E Diel, 1 Nëntor 2026

Diagnostikim; Mamografi falas në QSU dhe në dy klinika shëndetësore



Kanceri i gjirit vijon të ketë përhapje të gjerë mes grave dhe vajzave në vend. Sipas statistikave, çdo vit zbulohen rreth 400 raste të reja me këtë sëmundje. Mjekët onkologë bëjnë thirrje për diagnostikim, në mënyrë që sëmundja të kapet që në fazat e para. Por, sipas tyre, ajo që vërejnë me keqardhje, është fakti se pjesa më e madhe e rasteve kapen kur sëmundja ka kaluar në faza shumë të avancuara. Kështu, “vetëm 5% e femrave shqiptare shkojnë herët dhe kanceri i gjirit kapet në fazë të hershme, ndërsa pjesa tjetër shkojnë në faza të avancuara, ku invaliditeti dhe po kështu vdekshmëria është e lartë”, - deklaron Lumturi Mërkuri, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik. Të dhënat tregojnë se në 10 vitet e fundit mesatarisht në vend janë 350-400 raste të reja në vit me kancer të gjirit. Krahasuar me vendet e tjera evropiane, prevalenca e prekjes nga kanceri i gjirit është pothuajse e njëjtë. Grupmoshat më të prekura janë pothuajse të gjitha moshat, por moshat e rritura kanë mundësi më të lartë për t’u kapur nga kanceri i gjirit. Ndërkohë, vitet e fundit vihet re një ulje e moshës së prekur nga sëmundja, në më pak se 35 vjeç. Kanceri i gjirit zë vendin e parë të tumoreve malinje. Në vendin tonë, ai përbën 25.6% të tumoreve malinje që prekin femrat sot dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve. Në kuadër të muajit për sensibilizimin kundër kancerit të gjirit (muaji tetor), janë ofruar ekzaminime falas në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, në klinikën “Ikeda”, si dhe në atë ortodokse. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën 185.000 gra në Evropë preken nga kanceri i gjirit dhe rreth 44.000 vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›