Dhunuan dhe tërhoqën zvarrë të riun, pezullohen nga detyra dy efektivët e policisë
Dy efektivët e Policisë që dhunuan një të ri gjatë protestës para ministrisë së Arsimit këtë të premte, janë pezulluar nga detyra. Pamjet ku efektivët e merrnin zvarrë të riun dhe më pas goditej me shkelma edhe pse ishte i neutralizuar tronditën dhe shkaktuan indinjatë në opinionin publik.
Kreu i Policisë, Skënder Hita urdhëroi pezullimin e efektivëve, Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme në Komisariatin nr. 3, me argumentin se kanë tejkaluar detyrën dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestë.
“Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.”, thekson policia.
REAGIMI I POLICISË SË SHTETIT
Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:
Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.
Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.