E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasi, e ardhmja tek Anderlehti si ndihmës i teknikut Jakobs

Besnik Hasi është shumë pranë fillimit të një karriere të re. 36-vjeçari po mendon të vazhdojë jetën pranë futbollit, ku pas aventurës së suksesshme si lojtar, tashmë ai synon të bëhet trajner. Në Belgjikë, ku momentalisht Hasi mbron ngjyrat e Sërkëll Bryzh, qarkullojnë zërat se drejtuesit e Anderlehtit kanë menduar që të emërojnë shqiptarin si ndihmës të trajnerit Ariel Jakobs. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta "Le Soir" ("Mbrëmja"), e cila citonte se Hasi është preferenca e parë për këtë post. Kjo është publikuar vetëm pak orë përpara ndeshjes së luajtur dje në stadiumin "Konstant Vanden Stok", ku Anderlehti ka fituar me rezultatin 3-1 përballë Sërkëll Bryzh. Në këtë takim, mesfushori është aktivizuar si titullar dhe ka luajtur gjatë gjithë 90-minutëshit. Për të mos ndikuar në rezultatin final dhe në paraqitjen e lojtarit, drejtori sportiv i Anderlehtit, Herman Van Holsbek, tha se rreth kësaj teme preferon që të flasë pak më vonë. Gjithsesi, ai ka pranuar se kjo detyrë i përshtatet shumë profilit të Hasit: "Është e qartë se ne, si drejtues, mendojmë se Hasi i plotëson të gjitha parametrat që të bëhet zv.trajner i Anderlehtit". Megjithatë, deri në fund të ndeshjes së të dielës (djeshme), preferoj që të mos prononcohem më shumë rreth kësaj çështjeje". Hasi ka mbrojtur ngjyrat e Anderlehtit për gjashtë vjet (2000 deri më 2006) dhe është një prej futbollistëve më të vlerësuar të mijëvjeçarit të ri, jo vetëm për kontributin në fushë, por edhe për vlerat jashtë katërkëndëshit të gjelbër. Madje, afro një vit e gjysmë më parë, 36-vjeçari kishte pohuar se kishte marrëdhënie të mira me drejtuesit e këtij klubi dhe se pasi "të varte këpucët në gozhdë", do të kthehej aty për t‘u bërë trajner i ekipeve të moshave.

Megjithatë, duket se prioritetet kanë ndryshuar gjatë sezonit 2007-08, kur ai është kërkuar me shumë ngulm te Sërkëll Bryzh nga trajneri Glen De Boek. Ky i fundit nuk e ka fshehur dëshirën që në ditën kur ish-lojtari kuqezi, i cili është edhe këshilltar në Ministrinë e Sporteve të Kosovës, do të vendosë të largohet nga futbolli i luajtur, ta përfshijë në stafin e tij teknik. Hasi ka kontratë si lojtar me Sërkëll Bryzh deri në vitin 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›