më shumë përshtypje deri tani?

Kam parë me aq mundësi sa kam pasur, por jo edhe shumë. Në përgjithësi më kanë pëlqyer dhe më duken shumë cilësorë. Më shumë përshtypje më ka bërë filmi belg “Tynelagjinjtë” i regjisorit Raf Reyntjes. Është fjala për një film që trajton historinë e Francës gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917, përballë fronit të kundërt, Gjermanisë. Ishte një film i realizuar dhe kishte një subjekt shumë tërheqës dhe linte një mesazh.

Një film që të jetë i realizuar çfarë duhet të ketë?

Fillimisht ai që merr përsipër që të materializojë një projekt filmik duhet të ketë nervin artistik, pa të cilin mendoj se është e kotë të pretendosh më tej. Pas kësaj, një veçori shumë e rëndësishme është edhe subjekti. Mund ta mbështes edhe me një shprehje të bukur që nënvizon: “Ku duket një film i suksesshëm? E para subjekti, e dyta subjekti dhe e treta, prapë subjekti”. Ndërsa më kujtohet edh një tjetër shprehje e veçantë për këtë në mbështetje të kësaj ideje që thotë: “Një film i suksesshëm duhet të ketë një fillim të mirë, një zhvillim interesant dhe një fund bombastik”. Por sot ka ardhur koha e një subjekti që godet, pasi ka me dhjetëra film, marrim si shembull konkret filmat e arrirë të Hollivudit. Madje, mund të them se filmi i mirë duket atëherë kur edhe pasi ka kaluar një periudhë e gjatë pas konsumimit të filmit, ai sërish të ka mbetur në mendje. Nëse arrin në këtë stad, për mua është një film i realizuar bindshëm. Pra, subjekti, mesazhi dhe realizmi janë elementët që pasi ndërthuren mirë me njëri-tjetrin do të japin filmin tipik.

Pse e keni titulluar filmin “Të gjithë qajnë”?

E kam titulluar “Të gjithë qajnë” për dy arsye. E para është se edhe një personazh negativ, si në film ashtu edhe në jetën reale, është një person i justifikuar për mua. Ai në varësi të kushteve që i janë krijuar dhe është përballur me to kanë ndikuar që ai të identifikohet si i tillë dhe ta detyrojnë që të kryejë veprime të pahijshme dhe me pasoja për të tjerët që e kanë rrethuar. Djali që vret nënën në filmin tim edhe fund, edhe i vdekur i dalin lotët duke treguar në këtë rast se askush nuk është i keq në këtë botë, askush nuk lind negativ, por janë rrethanat që e nxisin të veprojë dhunshëm dhe ta drejtojë në rrugë të gabuar. Ky është një mesazh shumë global dhe nuk jam unë ai që po e vë në dukje së pari, por është mirë që ta theksojmë herë pas here, sepse përpos faktit që është theksuar në forma të ndryshme, asnjëherë nuk është e tepërt nëse do të vazhdojmë të insistojmë edhe më shumë në këtë bindje.

Si e vlerësoni zhvillimin e gjinisë së filmit me metrazh të shkurtër në kinematografinë shqiptare?

Dua të theksoj se filmi në metrazh të shkurtër është një gjini më vete, sepse shpesh herë ngatërrohet si koncept. Kam vënë re se këtë zhanër e cilësojnë si një histori të gjatë të treguar shkurt. Kjo është një histori e shkurtër që ka një gjetje dhe një suspancë. Këta janë filma që afirmojnë regjisorët e rinj në përgjithësi, sepse në qoftë se unë apo dikush tjetër i nivelit tim arrin të tregojë një histori të gjatë në tre deri në 15 minuta film, për mua kjo është një arritje dhe mund të quhesh me plot gojën regjisor. Në Shqipëri kam vënë re që shumë regjisorët aplikojnë me këtë lloj gjini dhe bëjnë shumë mirë, por të vetmin problem që kemi ne, janë distribucionet e festivaleve. Kjo është arsyeja që unë po lëviz nëpër konkurrime të tilla, pra në mungesë të asaj çfarë theksova më duhet të ndërmarr forma të tjera për të njohur sa më mirë produksionin tim. Nëse shikohet si film nga një numër të caktuar njerëzish, është një lloj arritje. Pastaj, marr ose jo një çmim është një tjetër hap, por pjesa më e rëndësishme momentalisht është distribuimi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›