E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunoi deputetin e FRD, pranga29-vjeçarit: Jo për motive politike

FIER- Policia e Fierit ka arrestuar mbrëmjen e sotme si të dyshuarin kryesor për dhunimin tre ditë më parë të kandidatit të Frymës së Re Demokratike në këtë qytet, Mit’hat Hoxha. I arrestuari është 29-vjeçari Eugen Çaushi, banues në Roskovec.
 
Nga hetimet e para të policisë rezulton se ngjarja nuk ka ndodhur për motive politike.
 
Sipas policisë, nga kallëzimet që ka dhënë i dhunuari, shtetasi Mit’hat Hoxha dhe bashkëshortja e tij nuk rezulton të jenë kërcënuar më parë nga ky person.

Incidenti i rëndë ndodhi para 3 ditësh në Roskovec, rreth orës 23:00, ku Mit’hat Hoxha është sulmuar me mjete të forta nga persona të paidentifikuar. Ai është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të qytetit të Fierit. 

Ndërsa bashkëshortja e kandidatit Hoxha, pretendonte se ngjarja kishte motive politike. Ajo shprehet se i shoqi që në momentin që po kandidon si deputet në këtë zonë ka marrë vazhdimisht kërcënime për jetën. Sipas saj, Mit’hat Hoxha ka marrë kërcënime nëpërmjet telefonit madje ka bërë dhe denoncim në polici rreth kërcënimeve.

Ndërkaq, i arrestuari Eugen Çaushi, sipas policisë së Fierit nuk ka precedent të mëparshëm penalë, dhe materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.
 
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›