E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK, Ndoka në Elbasan: PS-LSI, marrëveshje pazaresh

ELBASAN - Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka vijuar fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në qytetin e Elbasanit.

Në këtë takim kreu i PDK-së shprehu bindjen e tij se e djathta shqiptare ka më tepër epërsi dhe të gjitha mundësitë që të fitojë dhe një mandat tjetër, duke vlerësuar më tej dhe marrëveshjen parimore, që sipas tij kryeministri bëri me aleatët e djathtë.

Gjatë fjalës së tij, Ndoka e vlerësoi opozitën si një parti e cila ngrihet pa baza parimore, pasi ka lënë jashtë parlamentit figura që kanë vlera, dhe që sipas tij, po asgjësohen nga lidershipi i saj.

Më tej kreu i PDK-së e cilësoi marrëveshjen e LSI-së dhe PS-së si një marrëveshje pazaresh dhe pa asnjë përgjegjësi për të ardhmen. Sipas Ndokës, Rama po i frikëson bizneset shqiptare, duke e konsideruar modelin e opozitës, si ajo e Papandreut, e ndërsa shtoi se ky model do ta zhysë mirëqënien në një rrënim ekonomik.

“E djathta shqiptare, nuk është e tillë, pasi jep garanci dhe është një alternativë që do të ketë shumën e votave më 23 qershor”- tha Ndoka.

Në këtë takim, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, prezantoi dhe kryesuesin e listës për deputet të Partisë Demokristiane për Elbasanin, Rezart Kovaçi.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›