Dhuratë, 1 miliard dollarë për muzeun
SHBA
Miliarderi Lauder dorëzon koleksionin me 78 kryevepra kubiste në Nju Jork
Muzeu Metropolitan i Artit (MET) në Nju Jork mori një dhuratë me vlerë 1 miliard dollarë të përbërë nga vepra të artit kubist nga bosi i kozmetikës Leonard Lauder.
Trashëgimtari i pasurisë së Estee Lauder ofroi 78 vepra të cilat konsiderohen se përbëjnë koleksionin më të shtrenjtë të artit kubist në botë. Aty përfshihen vepra nga Pablo Picasso, Georges Braque, Juan Gris dhe Fernand Leger, të cilat janë grumbulluar përmes blerjeve që kanë vazhduar për 37 vjet. Drejtori i muzeut, Thomas Campbell, tha se dhurata ishte me të vërtetë transformuese.
Në një deklaratë, Lauder, 80 vjeç, tha se dhurata ishte për njerëzit që jetojnë dhe punojnë në Nju Jork si dhe për ata nga e gjithë bota që vijnë të vizitojnë institucionet tona madhështore të artit.
MET pati deklaruar më herët se kishte mungesa në artin e fillimit të shekullit të njëzetë, por me donacionin e Lauder tashmë do të jetë në ballë të koleksioneve botërore.
Ne kemi pasur gjithmonë mungesa në këtë dimension të rëndësishëm në historinë e modernizmit. Tashmë, kubizmi do të prezantohet me disa nga kryeveprat e veta më të mëdha, tha Campbell. Koleksioni i veçantë për nga cilësia, fokusi dhe thellësia përfshin 33 vepra të Picassos, 17 vepra të Braque dhe 14 nga Gris e Leger.
Lauder e ndërtoi koleksionin gjatë katër dekadave, duke treguar historinë e një lëvizjeje që modernizoi artin dhe hapi rrugën drejt abstraksionizmit.
Unë zgjodha MET si një mënyrë për ta ndarë këtë koleksion, sepse ndiej se është thelbësore që kubizmi dhe arti që pasoi atë, të shihet dhe studiohet brenda koleksioneve të njërit prej muzeve më madhështore enciklopedike të botës, tha ai.
Si shumë muze të famshme në botë, MET është themeluar mbi dhurata madhështore filantropike. Ndoshta donacioni më i famshëm erdhi nga një nga presidentët e hershëm të institucionit, bankierit amerikan J. Pierpont Morgan (JP Morgan).
Ai ishte një koleksionist i ditur dhe entuziast arti që bleu vepra në bazë të tillë që asnjë çmim nuk është tepër i lartë për një objekt me bukuri të padiskutueshme dhe autenticitet të njohur.
Duke gjykuar cilësinë e veprave kubiste të dhuruara nga Leonard Lauder, ai duket se ka koleksionuar me të njëjtën frymë. Nuk është donacioni më i madh, por është një nga më të rëndësishmit.
Koleksioni mendohet se është afërsisht sa 13 për qind e pasurisë personale të Lauder dhe ky akt e vendos atë në panteonin e filantropistëve më bujarë të të gjitha kohërave.
Dhuratë, 1 miliard dollarë për muzeun burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email