E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunë në Kuvend, Prenga i PS godet me grusht Palokën

SHKRUAN: Fejzi Braushi 11-02-2011 10:01

Dhuna zhvendoset nga bulevardi në Kuvend. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e ka nisur jetën parlamentare aty ku e la një muaj më parë, teksa për gati dy orë të tëra nuk ka lejuar dje që të zhvillohet një seancë normale plenare, ku nuk kanë munguar grushtet dhe sharjet banale mes palëve. Ngjarjet e 21 Janarit kanë qenë në fokusin e të gjitha deklaratave nga të dyja krahët, ku kampet politike kanë akuzuar tjetrin, si përgjegjës dhe ekzekutor të vrasjes së 4 demonstruesve.

Seanca

Pas një pushimi dy javor, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka rihapur dje punimet në seancë plenare, por duke surprizuar opozitën, duke kërkuar në fjalën e saj mbajtjen e një minute heshtje, në nder dhe kujtim të 4 viktimave të 21 Janarit. Pavarësisht se s’kanë qenë dakord me pjesën tjetër të fjalimit të Topallit, të majtët janë detyruar që t’i bashkohen nismës së saj dhe janë detyruar, që ashtu si dhe kolegët e djathtë, të ngrihen në këmbë dhe të mbajnë së bashku një minutë heshtje. Më pas, fjalën e ka marrë Ruçi, i cili për më shumë se 30 minuta, ka akuzuar Kryeministrin dhe mazhorancën, si shkaktarë të kësaj situate, produkt i së cilës, sipas tij, ishin dhe ngjarjet e 21 janarit. Madje Ruçi nuk ka nguruar të akuzojë Berishën dhe Bashën, si njerëzit që urdhëruan vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm që, sipas tij, po qëndronin me duar në xhepa në bulevard. Më pas fjalën e ka marrë homologu i tij, Patozi, i cili ka akuzuar Edi Ramën se i çoi njerëzit e pafajshëm drejt një kasahpane. “Ndaj dhe Edi Rama, si organizatori i kasaphanës është përgjegjës për vdekjen e atyre që nuk janë më, familjeve të të cilëve ne u shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona”, - tha Patozi.

Konflikti

Fill pas fjalës së Patozit, situata është tensionuar, pasi kreu i grupit të PS-së, Ruçi, ka kërkuar sërish fjalën për replikë. Por, Kryetarja e Kuvendit nuk ka pranuar, duke thënë se fjala që Ruçi kishte mbajtur në fillim kishte qenë shumë e gjatë në kohë, ndaj dhe duhej të kompensohej e djathta. Për këtë arsye, fjalën e mori Sokol Olldashi. Kjo ka bërë që i gjithë grupi parlamentar i PS të linte tavolinat dhe të zinte foltoren në qendër të sallës. Këmbëngulja e tyre ka detyruar Topallin që t’i japë fjalën Ruçit për procedurë, ku ky i fundit ka kërkuar që të vinin në seancë kryeministri Berisha dhe Ministri i Brendshëm Basha. Pavarësisht kësaj kërkese, Kryetarja e Kuvendit ka vijuar të kompensojë mazhorancën në kohë dhe ia ka dhënë fjalën deputetit Edi Paloka, të cilit për të folur i dhanë një mikrofon të lëvizshëm, pasi mikrofoni i fiksuar në tryezë nuk përcillte siç duhej zërin në mes të zhurmës, që në atë momente po shkaktonin socialistët me thirrjet e tyre në korr “Vrasës”, “Kriminel”, “Legen”, “Hajdut” etj. Etiketimi që Paloka i ka bërë socialistëve, si autorë të të ashtuquajturit puç shtetëror, është bërë shkak për një konflikt të ashpër, që ka përfunduar me konfrontim fizik. Ka qenë deputeti Paulin Sterkaj, ai që i ka kërkuar Palokës të mos flasë me atë gjuhë. Sterkaj i është afruar dhe i ka marrë mikrofonin nga dora. E ndërsa dy protagonistët e këtij incidenti kanë mundur të shmangin përplasjen fizike, në këtë moment ka ardhur nga pas krahëve të Sterkajt, deputeti tjetër socialist i Laçit, Armando Prenga, i cili ka qëlluar Palokën me grusht në fytyrë. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i punonjësve të gardës, të cilët kanë neutralizuar përkohësisht konfliktin, teksa kanë ndarë palët. Në këtë situatë, për pak sa nuk janë përfshirë në një konfrontim fizik dhe dy deputetët e Durrësit, Gazmir Bizhga dhe Igli Cara, të cilët janë ndarë nga kolegët e tyre. Sherri masiv i përhapur në sallë ka detyruar Kryetaren e Kuvendit, që të ndërpresë seancën, ndërsa deputetët e të dyja krahëve kanë vijuar të goditen mes tyre. Konfliktit nuk i kanë shpëtuar as punonjësit e gardës, të cilët janë sulmuar nga deputetët socialistë, Sajmiri Tahiri, Taulant Balla dhe Dashamir Peza. Seanca ka rifilluar sërish me tension, pasi socialistët kanë këmbëngulur sërish që t’i jepej fjala Ruçit, ndërsa kryeparlamentarja ia dha ministrit Arben Imami. Kjo ka nxehur sërish gjakrat dhe Imami i ka shpëtuar sulmit fizik të deputetëve socialistë, vetëm falë “gardhit” të ngritur me trupat e gardës. Në fund kryetarja e Kuvendit ka vijuar me miratimin e ligjeve, ndërsa deputetët socialistë janë larguar nga salla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›