Incidenti në Kuvend, PD e PS padi për Prengën dhe Imamim
Pas incidentit të djeshëm në Kuvend, dy forcat kryesore politike i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, për të paditur deputetin e PS-së, Armando Prenga, për goditje ndaj deputetit demokrat, Edi Paloka, dhe Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, në anën tjetër, për kërcënim ndaj deputetëve të PS-së. Kështu thuhet në paditë e depozituara nga të dyja grupet parlamentare PD-PS. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike paditi sot në prokurori deputetin e Partisë Socialiste, Armando Prenga, i cili akuzohet se goditi për shkak të detyrës. Kallëzimi penal erdhi pasi në seancën e paradites, Armando Ndue Prenga kishte sulmuar dhe goditur në fytyrë deputetin e Partisë Demokratike, Edi Paloka, në momentin që ky i fundit ishte duke folur në vendin e tij. Padia e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është e shoqëruar edhe me videon me pamje të skenës së dhunës, kur shquhen qartë veprimet agresive të deputetit socialist Armando Prenga. Ndërkohë, ngjarja është shumë e njohur për publikun, sepse ajo është transmetuar në të gjitha mediat elektronike të vendit”, - thuhet në njoftimin për shtyp të grupit parlamentar të PD-së. Sipas njoftimit për shtyp, kjo nuk është hera e parë që “deputetë të Partisë Socialiste përdorin dhunën në sallën e parlamentit”. “Disa muaj më parë, prokuroria pushoi çështjen në ngarkim të deputetit socialist Tom Doshi, i cili gjatë zhvillimit të seancës plenare kishte kërcënuar me jetë deputetin e PD, Gent Strazimiri”, thuhet në njoftimin për shtyp. Edhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ka dorëzuar dje në Prokurori një padi për ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Socialistët akuzojnë ministrin e Mbrojtjes se i ka kërcënuar për shkak të detyrës.