Dhunë ndaj gjyqtarit në Fushë-Krujë
Dhuna ndaj gjyqtarëve ka kaluar të dielën në Fushë-Krujë. Gjyqtari kryesor i ndeshjes Iliria-Alpetrol, Shkëlqim Guçe, është qëlluar me grushte nga disa lojtarë të skuadrës vendase, kur mungonin vetëm 5 minuta nga përfundimi i takimit. Sipas drejtuesve të Ilirisë, shkak i këtij reagimi është bërë mosdhënia e një faulli në favor të vendasve. Në situatën e krijuar, gjyqtari është detyruar që ta mbyllë ndeshjen dhe të kërkojë ndihmën e forcave të rendit, të cilat kanë ndërhyrë duke e dërguar atë dhe asistentët drejt dhomave të zhveshjes. Tre gjyqtarët janë mbajtur aty për më shumë se 10 minuta, pasi e kishin të pamundur të largoheshin nga stadiumi për shkak të irritimit të tifozerisë vendasve. Më pas ata janë shoqëruar me makinat e policisë deri në dalje të Fushë-Krujës.