E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhurata për pavarësinë, miqësore edhe me Italinë

Shqipëria “prenoton” një tjetër miqësore luksi pas Spanjës. Këtë herë do jetë Italia ajo që do të përballet me kuqezinjtë e Xhani de Biazit. Lajmi konfirmohet, por nuk është ende zyrtar nga sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani. Sipas këtij të fundit, federata është ende në negociata me homologët italianë dhe dëshiron që këtë miqësore ta zhvillojë pas Europianit të qershor-korrikut të këtij viti. “Po, jemi ende në tratativa dhe dua që ta luajmë këtë miqësore me Italinë në Tiranë si një dhuratë të Kombëtares për pavarësinë. Ekziston mundësia që kjo ndeshje të luhet edhe në Palestinë sikundër është thënë edhe më përpara, gjithsesi nuk kemi ende diçka zyrtare. A ka ndikuar De Biazi te italianët për këtë miqësore? Këtë nuk di t’jua them me siguri, por kam përshtypjen se ndonjë telefonatë edhe ai mund ta ketë bërë”, ka pohuar Prodani. Ndërkohë kujtojmë se disa ditë më parë vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pat lënë të kuptohet se ndeshja mund të zhvillohej në Palestinë. “Ne po punojmë intensivisht për të siguruar dy miqësore në muajin maj dhe një miqësore në gusht. Ju konfirmoj se vazhdojmë të jemi në negociata me Italinë, por ama nuk mund të them me siguri nëse do të luajmë, apo jo. Negociatat kanë qenë të mira deri tani, por nuk kemi përfunduar asgjë zyrtarisht, ndaj nuk mund të nxitohemi”, ka thënë Duka. Ndërsa për momentin, siç dihet, federata ka arritur të sigurojë miqësoren me Spanjë më 30 maj, ndeshje kjo që do të luhet në Gjenevë të Zvicrës dhe, më shumë sesa Shqipërisë, do t’u shërbejë spanjollëve, kjo pasi do jenë disa ditë para startit të Kampionatit Europian “Ukrainë-Poloni 2012″.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›