Shqipëria po lufton me konceptin e pavarësisë politike
Intervista
Ekspertja britanike, Eve Salomon, flet për ligjin e medias
Rudina Hoxha
Eve Salomon ishte një ndër pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës mbi Lirinë e Medias Shqiptare, e organizuar në Tiranë nga Komisioni Europian në mes të janarit të kaluar. Ekspertja angleze e medias dhe e çështjeve rregullatore ka punuar prej shumë vitesh si eksperte ligjore për Këshillin e Europës dhe ishte ky pozicion që e solli në Shqipëri.
Aktualisht ajo është kryetare e RICS (Royal Institution of Chartered Surveyors), një institucion me qendër në Londër, që merret me ngritjen e standardeve të industrive që nga viti 1868.
Në një intervistë për Shqip, Salomon, e cila e ka vizituar Shqipërinë katër herë deri më tani, thotë se u zhgënjye kur pa se ligji i miratuar i medias përcaktonte dispozita për emërimin e anëtarëve dhe kryetarit të KKRT me anë të mandateve politike.
Ajo thekson se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e demokracive të zhvilluara europiane ku funksionojnë struktura të forta të shoqërisë civile të cilat informojnë qytetarët. Ato (këto struktura) funksionojnë në mënyrë të pavarur nga drejtimet politike. Kjo është diçka për të cilën Shqipëria duhet të luftojë në vend që ta fshehë, thotë avokatja që njihet edhe për përpilimin e direktivave të UNESCO-s lidhur me Rregullat e Transmetimit.
Një nga zhvillimet më të fundit në median shqiptare ishte miratimi i ligjit për median audiovizuale vetëm me votat e mazhorancës. Sa mendoni se do ta ndihmojë një hap i tillë median shqiptare?
U zhgënjeva tek pashë që ligji për median shqiptare u miratua me dispozita për emërimin e anëtarëve dhe kryetarit të KKRT me anë të mandateve politike. Për të qenë në përputhje me standardet europiane, të gjitha emërimet duhet të bëhen në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike. Shqipëria duket se lufton me konceptin e pavarësisë politike, e cila është një nga mesazhet e komentuara nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Shqipëri vitin e kaluar. Demokracitë e zhvilluara europiane kanë krijuar struktura të forta të shoqërisë civile, të cilat informojnë qytetarët. Ato funksionojnë në mënyrë të pavarur nga drejtimet politike. Kjo është diçka për të cilën Shqipëria duhet të luftojë në vend që ta fshehë.
Aktualisht ju jeni kryetare e Bordit Rregullator të RICS. Sipas jush, cili mund të jetë një rregullator i mirë për median shqiptare nga një sërë aspektesh?
Lufta më e madhe për një rregullator të ri në Shqipëri është rezistenca ndaj presionit politik, ashtu edhe ndaj presionit të industrisë (dhe patjetër industrisë së lidhur me politikën). Rregullatori duhet të përqendrohet në atë çka është më e mirë për popullin shqiptar, që është një gamë e gjerë e dispozitave të medias që ofrojnë lajme të sakta dhe një mori pikëpamjesh e opinionesh. Mund të jetë e vështirë të sigurosh dëgjimin e pikëpamjeve të minorancës, po është puna e rregullatorit ta bëjë këtë gjë të mundur.
Cila do të ishte një qasje e mirë për transmetuesin publik shqiptar, i cila ka nevojë të jetë i pavarur dhe i balancuar. Fonde nevojiten gjithashtu.
Nuk duhen para për të qenë i pavarur dhe i ekuilibruar! Por nevojitet një ndryshim kulture dhe që qeveria të bëjë mbrapa dhe të lërë transmetuesin e shërbimit publik të bëjë punën e tij si duhet. Ajo që kushton është sigurimi i një programi të një cilësie të lartë me standarde të mira produksioni dhe me përmbajtje që njerëzit duan ti shikojnë. Hapi i parë është divorci i transmetuesit të shërbimit publik nga kontrolli i qeverisë. Edhe nëse ofrohen standarde të dobëta produksioni, qytetarët do ti shikojnë emisionet e transmetuesit publik nëse ato e besojnë atë. Besimi do të vijë vetëm nëse programet janë të paanshme dhe të përpikta. Sapo ky besim të krijohet ndaj transmetuesit publik dhe akoma më shumë njerëz do të duan ti ndjekin emisionet e tij, më shumë njerëz do të jenë të përgatitur për të paguar taksën e licencës me qëllim marrjen e lajmeve të paanshme dhe të sakta.
Liria e medias është jetësore për kriteret e Kopenhagës, me qëllim që vendi të bëhet pjesë e BE-së. Si e matni apo perceptoni lirinë e medias?
Hapi i parë është sigurimi i një mjedisi ku ka një gamë mjaftueshmërisht të gjerë të transmetuesve të lajmeve me qëllim që zëri i gjithsecilit të dëgjohet. Në disa vende, gazetarët ankohen se ata nuk mund të thonë atë çka mendojnë, përderisa asnjë nuk është i përgatitur të botojë një material që nuk i përshtatet një axhende të caktuar politike.
Çfarë veprimesh nevojiten të merren nga autoritetet shqiptare për të treguar se ato janë serioze ndaj lirisë së medias?
Politikanët shqiptarë kanë nevojë të kuptojnë se media nuk është aty për qëllimin e zgjedhjes së tyre ajo është aty për të informuar shqiptarët në mënyrë që ata të mund të jenë pjesë e një demokracie të duhur.
Emërimi i anëtarëve të KKRT do të tregojë se sa e lirë dhe demokratike është media shqiptare.
Do të jetë një test për ligjin e ri të medias, për të parë nëse anëtarët e rinj të autoritetit rregullator kanë kompetencat e duhura për të bërë punën dhe forcën për të vepruar në mënyrë të pavarur nga presioni politik dhe ai i industrisë.
A ka një rregullator specifik për performancën dhe etikën e gazetarëve?
Kjo është diçka që duhet të bëhet nga vetë gazetarët dhe botuesit nëpërmjet vetërregullatorëve. Në shumë vende europiane funksionon Këshilli i Shtypit, i cili vendos dhe monitoron përputhjen me Kodin e Etikës dhe standardet.
A keni qenë shpesh në Shqipëri dhe çfarë ju tërheq më tepër tek ajo?
Mendoj se kam qenë katër herë në Shqipëri. Dhe më ka pëlqyer shumë të shikoj Tiranën të bëhet një vend kaq i mrekullueshëm, sidomos kur koha është e bukur dhe baret janë plot me njerëz!
Si e kaloni kohën e lirë?
Më pëlqen të udhëtoj dhe të bëj shumë gjëra gjatë kohës sime të lirë. Më pëlqen teatri dhe muzika. Më pëlqen të jetoj në Londër, ku si teatri dhe muzika janë aty.
Shqipëria po lufton me konceptin e pavarësisë politike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email