Lamtumira, kundër Kampionëve të Botës

Altin Lala
Ish-kapiteni i Kombëtares konfirmon largimin nga futbolli.
Altin Lala: Do bisedoj me Dukën, dua të luaj ndaj Spanjës.
Altin Lala do të luajë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Kombëtares shqiptare më 30 maj ndaj Kampionëve të Botës, spanjollëve të Vincente del Boske. Lajmi e ka bërë të ditur vetë futbollisti i Hanoverit, në një intervistë telefonike për Ora News. Ish-kapiteni kuqezi ka konfirmuar edhe një herë se nuk ka ndër mend të rinovojë kontratën me skuadrën gjermane, kjo më së shumti për shkak të moshës (është 36 vjeç), pasi fizikisht ndihem mirë dhe mund të nxjerr edhe një sezon si futbollist. Gjithsesi, Lala pohon se tashmë karriera e tij është drejt mbylljes dhe kërkon që të paktën me Kombëtaren “të varë këpucët në gozhdë” në përballjen ndaj “furive të kuqe”. “Do ishte një mbyllje mjaft e mirë e karrierës sime si futbollist miqësorja ndaj Spanjës. Realisht kjo do jetë edhe ndeshja ime e fundit dhe për këtë do flas me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si dhe me menaxherin e kombëtares, Alban Bushin. Do më kishte pëlqyer shumë që takimi të luhej në Tiranë përpara publikut shqiptar, por kjo është një gjë që nuk varet shumë nga unë, por as edhe nga drejtuesit e federatës. Fakti që do luhet në Zvicër është diçka për mua, pasi e di mirë që aty ka shumë shqiptarë që do na ndjekin, ndaj do jetë gati njëlloj si në Tiranë”, ka pohuar ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare. Lala ka konfirmuar se do qëndrojë në futboll, por jo si futbollist. “Nuk ka kuptim më që të vazhdoj të luaj, jo se jam keq fizikisht, por se mosha bën të vetën. Me këtë kontekst e them përfundimisht se nuk do rinovoj për Hanoverin, por do të mbetem te futbolli. Nëse drejtuesit me të cilët kam folur disa herë do më ofrojnë një vend në klub, atëherë do mendohem mirë dhe do vendos. Futbolli është jeta ime, ndaj me gjasa do merrem edhe pasi të mos jem futbollist. A do bëj trajnerin? Realisht nuk e kam menduar këtë gjë, por është një opsion i mundshëm”, ka theksuar më tej Lala. Në fund, mesfushori ka bërë edhe një analizë të shkurtër të miqësores së ekipit tonë përfaqësues në miqësoren ndaj Gjeorgjisë. “Ishte një ndeshje e ekuilibruar, që edhe mund ta kishim fituar. Pashë shumë lojtarë të rinj që i vlejnë skuadrës sonë. Gjithsesi, ajo që ata duhet të bëjnë, është aktivizimi më i vazhdueshëm në ekipet ku luajnë dhe fitimi i personalitetit, besimit dhe eksperiencës në fushë. Jam i bindur se me trajnerin italian shqiptar do bëjë më mirë, kjo nisur edhe nga ajo që pashë në ndeshjen e fundit të Kombëtares”, ka përfunduar Lala.
79 NDESHJE ka zhvilluar Altin Lala me Kombëtaren. Ndeshja e tij e parë ka qenë miqësorja Turqi-Shqipëri 1-4 e 20 janarit 1998. Lala hyri në fushë në minutën e 46-të në vend të Përparim Daiut.
Berisha
Besart Berisha ka qenë sërish protagonist në kampionatin australian me skuadrën e tij Brisbane Roar. Sulmuesi shqiptar fitoi një penallti decizive në minutën e 91-të të ndeshjes, por loja po shkonte drejt barazimit 1-1 (për Brisbane kishte shënuar Nikols në minutën e 45-të, ndërsa për Melburn kishte barazuar Gud në minutën e 49-të). Edhe pse Berisha mori topin për të ekzekutuar 11-metërshin, shoku i skuadrës Adnan i kërkoi që të ishte ai ekzekutuesi. Dhe, për fatin e keq, goditja e këtij të fundit u prit mjeshtërisht nga portieri i skuadrës mike, Bolton. Gjithsesi, loja e lojtarit shqiptar është vlerësuar pozitivisht nga mediat dhe analistët sportivë në kampionatin australian.