E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuratat e Edita Tahirit për popullin, sipas Vetëvendosjes

“Dhuratat e Edita Tahirit për popullin e Kosovës”, kështu e ka titulluar Lëvizja Vetëvendosje një përmbledhje vlerësuese që ka bërë mbi 8 raundet e negociatave Prishtinë-Beograd, ku kryenegociatorja Edita Tahiri ka lëshuar pe karshi shtetit të Serbisë duke bërë edhe degradimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në këtë përmbledhje të Vetëvendosjes thuhet se gjatë 8 raundeve të negociatave me Serbinë, zëvendëskryeministrja dhe njëherit kryenegociatorja Edita Tahiri, deri në ditët e sotme, i ka kryer me përpikëri detyrat që i ishin ngarkuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht ka lëshuar pe karshi shtetit të Serbisë edhe nëse kjo do të nënkuptonte degradimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Sipas Vetëvendosjes, secili raund i negociatave ishte një hap më tepër në zhbërjen e shtetit të Kosovës.

RAUNDI I-rë (8 mars 201)

Edita Tahiri i nisi negociatat me Serbinë që ende nuk na ka njohur. Serbia nuk u kushtëzua për asgjë nga Kosova ndërkohë që me negociata po i lehtësohet rruga për në BE.

Negociatat nisën duke e shpërfillur Kuvendin e Kosovës.

RAUNDI II-të (28 mars 2011)

Në negociata shtohen tema të reja (telekomunikacioni dhe energjetika), ndërsa për temat e raundit të parë (regjistri civil dhe librat kadastral) Edita Tahiri fillon të lëshojë pe dhe shprehet e gatshme që Kosova t’i pranojë vetëm kopjet. Pala serbe mbetet në qëndrimin fillestar: origjinalet e regjistrit civil dhe librave kadastralë mbesin në Serbi.

RAUNDI III-të (15 prill 2011)

Kartat e identitetit, pasaportat, sigurimi i veturave, patentë-shoferët dhe tabelat e veturave, të gjitha këto çështje të brendshme të Kosovës, bëhen tema në negociata.

RAUNDI IV-të (17 maj 2011)

Negociatave u shtohen edhe dy tema: personat e pagjetur dhe trashëgimia kulturore e Kosovës.

Ajo çka do të duhej të ishte një prej kushteve për të negociuar me Serbinë (kthimi i personave të pagjetur) bëhet temë e negociueshme!

RAUNDI V-të (2 korrik 2011)

U arritën marrëveshjet e para në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit kishte refuzuar kategorikisht çfarëdolloj marrëveshje që njeh shtetësinë e Kosovës.

Në të gjitha marrëveshjet (në atë për regjistrin civil, lëvizjen e lirë dhe pranimin e diplomave universitare), Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë dhe sovranitetit për Kosovën.

Detajet e marrëveshjeve, sikurse i gjithë procesi negociator, u mbajtën të fshehta nga qytetarët e Kosovës – sot e atë ditë!

RAUNDI VI-të (2 shtator 2011)

Edita Tahiri takohet sërish me Borisllav Stefanoviçin i cili kishte shpërfaqur tashmë edhe në vepër qëndrimin e Serbisë karshi shtetit të Kosovës, duke u prirë strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë në barrikadimin e veriut të vendit.

Qeveria e Kosovës i la vulat doganore pa Republikë të cilën e hoqi edhe nga dokumentet e tjera përcjellëse.

Ndërkohë që në veri të vendit vriteshin e plagoseshin policët shqiptarë, megjithë faktin që edhe vetë Hashim Thaçi deklaroi se dhuna e strukturave paralele në veri është e orkestruar nga shteti i Serbisë, ndaj këtij shteti u bënë kompromise të reja në kurriz të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

RAUNDI VII-të (21 nëntor 2011)

Vazhdojnë negociatat mbi marrëveshjet e arritura gjatë raundeve të kaluara. Diskutohen edhe marrëveshjet që u arritën më vonë për çështjen e kufijve.

RAUNDI VIII-të (30 nëntor 2011)

Ndonëse vetë Edita Tahiri kishte deklaruar që me Serbinë nuk do të negociohen çështjet e doganave dhe kufijve, në këtë raund Qeveria e Kosovës e bëri kompromisin e radhës duke hequr dorë edhe më tutje nga shtetësia e Kosovës.

Kufiri shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shndërrua në kufi administrativ ndërsa pikat kufitare në pika kaluese

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›