Meta: Qeveria Rama, e para për korrupsionin në Europë, e fundit për inovacionin shkencor

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se qeveria Rama i ka shpallur luftë profesionistëve, dijeve dhe kërkimit shkencor. Dhe prova më e qartë ku kreu i Partisë së Lirisë mbështet deklaratën e tij, është indeksi Global i Inovacionit për vitin 2022, që sipas Metës, e pozicionon Shqipërinë të fundit në rajon dhe europë
“Shkaqe kryesore për këtë renditje janë mungesa serioze e burimeve njerëzore dhe kërkimore, njohuritë jo të duhura teknologjike dhe sofistikimi jo efiçent i tregut. Performancën më të dobët, Shqipëria e ka sa i takon prodhimeve të dijeve dhe prodhimeve teknologjike. Ndërkohë vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë dhjetëra vende më lart”, shkruan Meta.
Mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj pedagogëve e studentëve, sipas Kreut të Partisë së Lirisë, është arsyeja e vetme e situatës së rëndë ku ndodhet vende. Meta thekson se “Kjo Qeveri që është e para për korrupsionin në Europë është e fundit për inovacionin shkencor”. Ndaj, për kryetarin e Partisë së Lirisë, largimi i Kryeministrit Edi Rama, do shpëtonte falimentimin e Shqipërisë dhe do nxiste zhvillimin e shkencës dhe ekonomisë.
/rtsh.al/