E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë në stadium, qëllohet me gurë kapiteni i Apolonisë

Lushnje (Start) - Goli i vetëm që djemtë e Apolonisë shënuan në ndeshjen kundër Lushnjës në fushën e këtyre të fundit, u ka kushtuar shumë. Menjëherë pas shënimit të golit, kapiteni i ekipit fierak teksa gëzonte, është qëlluar më një gurë në kokë. I shokuar nga ajo që ndodhi, fieraku ka rënë përtokë ndërkohë që ka ndërhyrë menjëherë mjeku i ekipit. Ai është dërguar për në urgjencën e spitalit të Lushnjes ku edhe ka marrë ndihmën e parë. Mjekët shprehen se ka qenë një goditje e rëndë me gurë poshtë syrit të majtë të tij, gjë kjo që ka krijuar një të çarë të theksuar. Bluzat e bardha shprehen se plaga nuk paraqet ndonjë rrezik për lojtarin, porse atij do ti duhet të qëndrojë në spital për të paktën 2-3 ditë.
Vetë Mariglen Shoshi ka shprehur keqardhjen lidhur me atë që ndodhi. “Nuk e prisja diçka të tillë. Ishte krejt e papritur. Kur ekipi i Lushnjes erdhi në Fier, ne e kemi mirëpritur. Shpresoj që FSHF të marrë masat e duhura”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ndeshja rezultati i së cilës nuk u pa më si i rëndësishëm nga djemtë fierak, përfundoi me rezultatin 3-1 në favor të Lushnjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›