LDK: Instituti Albanologjik është shndërruar në qendër biznesi

LDK vlerëson se është e kuptueshme që një qeveri pa interesim për të zhvilluar dhe përparuar shkencën, nuk përfill asnjë nga rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Shkencës.
“Punonjësit shkencorë, përkundër vendimit të qeverisë, nuk i kanë marrë pagat me rritje nga data e marrjes së vendimit. Sikur punonjësve të arsimit, qeveria u ka borxh edhe punonjësve shkencorë. Institucionet shkencore janë pa përkrahje, nuk ndihmohen financiarisht, janë të pareformuara dhe të shantazhuara nga qeveria”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.
Sipas LDK-së, Instituti Albanologjik, më i vjetri dhe më i njohuri, si edhe institutet e tjera, është tejet i pareformuar, funksionon në paqartësi të plotë, pa politika të kuadrit, ndërsa një pjesë e mirë e hapësirës së tij, tepër pahijshëm dhe në kushte të konfliktit të interesit, është shndërruar në qendër biznesi.
“Ky institucion, në kundërshtim me ligjin dhe në sy të qeverisë, gjatë viti 2011, ka doktoruar disa nga punonjësit e tij. Revista e njohur e këtij instituti, “Gjurmime Albanologjike”, për fat të keq, është e pavërejtshme, sepse mungojnë fondet, prandaj edhe kërkimet shkencore me vlerë që do të publikoheshin aty”.
Po ashtu, LDK vlerëson se edhe Instituti i Historisë ka disa vite që po shantazhohet haptazi nga qeveria dhe nga vetë shefi i qeverisë e nuk po lejohet të vendoset në objektin e vet.
“Objekti i ri i Institutit të Historisë është i mbyllur për të gjithë, ndërsa punonjësit shkencorë kanë nevojë enorme për ambiente të punës”.
Ndërsa, LDK thekson se Instituti Pedagogjik funksionon në kushte emergjente, pa hapësira të vetat, në një hapësirë të objektit të Institutit Albanologjik dhe pa një veprimtari të shënueshme.