Vazhdojmë me Beogradin

Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë bisedimet gjatë janarit për energjetikën, telekomunikacionin dhe përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale. Data e saktë e takimit të radhës akoma nuk dihet, por të dyja palët, Prishtina edhe Beogradi konfirmojnë se dialogu do të vazhdojë.
“Besoj se nga mesi i muajit do ta kemi takimin e radhës dhe do të diskutohen çështjet që tashmë janë në agjendë: bashkëpunimi rajonal, energjia dhe telekomunikacioni. Po ashtu, mendoj se gjatë muajit shkurt, mund të kemi edhe një raund tjetër bisedimesh për çështjet si transporti rrugor dhe hekurudhor, transporti ajror, kompensimi i dëmeve të luftës, demarkacioni i kufirit, çështja e të pagjeturve dhe çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje”, ka thënë Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Tahiri ka folur edhe rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE.
“Qëndrimet penguese në kuadër të dialogut nga pala serbe nuk janë risi për palën kosovare. Pikërisht këto qëndrime të Serbisë bënë që ajo në dhjetor të mos e merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mendoj se Serbia tash nuk mund të vërë kushte. Kosova është shtet i pavarur, ka kushtetutën e saj dhe Kosova nënshkruan dhe zbaton marrëveshje të cilat janë në harmoni të plotë më kushtetutën dhe ligjet e saj”, ka deklaruar ndër të tjera, Zëvendëskryeministrja Tahiri.